
Valë shkarkimesh në Bashkinë e Tiranës. I pari që është prekur nga furtuna është Rigers Sheqeri, kryeinspektori i IMT-së, zyrtari që u shfaq me një shkop në dorë në hyrje të selisë së Partisë Socialiste dhe u përplas me protestuesit. Sheqeri është shkarkuar me firmën e Erion Veliajt.
I njëjti nga qelia e burgut ka firmosur shkarkimin e Zhaneta Beqirit, drejtoreshë e Përgjithshme e Kopshteve dhe Çerdheve, është shkarkuar me motivacionin për shkelje të rënda dhe dëm ekonomiko-financiar i konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Elona Lalaj, drejtoreshë e Policisë Bashkiake, ende nuk është larguar, për shkak të procedurave ligjore, por Veliaj e ka në listën e atyre që do ta largojë nga Bashkia, me pretendimin se ka vendosur gjoba të pajustifikuara dhe në shkelje të ligjit ndaj qytetarëve.
Lidhur me këtë të fundit, pati dhe një reagim nga kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë për Tiranën, i cili tha se Veliaj e hoqi nga puna, se nuk i bënte like dhe share postimeve të Kryebashkiakut.
Kjo valë largimesh vjen në kohën kur kryebashkiaku Erion Veliaj që mbahet në burgun e Fierit pretendon se është kërcënuar nga kryeministri Edi Rama përmes ministrit të Drejtësisë Toni Gogu.
Lufta Rama – Veliaj sa vjen e thellohet dhe një prej të ndëshkuarve është Plarent Ndreca, avokat i kryebashkiakut që u përjashtua nga radhët e Partisë Socialiste./VNA.al