ATENTATI/ Tramp: Ngjarja në ballon e gazetarëve më jep të drejtë kur them se gazetaria duhet të marrë fund!

28 Prill 2026, 17:26Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Tramp duke shpjeguar rreziqet e gazetarisë

Tramp: A nuk ju thashë se mediat janë të dëmshme?

Duke deklaruar se incidenti i frikshëm i dha edhe një herë të drejtë në deklaratat e tij të herëpashershme për shumë vite me rradhë, Presidenti amerikan Donald Tramp theksoi të hënën se të shtënat në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë përforcuan nevojën për t'i dhënë fund gazetarisë.

"Të dashur miq, dhe sidomos ju mikesha: Në fundjavë ndodhi një akt dhune i tmerrshëm që nuk do të kishte bërë kurrë vaki nëse nuk do të kishim një shtyp të lirë", tha Tramp, duke shtuar se krimi i ulët do të kishte qenë i pamundur nëse dikush do t'i kishte marrë seriozisht kërkesat e tij të përsëritura për të shfuqizuar Amendamentin e Parë.

"Kam lënë leshtë duke u përpjekur t'i paralajmëroj njerëzit për rrezikun që fsheh kërkesa e llogarisë ndaj administratës sime për veprimet e saj. Shikoni se ku jemi katandisur tani. Nuk mund ta zhbëjmë të kaluarën, por shpresoj që kjo ngjarje e tmerrshme të provojë njëherë e përgjithmonë se gazetaria duhet të ndalohet sa më parë."

Tramp në vijim pranoi se disa media amerikane ishin treguar të përgjegjshme në misionin e tyre fisnik për lavdërimin e vazhdueshëm të veprës kolosale të Presidentit në përmirësimin e jetës së tij dhe të familjes, por gjithsesi rreziku që paraqiste gazetaria si veprimtari subversive, mbetej shumë i madh.

“Po të mos kishte gazetari, nuk do kishte as gazetarë, dhe as darkë korrespondentësh, pra nuk do kishte as të shtëna,” theksoi Tramp, “po kujt t’i thuash, marrin vesh këta horra?”

Gjykata vendos: Gjyqet do zhvillohen me kafaze xhami, por vizitorët ndalohet të hedhin ushqime në to

Një vendim i Gjykatës Ultra Ekstra Speciale në Tiranë, sqaron se këtej e tutje të gjitha seancat gjyqësore do të zhvillohen me sa më shumë kafaze xhami të jetë e mundur.

Sipas vendimit, tashmë në kafaze xhami do të vendosen jo vetëm të akuzuarit, por edhe prokurorët, edhe trupi gjykues. Salla me tre kafaze xhami anti-korrupsion do të ketë vrima për ajrosje dhe mikrofona, që palët të komunikojnë me njëra-tjetrën, qoftë me fjalë apo me shenja, dhe çdo kafaz do të ketë kushte akomodimi me pesë deri në gjashtë yje.

I ndërgjegjshëm se vendimi në fjalë do të shoqërohet edhe me një faturë financiare, gjykata ka vendosur që seancat gjyqësore të nxjerrin shpenzimet e veta. Për këtë, zhvillimet e seancave do të jenë të hapura për vizita nga gjyshër me nipat e mbesat, studentë, por edhe grupe turistike.

“Urdhërojmë që këto vizita të bëhen pjesë e guidave për vizitorë vendas dhe të huaj, me çmimin e biletës përkatëse, në kuadër të vizionit strategjik turistik, Shqipëria 2099,” theksoi vendimi.

Gjykata paralajmëron se ndalohet kategorikisht ndërveprimi me krijesat e kafazeve, qofshin këta të pandehur, prokurorë apo gjykatës. Ndërsa hedhja e ushqimeve, bananeve, patatinave apo çibukëve brenda kafazit dënohet me gjobë.   

Skulptura standarde e një shefi të lezetshëm italian, provë kyçe se lokali bën pica të mira

Klientët janë të bindur se një skulpturë me fibër xhami që paraqet një shef kuzhine buçko italian me mustaqe, dhe mundësisht me emrin Luixhi ose Pepe, e vendosur së fundmi përpara picerisë La Vera Pizza në Kombinat, është një provë e pakundërshtueshme e standardit të lartë të restorantit.

“Po kërkoja një piceri të vërtetë italiane dhe nuk kisha ide se ku të shkoja, por pastaj pashë atë statujë me faqet e fryra dhe mustaqet e vockla të përdredhura”, tha të shtunën kombinatsja e martuar në Gjermani, Pamela Gjytyrymi-Schneider.

“Në çast u binda se ky lokal me siguri do bënte pica të shkëlqyera,” shtoi Gjytyrymi-Schneider. Sipas saj, fakti që lokali kishte instaluar një skulpturë shefi kuzhine tipik italian, barkaliq, me shaminë e kuqe në qafë dhe me buzëqeshjen e përhershme, ishte garanci se ajo do hante një picë po aq të mirë sa në Itali.

“Shefi i lezetshëm mbante veshur një përparëse të bardhë me disa njolla salce, kështu që dihet se ushqimi do të ishte i mirë. Përndryshe pse do ta kishin vënë te dera e lokalit?”

Klientja shtoi se edhe dyshimi më i vogël se piceria me pronar të famshmin Shemo Kaco mund të mos ishte autentike italiane, iu shua kur u ul dhe vuri re në mur, një foto të kornizuar të Al Paçinos.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-kafaz


Video