Bashkia e Tiranës ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e PS të Tiranës, duke e akuzuar për ndërhyrje politike në kompetencat dhe vendimmarrjen e institucionit, si dhe për presion ndaj drejtuesve të administratës bashkiake.
Në një reagim për mediat, Bashkia thekson se nuk është institucion në varësi personale të Kryeministrit dhe se autonomia e saj garantohet nga neni 13 i Kushtetutës dhe ligji për vetëqeverisjen vendore.
Institucioni nënvizon se emërimet dhe shkarkimet në administratën bashkiake janë kompetencë që ushtrohet në përputhje me ligjin dhe jo sipas preferencave personale apo kërkesave politike.
Bashkia i kërkon kryeministrit Rama të “ndërpresë çdo ndërhyrje politike në vendimmarrjen e saj dhe të respektojë rendin kushtetues”.
Deklarata e Bashkisë së Tiranës:
Bashkia Tiranë dënon ndërhyrjet politike të Kryeministrit Edi Rama në kompetencat dhe vendimmarrjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Tiranë, si dhe presionin e ushtruar publikisht ndaj drejtuesve të administratës bashkiake.
Bashkia Tiranë nuk është institucion në varësi personale të Kryeministrit. Autonomia e saj garantohet nga neni 13 i Kushtetutës dhe ligji nr. 139/2015.
Emërimet dhe shkarkimet në administratën bashkiake janë kompetenca që ushtrohen sipas ligjit, jo sipas preferencave personale.
Deklaratat dhe presionet e fundit janë vijim i një qëndrimi që ngre shqetësime serioz se masa e sigurimit personal ndaj kryetarit të zgjedhur po shfrytëzohet për të neutralizuar autoritetin e tij institucional dhe për të imponuar kontroll politik mbi Bashkinë Tiranë.
Asnjë qëndrim politik nuk mund të justifikojë cenimin e autonomisë vendore dhe të vullnetit të qytetarëve të Tiranës.
Bashkia Tiranë kërkon ndërprerjen e çdo ndërhyrjeje politike në vendimmarrjen e saj dhe respektimin e plotë të rendit kushtetues.
Bashkia Tiranë u përket qytetarëve të saj, jo preferencave personale të Kryeministrit dhe do i shërbejë deri në fundit zgjedhësve të saj.