
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet për çështjen penale ndaj Belinda Ballukut dhe ditën e sotme do të dërgojë në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) kërkesën për gjykimin e saj.
Lajmi u bë i ditur nga kreu i SPAK, Klodian Braho, i cili njoftoi se në hetimin e kësaj çështjeje janë angazhuar dy prokurorë dhe 10 hetues.
“Ju njoftojmë përfundimin e hetimeve të çështjes penale për Belinda Ballukun. Sot çështja dërgohet në gjykatë. Janë angazhuar dy prokurorë dhe 10 hetues. I falënderoj për punën dhe profesionalizmin që kanë treguar”, deklaroi Braho.
Ndërkohë, prokurori i SPAK, Dritan Prençi, bëri të ditur se hetimet lidhen me dyshimet për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion dhe fshehje pasurie.
Gjatë hetimeve janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 1.8 milionë euro.
Prokurori Prençi bëri të ditur se hetimet, së bashku me prokuroren Dorina Bejko, janë përqendruar në dhjetë procedura, mes të cilave ato për Tunelin e Llogarasë, lotet e Unazës së Madhe dhe procedurën e prokurimit për Albcontrol.
Duke u ndalur te procedura me fond limit rreth 18 miliardë lekë, Prençi deklaroi se e pandehura Belinda Balluku, në cilësinë e ish-ministres, megjithëse kompetencat kishin kaluar te struktura të tjera, kishte vijuar të ndiqte dhe orientonte procedurat.
“Qëllimi ka qenë paracaktimi i kompanisë ‘Intecar SRL’”, deklaroi prokurori, duke iu referuar dyshimeve të ngritura nga hetimi.
Sipas Prençit, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Gentian Gjylit, Mirzeta Kashnica dhe Evis Berberi, kanë shpallur fituesit, ndërsa e pandehura Viola Haxhiademi, në cilësinë e personit përgjegjës, ka miratuar preventivin me çmime të fryra, në kundërshtim me vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave dhe rregullat për analizat teknike.
“Nga provat e administruara ka rezultuar se fondi limit është përllogaritur gabim me rreth dy miliardë lekë”, u shpreh Prençi.
Ai shtoi se edhe në lidhje me procedurën për projektin janë konstatuar veprime të kundërligjshme, ndërsa sipas hetimeve, Viola Haxhiademi dhe persona të tjerë në BKH kanë vepruar në kundërshtim me preventivin e rishikuar.
“Në këtë kuptim, i është shkaktuar dëm shtetit në shumën rreth 5 miliardë lekë”, deklaroi prokurori Prençi.
Me dërgimin e kërkesës në GJKKO, pritet që gjykata të shqyrtojë çështjen dhe të vendosë për kalimin e saj në gjykim.