
Ilirjana Kuçana ka dalë në një prononcim për mediat pas përfundimit të seancës së parë gjyqësore për kallëzimin për shpifje që ka depozituar ndaj deputetit socialist Taulant Balla dhe televizionit ABC News.
Kuçana pretendon se Balla, në bashkëpunim me ABC News, kanë fabrikuar lajme të pavërteta në emrin e saj, duke pretenduar se ajo mbante në çantë bombula gazi dhe bomba Molotov.
“Taulant Balla, në bashkëpunim me ABC News, kanë fabrikuar lajme të pavërteta në emrin tim, duke thënë se Ilirjana Kuçana mban në çantën e saj bombula gazi dhe molotov. Nuk i kam parë asnjëherë në jetën time”, deklaroi Kuçana pas seancës.
Gjatë prononcimit, ajo lëshoi akuza edhe ndaj kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Taulant Balla, duke pretenduar se ky i fundit po përdoret për të sulmuar opozitën.
“I them Edi Ramës se edhe Taulanti do të vijë në SPAK. Në mes të rolit të Erion Veliajt dhe rolit të Ballës, Taulant Balla ka zgjedhur të bëjë rolin e zagarit të Edi Ramës. Ka zgjedhur të bëjë Nestin për të shpifur kundër opozitës”, u shpreh ajo.
Kuçana iu drejtua gjithashtu Ballës me pyetjen se sa deputetë merr me mbështetjen e Suel Çelës, ndërsa përmendi edhe emrin e Sara Milës, duke pretenduar se gjatë pyetjeve të saj është ngritur edhe çështja e emrit të deputetit socialist.
"I them Taulantit, sa deputet merr pa Suelin? Pyete dhe Sara Milën çfarë pyetjesh i kanë bërë mbi emrin tuaj"
Në përfundim, Kuçana deklaroi se do të vijojë të kërkojë përgjegjësi për atë që i cilësoi si shpifje dhe sulme ndaj saj dhe opozitës.
“Ky është vendi juaj ku do të jepni llogari. Unë jam pedagoge, shpërndaj dije, ndryshe nga ju që merreni me banda dhe korrupsion”, deklaroi ajo.
Seanca e radhës gjyqësore është caktuar të zhvillohet më datë 27, në orën 10:00.