PATRONAZHOSKOPI I QERSHORIT / Zvërneci dhe Aeroporti i Vlorës do të hyjnë me zvarritje në jetën tuaj këtë muaj…

1 Qershor 2026, 11:57Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Nje nga dy milionë shqiptarët e zvarritur nga Kushneri

DASHI

Është e vërtetë që shpeshherë ndihesh sikur je vetëm në këtë botë, sikur s’të kuptojnë, sikur veprimet e tua nuk i vë re askush. Por mos u mërzit. Kur SPAK-u të të thërrasë gjashtë herë brenda muajit për të dhënë ca shpjegime, do ta kuptosh se gjithçka ke bërë pesë vitet e fundit është ndjekur dhe dokumentuar me shumë interes.

DEMI

Ata që të thoshin se duhet të dalësh në ajër të pastër, të bëhesh njësh me natyrën dhe t’i mposhtësh frikërat brenda teje, nuk e kishin menduar se duke ecur në mal, një tufë ujqish do të të dalë përpara këtë muaj, duke të parë gjithë neps.

BINJAKËT

Në një reaksion zinxhir që do të të befasojë, do të bëhesh dëshmitar sesi ca policë privatë tërheqin zvarrë një protestues në Zvërnec, pastaj ca policë të shtetit tërheqin zvarrë policët privatë, pastaj I Gjati tërheq zvarrë policët e shtetit, pastaj Kushneri tërheq zvarrë Të Gjatin… dhe në fund të linjës, do zbulosh se 2 milionë shqiptarë janë duke u tërhequr zvarrë, të kapur njëri pas tjetrit.   

GAFORRJA

Pas shumë dilemash, konfliktesh shpirtërore dhe dyshimesh nëse pasioni yt duhet realisht të kthehet në angazhim të përhershëm, këtë muaj ti do hapesh me familjen dhe të dashurit, dhe ata do të të mirëkuptojnë që ti t’ja kushtosh jetën ndihmës për të pasurit në nevojë. 

LUANI

Karriera jote akademike do të marrë një goditje këtë muaj; kolegët do të të tallin dhe do sulmohesh egër nga kritikët, pasi të paraqesësh studimin tënd të fundit, ku do përpiqesh të vërtetosh se ka plot raste kur, edhe pse zë në gojë qenin, nuk është e nevojshme të bësh gati shkopin. 

VIRGJËRESHA

Ndikimi i Zvërnecit në shenjën tënde, do të bëjë që gjatë gjithë muajit qershor të kërkosh si i lojtur ligatina, pyje, laguna e zona të mbrojtura për të ndërtuar resorte, me qëllimin fisnik për të punësuar sa më shumë shqiptarë. Tërhiqu sa je në kohë, në qoftë se nuk je dhëndrri i Trampit, I Gjati që sulmon zonat e mbrojtura – dhe pastaj mbron zonat e sulmuara - ose sipërmarrësi i shquar italian Çeto Kastrato. Ama në qoftë se je njëri nga këta, ec përpara dhe mos e vri mendjen. Vetëm në Paris blihen lulet me para, këtu i hanë gomerët.

PESHORJA

Në qoftë se mund të të ngushëllojë sadopak, dije se shkenca ka provuar që koha dhe hapësira janë thjesht iluzione në mendjen e njeriut. Megjithatë, kurioziteti nuk na lë rehat, ndaj duam të të pyesim: Si ka mundësi o njeri; çfarë tersi paske qenë që ndodhesh gjithmonë në kohën dhe vendin e gabuar?

AKREPI

Aeroporti i Vlorës do të hyjë vrullshëm në jetën tënde këtë muaj, duke të detyruar të zbresësh me këmbë në tokë në një mënyrë aspak elegante. Kjo sepse do të jesh pasagjer në një avion që kërkon të ulet në aeroport, por Behgjeti do të japë leje të zbresësh, ndërsa ortaku i Behgjetit do të të urdhërojë të mos ulesh. Për fat të keq, derisa ta gjejnë ata me njëri-tjetrin, avioni yt do ulet në… Zvërnec. 

SHIGJETARI

Nga njëra anë, duhet të gëzohesh, sepse ndikimi shkatërrimtar i Neptunit në shenjën tënde është duke u dobësuar. Fati e deshi që Neptuni, komshiu i katit sipër që ka gjashtë kalamaj që vrapojnë gjithë ditën e ditës, më në fund do të ndërrojë shtëpi. Problemi është se komshiu i ri është edhe më keq: Ai sapo është zgjedhur anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së dhe gjithë muajin e ka aheng, sepse do vijë gjithë farefisi për ta uruar. Ose urryer.  

BRICJAPI

Të ndikuara nga Hëna, yjet kanë përcaktuar se je një tip analitik, diabolik, makiavelik, manipulator, puthador, kalkulator, të gjitha këto në kuptimin e mirë të fjalës. Gjithashtu yjet thonë se je disi i pavendosur dhe nuk dëshiron të dalësh nga zona jote e rehatisë. Kjo e dyta, në kuptimin e keq të fjalës. Sepse zona jote e rehatisë është të ecësh mbi një tel ekuilibri njëqind metra mbi tokë dhe pasaj të relaksohesh në një karrige me gjemba për të mbledhur veten. 

UJORI

Do të çuditesh, madje do mrekullohesh sesi kaq shumë prej problemeve të jetës tënde do të zhduken nga mendja këtë muaj. Dhe kjo me një teknikë shumë të thjeshtë: Mos u kushto vëmendje dhe vazhdo jetën tënde prej sarhoshi e bixhozxhiu.

PESHQIT

Të patën porositur t’u shmangesh me çdo mënyrë marrëdhënieve afektive të tepruara në vendin e punës, se janë të dëmshme. Por ti prapë nuk dëgjon: Ngul këmbë me çdo kusht të pish atë çajin me xhenxhefil dhe limon, që nuk vjen as era xhenxhefil, as limon. Po merr o njeri në zyrë një shishe xhin a konjak, të punosh rehat si gjithë dynjaja!

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që kohët e fundit sillet sipas ciklit hënor


Video