Një histori përtej spiunëve, seksit dhe gënjeshtrave

16 Nëntor 2026, 17:58Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një histori përtej spiunëve, seksit dhe gënjeshtrave

Drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, dha dorëheqjen këtë javë nga kompania që themeloi vetë, pas raportimeve për lidhje jashtëmartesore, përfshirë një me një vartëse dhe një tjetër me një grua për të cilën zyrtarët amerikanë dyshojnë se punon për inteligjencën kineze.

Por raportimet sensacionale mbi spiunët, gënjeshtrat dhe seksin rrezikojnë të lënë në hije çështjet shumë serioze që janë në lojë për kompaninë e dytë më me vlerë në Amerikë.

​Ja çfarë tjetër duhet të dimë sipas CNN:

​Nvidia ka luftuar për t’i shitur çipa Kinës

Huang ka lobuar prej kohësh për shitjen e çipave në Kinë, duke deklaruar në takimin vjetor të Institutit Milken në vitin 2025 se tregu për çipat e inteligjencës artificiale (AI) në Kinë do të arrinte përfundimisht në 50 miliardë dollarë.

Uashingtoni kishte ide të tjera. Administrata Biden vendosi kufizime mbi eksportet e çipave për t’i mbajtur ata larg duarve të Kinës, me shpresën për të parandaluar Pekinin që ta përdorte teknologjinë për të avancuar sistemet e tij ushtarake dhe të inteligjencës artificiale.

​Edhe pasi Nvidia zhvilloi posaçërisht një çip më pak të fuqishëm që ishte në përputhje me rregulloret amerikane të eksportit dhe mund të shitej në Kinë, administrata Trump vendosi sërish kufizime mbi shitjen e tij. Asokohe, Nvidia tha se kjo do të sillte një goditje prej 5.5 miliardë dollarësh në fitimet e saj.

​Pavarësisht kësaj, Huang dhe presidenti Donald Trump kanë gëzuar një marrëdhënie të ngushtë. ​Në fillim të këtij viti, qeveria amerikane u dha dritën jeshile 10 kompanive kineze për të blerë çipin e saj të fuqishëm H200, raportoi Reuters.

​SHBA-ja ka pikëpyetje mbi Megaspeed

Alice Huang ishte një drejtuese ekzekutive në kompaninë Megaspeed me bazë në Singapor, një kliente e Nvidia-s. Ajo u identifikua nga qeveria amerikane se kishte pasur një lidhje me Jensen Huang, si dhe se ishte një agjente e mundshme e inteligjencës kineze.

Megaspeed është nën hetim për devijimin e mundshëm të gjysmëpërçuesve amerikanë shumë të kërkuar drejt subjekteve në Kinë, në shkelje të kontrolleve amerikane të eksportit. Megaspeed ka blerë çipa të Nvidia-s me vlerë më shumë se 4 miliardë dollarë, sipas vlerësimeve të disa analistëve.

​Por zyrtarët e Trumpit kanë qenë të fokusuar te Megaspeed prej muajsh. Disa punonjës të Departamentit të Thesarit besonin se Megaspeed duhej të futej në listën e zezë të Departamentit të Tregtisë për shkak të shqetësimeve se kompania i kanalizonte çipat e avancuar që i blinte ngs Nvidia, drejt Kinës.

​Departamenti i Tregtisë e zvarriti vendosjen e Megaspeed në të ashtuquajturën “listë të subjekteve” (entity list), pavarësisht se Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, ishte informuar muaj më parë rreth lidhjes së Huang me Alice Huang, thanë për CNN burime të njohura me çështjen.

​Megaspeed ka mohuar çdo shkelje dhe ka deklaruar se është një “kompani e ligjshme dhe në përputhje me rregullat”.

​Nvidia tha se biznesi i saj në Kinë ra në “zero” pas kufizimeve tregtare të SHBA-së në prill 2025.

​Sekretari i Tregtisë Lutnick është nën lupë

Refuzimi i Departamentit të Tregtisë për ta futur Megaspeed në listën e subjekteve ka çuar në përplasje të brendshme publike midis anëtarëve të administratës Trump. Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, akuzoi publikisht Departamentin e Tregtisë të Lutnick-ut për vonesën në etiketimin e Megaspeed si një kërcënim për sigurinë kombëtare. Përplasjet e brendshme kanë çuar në disa diskutime nëse Lutnick duhet të shkarkohet, sipas personave të njohur me bisedat.

Trump vazhdon ta mbështesë Lutnick-un, mikun e tij të hershëm. Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se Trump “ruan besimin e plotë te sekretari dhe te aftësia e tij për ta përmbushur detyrën si Sekretari i Tregtisë më transformues në historinë moderne”.

Të premten, Lutnick pranoi vullnetarisht të dëshmojë para Komitetit Bankar të Senatit.

Një tjetër emër i rëndësishëm në këtë sagë: Super Micro Computer. Në muajin mars, themeluesi i kompanisë me bazë në Kaliforni u akuzua për kontrabandimin në Kinë të serverëve me vlerë 2.5 miliardë dollarë me çipa të Nvidia-s – një shkelje e ligjeve amerikane të eksportit. Kompania, e cila nuk u përmend në aktakuzë, tha asokohe se po bashkëpunonte plotësisht me hetimin ndaj tre individëve të akuzuar.

Kjo tregon se çipat e Nvidia-s po e gjenin  rrugën drejt Kinës, pavarësisht kontrolleve të rrepta të eksportit.

​Nvidia (dhe Wall Street) kanë vënë shumë para në lojë në bumin e AI-së

Ka një shumë të paimagjinueshme parash që qarkullojnë në ekosistemin e inteligjencës artificiale. Disa e quajnë këtë financim rrethor. Dhe një nga financuesit më të mëdhenj është Nvidia. Gjatë verës, Nvidia bashkoi forcat me gjigantë si Apollo, BlackRock, Blackstone, Brookfield, Goldman Sachs dhe KKR për të dhënë hua më shumë se gjysmë trilioni dollarë.

​Këto 500 miliardë dollarë do të shkojnë për ndërtimin e infrastrukturës së AI-së.

​Veçmas, Nvidia angazhoi 105 miliardë dollarë këtë vit për një qendër masive të dhënash të OpenAI. Strategjia e Nvidia-s për të mbështetur marrëveshjet dhe për të investuar në kompani që, nga ana tjetër, blejnë produktet e saj, tani përballet me një shqyrtim të ri pa Huang-un në skenë – figurën e fuqishme që drejtoi kaq shumë prej këtyre marrëveshjeve.

Një pyetje qendrore që mbetet është nëse Huang e gënjeu bordin e Nvidia-s dhe investitorët e kompanisë. Disa tashmë mendojnë se po. Një padi e aksionerëve e ngritur të hënën pretendonte se Huang gënjeu kur u pyet rreth lidhjes së tij me Alice Huang.

Ish-drejtori ekzekutiv mund të përballet me pasoja edhe nga drejtime të tjera. Edhe Kongresi kërkon përgjigje dhe është i përgatitur t’i dërgojë një fletëthirrje të detyrueshme Jensen Huang-ut nëse ai nuk dëshmon vullnetarisht, – tha kreu i Komitetit Bankar të Senatit.


Video