
Pas takimit me ambasadorët, bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi kanë thirrur mbledhjen e radhës për ditën e nesërme, në orën 12:30.
Mbledhja pritet të zhvillohet në një moment kur puna e komisionit është përballur me ngërç, pas kundërshtive të Partisë Demokratike në mbledhjen e fundit.
Kujtojmë që kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, u takua sot me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, për të diskutuar hapat e nevojshëm për reformën zgjedhore përpara zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027.
Duke pasur parasysh që mandati i Komisionit përfundon më 30 nëntor, Tarran theksoi se është e rëndësishme të bëhet "progres me përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, në kohën e duhur, në mënyrë përfshirëse dhe ndërpartiake".
“Një progres i tillë është thelbësor për të rritur besimin e publikut në proceset zgjedhore. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbetet e përkushtuar për të mbështetur dialogun politik konstruktiv dhe një proces gjithëpërfshirës të reformës zgjedhore”, ka thënë ai, shkruhet në njoftimin e publikuar në faqen e OSBE në Shqipëri.