TIRANË – Tani kritizerët e sëmurë që e lidhin çdo të keqe të Partisë Demokratike me Doktorin, nuk kanë më gojë të flasin. Ngjarja e para disa ditëve mund quhet me siguri të plotë, një moment transformues për partinë më të madhe opozitare të bregut verior të Lanës. Paskëtaj, u shprehën të emocionuar dëshmitarët okularë që nuk u besonin dot syve, nuk mbetet gjë tjetër veçse PD të bëhet gati për të marrë pushtetin.
Po, pavarësisht rezistencës fillestare dhe ngurrimit të kuptueshëm të Doktorit, pasi hapjet e mëparshme kishin sjellë vetëm andralla dhe kishin prodhuar veç poliagjentë dhe grupe armiqësore, lideri karizmatik 123 vjeçar vendosi se partia duhet të hapej.
Por vendimi nuk ishte i lehtë dhe u mor në rrethana shumë specifike, gjatë mbledhjes së fundit të zgjeruar të kryesisë së partisë.
*
Patronazhisti mëson se mbledhja në fjalë kishte një axhendë shumë të rëndësishme.
Së pari do të denoncohej armiku i betuar, kripto-socialisti i hurit dhe i litarit, Ervin Salianji, i cili kishte arritur të mblidhte pas vetes disa demokratë të gënjyer. Me propagandën e tij perverse, Salianji u kishte mbushur mendjen atyre se ishte më i ri se Doktori, dhe se kishte më shumë shanse për ta çuar partinë, në mos drejt fitores, të paktën drejt një humbjeje të dinjitetshme.
Por sado të përpiqej, ky bandit i regjur nuk kishte mundur të bënte për vete më shumë se 60-65 përqind të anëtarësisë. Megjithatë, sekretari i përgjithshëm Nul Moka (njëherësh përgjegjës i departamentit të inteligjencës) dhe shefi i agitpropit në parti – paralelisht i punësuar part time në kopshtin zoologjik si cjap - Pim Çeka, propozuan se ishte e udhës që ky armik, ky gjarpër në gjirin e PD-së, të demaskohej dhe të hidhej në koshin e plehrave të historisë. Ose gjeografisë, sipas mundësive.
Së dyti, dhe më kryesorja, kryesia do të përcaktonte kriteret që duhej të plotësonin kandidatët për kryetar/e të PD-së, për të pasur një garë sa më të shëndetshme, me larmi opsionesh dhe propozimesh.
*
Kryesia ishte duke u hedhur një sy të fundit kritereve për kandidatët për kryetar. Nuli i lexoi edhe njëherë me zë të lartë për të pranishmit:
“Atëherë, kush është dakord: Kandidati ose kandidatja për kryetar të Partisë Demokratike duhet:
1. Të ketë emrin Sali
2. Të mbajë mbiemrin Berisha
3. Të jetë 123 vjeç, që zoti i dhëntë ymër ishalla
4. Ta ketë shtëpinë te rruga e Lirisë.
5. Të hajë gjellët e Lirisë…”
Atë çast u dëgjua një zë i mbytur:
“Një sekondë, një sekondë, nuk mund të vazhdohet kështu!”
Salla u shastis. Ishte Doktori, që po kollitej dhe kërkoi një gotë ujë. Pasi e mori veten, ai foli:
“Ore, ju nuk ndjeni gjë fare, apo jam vetëm unë? Nuk e shihni që ka nevojë urgjente për hapje, për ajrosje?”
Sall u gjallërua dhe gumëzhiti: “Po Doktor, ne sapo do ta thoshim! Nuk ecet më në këtë mënyrë, po shkojmë drejt humnerës. Ty të lumtë që e propozove vetë i pari. Je gjigand, për zotin”.
Doktori buzëqeshi dhe deklaroi:
“Shumë mirë atëherë, ashtu do bëjmë. Nuli, hapi pak dyert dhe dritaret se na u zu fryma. Ç’është ky ajër i ndenjur këtu se na çmendët? Seç ka ca aroma të çuditshme!”…
*
Dëshmitarët okularë nuk e përcaktuan dot se nga vinte aroma e padurueshme. Dikush spekuloi se Nuli ishte ngatërruar dhe gjatë dushit të fundit që kishte bërë, për Novruz, kishte përdorur gabimisht ilaç enësh.
Një tjetër ja vuri fajin çorapeve të Pim Çekës, që ishin nga rezervat e luftës së Vietnamit. Një i tretë bëri be e rrufe se një parfum femëror diku në sallë, vinte era ilaç mizash.
Gjasat janë që mund të kishin qenë të gjitha arsyet bashkë. Por kjo pak rëndësi ka për të ardhmen e demokracisë dhe pluralizmit politik në Shqipëri. Kryesorja është që PD-ja kishte filluar hapjen dhe dekadat e Të Gjatit në pushtet, ishin të numëruara.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pluripartiake që lahet me milva