AKTI SOLEMN/ I Gjati zotohet t’i kushtojë më shumë vëmendje nevojave të jo-kryeministrave

4 Qershor 2026, 21:48Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
I Gjati duke premtuar të bëjë më shumë për jo-kryeministrat

TIRANË/SURREILLE – Duke iu përgjigjur sondazheve të fundit që sugjerojnë se ai ka humbur kontaktin me shqiptarët e zakonshëm, dhe grumbullimeve të pazakonshme poshtë zyrës së tij, kryeministri I Gjatë u zotua dje se do t’u kushtojë më shumë vëmendje nevojave të jo-Kryeministrave.

“Ka mundësi që, në të kaluarën, të kem qenë disi i pakujdesshëm në trajtimin e problemeve të përditshme të jo-Kryeministrave të vendit,” tha I Gjati gjatë një videomesazhi nga banjoja e tij në rezidencën e njohur jashtë Tiranës, Chateau du Surreille. “Epo, kjo do të ndryshojë. Zotohem këtu se do të dëgjoj dhe do të marr parasysh shqetësimet e jo-kryetarëve të ekzekutivit—një grup njerëzish shumë i vlefshëm për vendin tonë, në mënyrën e tyre, edhe pse shkenca ende nuk e ka saktësuar se në ç’mënyrë.”

 I Gjati ka ngarkuar stafin e tij prej 50 vetash me detyrën për ta ndihmuar të mësojë më shumë rreth shumë jo-kryetarëve të qeverisë së vendit.

“Nga këtu e tutje, do të bëj çmos të adresoj nevojat e këtij grupi shqiptarësh të ndershëm, që, siç më thonë, i përkasin një tradite të gjatë jo-kryeministrore që shtrihet me qindra vjet në këtë vend,” tha I Gjati. “Për këtë qëllim, kam emëruar një komitet të posaçëm faktmbledhës – grup pune më saktë - për të shqyrtuar problematikat e jo-kryeministrave dhe për të zbuluar në ç’gjendje janë çarterat e tyre, si po punojnë stafet e tyre dhe si po përballen me presionin në rritje të medias në këtë vit zgjedhor.”

Një shqetësim i veçantë për Të Gjatin është ndikimi i krizës globale tek jeta e përditshme e jo-Kryeministrit mesatar. Ai tha se është kurioz të dijë si po reagojnë jo-Kryeministrat ndaj rritjes së kostove të reklamave televizive të fushatës, nëse kanë rënë donacionet e tyre nga grupet e interesit dhe sa para arrijnë të kursejnë për ndërtimin e kullave.

“Dua të jetoj në një vend ku të gjithë qytetarët—qofshin Kryeministra apo jo— të mund të ndjekin ëndrrat e tyre për t’u bërë drejtorë e ministra që 19 vjeç, edhe nëse vuajnë nga mungesa e financimit apo e shkrim-këndimit,” tha I Gjati. “Gjithashtu, shqiptarët nuk duhet të mbeten pa përqindjen që u është premtuar nga ndërtuesit e dyshimtë, vetëm sepse paska kontroll nga SPAK për verifikim të ardhurash të pajustifikuara: Po ti lëri o lumëmadh t’i bëjë njëherë lekët, se i justifikon vetë ai pastaj. Duhet të bëjmë të pamundurën që çdo jo-kryeministër të përballojë elementet bazë të jetës së përditshme: një shpurë të mjaftueshme truprojash të Gardës, udhëtime me benc, takime me Ivankën dhe ndikim politik për të kaluar ligje në parlament.”

I Gjati tha se ditët në vijim do t’u kushtojë fokus të veçantë takimeve me jo-Kryeministrat – për t’I pyetur nga afër si po shkojnë resortet e tyre turistike, si po ecin investimet e fshehura përmes palëve të treta dhe në emrin e cilit drejtor të famshëm futbolli janë regjistruar vilat e tyre.

“Ka vetëm një mënyrë për të fituar zemrat, mendjet dhe votat e jo-Kryeministrave të vendit—një grup që, siç kam mësuar, është më i madh se sa mendoja më parë—dhe ajo është t’i pyesësh sy më sy,” tha I Gjati. “A është siguria e mjaftueshme në rezidencat e tyre? A kanë mbështetje aq sa duhet nga miqtë e tenderave në sektorin privat? Nëse jo, dua t’i ndihmoj jo-Kryeministrat dhe familjet e tyre të marrin ndihmën që u nevojitet.”

I Gjati shtoi se është aq i përkushtuar për të mësuar më shumë rreth jo-Kryeministrave sa ka planifikuar një vizitë faktmbledhëse në shtëpinë e njërit prej tyre këtë muaj.

“Brenda qershorit, do të vizitoj vëllain tim për të diskutuar këto çështje,” tha I Gjati. “Siç më rezulton, ai është një nga këta jo-Kryeministra. Nuk e kisha kuptuar më parë, por në fakt, ai nuk ka qenë kurrë kryeministër.

Në mbyllje, Kryeministri tha se ka respekt të madh për shumë jo-Kryeministra punëtorë që sheh çdo ditë, përfshirë ata që i shërbejnë ushqimin, i organizojnë telefonatat dhe i mbajnë këpucët.

Shtoi I Gjati: “E dini, disa nga miqtë e mi më të mirë—përfshirë Bella Balluken, Taullau Baun, Baba Mondin, Mama Mondën etj. — janë jo-Kryeministra.”

Pastaj u kujtua: “Ore, po edhe unë s’kam lindur kryeministër mo jo! Një kryetar i thjeshtë bashkie kam qenë!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike jo-kryeministrore


Video