DURRËS – Ajo që deri tani media të papërgjegjshme e kanë quajtur skandal, alarm, tmerr, e sytë që t’u pëlcasin, ka marrë më në fund një sqarim të ftohtë, objektiv dhe shkencor nga vetëkompania ndërtuese.
Bëhet fjalë për pallatet e sapongritura - dhe të sapozhytura – në Durrës Marina, pranë kalatës lindore të portit, pjesë e projektit madhështor 3.2 miliardë dollarësh të kompanisë “Alabar and Vllazën”.
Zhytja me gati një metër e këtyre ndërtesave, ende të pambaruara dhe të pabanuara, por pothuajse të paguara, zgjoi një histeri mediatike të paprecedentë. Edhe pse profesionistët e vërtetë, domethënë zhytësit, nuk u prononcuan fare, frenezia u ushqye nga individë pa lidhje me fushën, si inxhinierë ndërtimi, inxhinierë zbatues, arkitektë e plot karagjozë të kësaj natyre.
***
Këta kllounë e panikaxhinj deklaruan se zhytja e strukturës së ndërtimit me gati një metër në det, tregon se kompania nuk ka kryer përforcimin e duhur të terrenit nëntokësor, i cili siç dihet është ranor, i paqëndrueshëm dhe i ngopur me ujë.
“Njerëzit kan ble shpiat me kursimet e një jete”, kakarisën ata, “u bëjmë thirrje të tregojnë kujdes, kompania duhet të japë sqarime”, e tërci e vërci.
Të njëjtit tipa që nuk shohin punën e vet por fusin hundët kudo – papapa, mos t’i kesh as në lagje - shtuan se Alabar and Vllazën nuk po harxhon kokërr leku nga xhepi i vet, por të gjitha investimet e deritanishme për projektin i ka kryer me paratë e grumbulluara nga parablerjet e apartamenteve. Jo vetëm kaq, por demek ndryshe nga sa ishte parashikuar, afatet e ndërtimeve janë shumë të vonuara, dhe gjithë skema qenkërka një mashtrim imadh.
Edhe pse Alabari shquhet për durim, mbyll ndonjëherë njërin sy, dhe tapos ndonjëherë edhe njërin vesh, zullumi u teprua. Atëherë kompania nuk duroi më dhe doli me sqarimin e vet shkencor.
***
Deklarata e Alabarit dhe Vllazënvet (njëri prej të cilëve Patronazhisti ka mësuar se quhet Abu Edvin el-Palloshi), ka mbërritur edhe në redaksinë e Patronazhistit.
Po publikojmë fragmente sa për të sqaruar situatën, pasi dokumenti është shumë i gjatë dhe përmban fraza të tipit “akuzat e atyre që vodhën Shqipërinë për të vjedhur vjedhur votat që të marrin pushtetin që të vjedhin Shqipërinë”, të cilat nuk ngjajnë me stilin shprehës të afaristit arab.
Kompania sqaron se nuk ka asgjë për t’u alarmuar në projektin e Durrës Marina.
“Të dashur alarmantë, ju bëjmë me dije se terreni i nëndetit të zonës ku po kryhen ndërtimet, është studiuar më së miri. Jemi të ndërgjegjshëm se shtresat e atyshme përbëhen nga rërë lëvizëse, depozitime shekullore leshterikësh deti, kallamarë të zgarës dhe spageti alla-marinara. Prandaj është mëse logjike që ndërtesa, sa më shumë të marrë peshë, aq më shumë të zhytet.
Por, zotërinj axhaminj, ky ka qenë pikërisht synimi ynë. Mbështetur në teknologjinë e re ndërtimore “Insert your arm’s length”, që në shqip bëhet pak a shumë, “futja sa krahu”, ne kemi llogaritur që zhytja të jetë graduale. Ato që ju sot shihni si dy katet e para, në përfundim të projektit do të jenë dy kate parkimi nëntokësore,” thotë deklarata.
Në vijim, kompania hedh poshtë edhe akuzat se ata që kanëblerë apartamente, po rrezikojnë investimin e tyre.
“Ajo që ju e komentoni si fatkeqësi, për ata blerës është fat, ”thekson Alabari, “a e dini ju se me çmimet e sotme, parkimi kushton më shumë se apartamenti? Ky është investimi i jetës mor derra!”
Në fund, deklarata saktëson edhe çfarë do të ndodhë nëse, largqoftë, dy katet parkuese nëntokësore mbushen me ujë.
“E kemi menduar edhe këtë. Në rast përmbytjeje, ato do të shndërrohen në limane nënujore ku do ankorohen nëndetëset e vogla që do sjellin investitorët tanë strategjikë nga Ekuadori, Brazili, Kolumbia e Peruja. Kush kujtoni se i sjell në Shqipëri bananet e bardha që hani ju mor të pafytyrë; shpirti i shenjtë? Po robtohen çunat, po ju jeni katila, ju po i lodhni, po i plakni! Ptu, mosmirënjohës!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike mbiujore