EMOCIONUESE/ Prezantohen sukseset e nismës së qeverisë, “Adopto një Hajdut”

4 Maj 2026, 20:08Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bella Ballukja duke prezantuar sukseset e nismës 'Adopto një Hajdut'

TIRANË – Në një ceremoni ku merrnin pjesë ekspertët më në zë të fushës, ministra e deputetë, drejtorë drejtorish dhe krerë institucionesh të tejvarura, u shpallën dje rezultatet e nismës shumëvjeçare të qeverisë shqiptare, “Adopto një Hajdut”.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, të cilët ndërkohë shtrëngonin fort në dorë çantat e tyre dhe shihnin me bisht të syrit njëri-tjetrin, drejtuesja e eventit Bella Ballukja dha disa shifra.

“Në fillim disa skeptikë kishin dyshime, por sot mund të themi se nga 5 përqind, prania e hajdutëve në piramidën shtetërore dhe institucionet e lidhura me të, ka shkuar në 65 përqind,” deklaroi Ballukja.

Siç dihet, nisma e shpallur për herë të parë në shtator 2013 me të drejtë rinovimi të përvitshme, synonte jo vetëm mbrojtjen, por edhe shumëfishimin e kësaj specieje shoqërore në natyrën shqiptare, duke ja përshtatur atë kërkesave të kohës dhe kushteve të anëtarësimit në BE.

Është fakt historik që hajduti shqiptar në shekuj ka operuar në një habitat të vrazhdë dhe të egër, pa ato rregulla dhe norma që do mundësonin vazhdimësinë e profesionit dhe përcjelljen e zanatit në brezat e ardhshëm. Pikërisht kjo mungesë piketash i ka dhënë një emër të keq kësaj zejeje, që qeveria shqiptare sot ka mundur t’ia heqë me një përpjekje titanike.

*** 

Kush iu kthehet kronikave të kohës, kujton sesi nisma “Adopto një Hajdut” premtoi në radhë të parë ta ndihmonte këtë shtresë të margjinalizuar të integrohej në shoqërinë shqiptare, me parimin: “Mos shkel ligjin, por ndryshoje atë”. Hajdutët e rinj u trajnuan që të operonin ose duke shfrytëzuar boshllëqet ligjore, ose duke ndikuar për ndryshimin e ligjeve. Seminare të shumta udhëzonin talentet e reja që rregullat të respektoheshin, tenderat të zhvilloheshin, kushtet të plotësoheshin, dokumentacioni të ishte i plotë, solemniteti procedurial të ishte maksimal, kompanitë pjesëmarrëse të ishin të ligjshme, ndërsa paraja kesh të ishte sa më pak prezente.

Është interesante se pikërisht në këto seminare, workshope e trajnime, studentët merrnin leksionin e parë konkret të hajdutërisë.

“Sa paguat për të marrë pjesë në seminar?”, pyesnin në fund drejtuesit, kandidatët për hajdutë, “nga 300 euro për njeri, po? E pra, ju kemi vjedhur! Duhet të paguanit vetëm nga 50 euro!”

Të mahnitur, studentët duartrokisnin për këtë goditje mjeshtërore.

***

Nuk është sekret se për të stërvitur shqisat dhe për të pikasur talentet, qeveria dhe mjediset rrotull saj shpallën paralelisht disa nisma në dukje ordinere, si “Adopto një rrugë”, “Adopto një kukumjaçkë”, “Adopto një hajvan”, “Adopto një film bardhezi” etj.

Edhe pse të mërzitshme në pamje të parë, ato shërbyen si akademi talentesh, prej nga dolën pastaj yjet e ardhshme të hajdutërisë ekselente, të cilët sot e kësaj dite mbushin faqet e shoubizit kur parakalojnë në tapetin e kuq të SPAK-ut.

Që nga ajo periudhë, kanë rrjedhur shumë ujëra. Nismat obskurantiste të regjimeve të mëparshme, si “Adopto një plaçkitës toke”, “Adopto një kioskë pa leje në mes të Parkut Rinia”, apo edhe “Adopto një firmë piramidale” i përkasin të kaluarës së hidhur.

Sot qeveria inkurajon hajdutërinë e fjalës së fundit të shkencës, duke nisur me studentë 19-25 vjeçarë që stërviten në call-centera për të zhvatur pensionistë të curufjepsur nga Spanja, Gjermania, Italia etj. Nuk është çudi që nesër-pasnesër, disa prej këtyre talenteve të punojnë te AKSHI, ose të themelojnë kompani që marrin tendera te AKSHI, ose që i bëjnë të dyja bashkë.

P.S. Teksa falenderoi të pranishmit në eventin e mësipërm dhe u kujtoi atyre se duhet të paguanin tarifën e pjesëmarrjes prej 5 mijë eurosh, Bella Ballukja njoftoi se edhe Palloshi do donte të ishte mes tyre në këtë ditë të shënuar. “Por e lajmëruan se kishte një rrugë për jashtë shtetit, ndaj ka shkuar të bëjë plaçkë në Armeni,” sqaroi ajo.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e plaçkitur


Video