Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore, një institucion i ngritur për të menaxhuar disa shërbime në shëndetësi, pas përfundimit të koncesioneve, ka pranuar hapur se me hemodializën do të vidhej hapur. Ndryshimi i ministres dhe më pas i OSHISH ka sjellë reduktimin e tenderëve nga 50 milionë euro në vetëm 4 milionë euro.
Dyshimet janë se, tenderi i mëparshëm i majmë ka qenë një aferë e madhe që po gatuhej në këto institucionet tona, ku paratë do të kanalizoheshin sërish te e njëjta firmë që kishte më parë koncesionin. Bëhet fjalë për Diaverum, një firmë e regjistruar në Suedi, ku dyshohet se pas saj qëndronte biznesmeni Klodjan Allajbeu, që drejton Spitalin Amerikan në Shqipëri.
Sipas dokumenteve që ka hulumtuar Vox News, OSHISH ka hapur disa procedura për hemodializën. Tenderi i parë është “blerje materialesh mjekësore dhe set për procesin e hemodializës, e ndarë në lote”.
Vlera është 345 milionë lekë, ndërkohë që kërkohen materiale mjekësore konsumi jo kimike dhe hematologjike. Gjithashtu kërkohen materiale mjekësore të konsumueshme.
Procedura e dytë është “blerje barnash për procesin e hemodializës e ndarë në lote”. Fondi limit është 18.9 milionë lekë. Nëse do të mbledhim këto shuma, vlera shkon në plot 4 milionë euro. Në tenderin e dytë kërkohen produkte mjekësore për çrregullime funksionale gastrointestinale, antidiarretikë, agjentë anti-inflamatore / anti-infektive intestinale.
Gjithashtu kërkohen integrator mineralë, zëvendësues të gjakut dhe solucione perfuzioni si dhe produkte mjekësore për traktin ushqimor dhe metabolizmin.
Disa ditë më parë, i njëjti operator që shpalli tenderat e fundit, anuloi tenderin e majmë për ofrimin e shërbimit të hemodializës në 5 (pesë) qendra të hemodializës, të ngritura në spitalet Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan, Marrëveshje Kuadër 48 muaj.
Vlera e tenderit ishte 4,591,430,480 lekë, ose rreth 50 milionë euro. Fillimisht u shpall fituese, kompania Diaverum, ndërsa më pas OSHISH e anuloi me arsyetimin se “në procedurat me një fazë nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme dhe konstaton se dokumentet e tenderit përmbajnë gabime ose mangësi të rëndësishme”.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016