
Pekini ka ndaluar posedimin dhe ruajtjen e dronëve, kështu që banorët e kryeqytetit kinez nuk mund të mbajnë as një dron që nuk e fluturojnë kurrë, raporton TechSpot. Ligji hyri në fuqi të dielën.
Shumë qytete kineze kanë zona ku dronët civilë nuk lejohen të fluturojnë. Megjithatë, Pekini është i vetmi që e ka ndaluar edhe posedimin e tyre.
Ndalimi vlen për gjithë zonën administrative të Pekinit, përfshirë edhe zonat rurale. Bëhet fjalë për rreth 16.400 kilometra katrorë, afërsisht një herë e gjysmë sa sipërfaqja e Kosovës.
Gjithashtu, nuk lejohet as futja e dronëve apo e pjesëve të tyre në Pekin. Pra, as droni i paketuar në valixhe nuk e shmang ligjin.
Autoritetet e njoftuan këtë masë në shtator dhe thanë se ajo është e nevojshme për sigurinë e qytetit.
Shitja e dronëve ishte ndaluar që në maj, por fillimisht pronarët lejoheshin t’i mbanin, me kusht që t’i regjistronin te autoritetet. Tani edhe kjo mundësi është hequr.
Në qershor, një aeroplan i vogël u përplas në ndërtesën më të lartë të Pekinit. Piloti humbi jetën dhe 13 persona u plagosën. Ngjarja ngriti shqetësime për sigurinë e hapësirës ajrore dhe çoi në kufizimet e reja për dronët.
Ligji parashikon disa përjashtime. Dronët lejohen për zbatimin e ligjit, luftën kundër terrorizmit, ndihmën në emergjenca, bujqësinë dhe kërkimet shkencore.