Në Tiranë u zhvillua të premten Forumi i Parë Mediatik Shqipëri–Kinë, një platformë për dialogun, shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin ndërmjet organizatave mediatike të dy vendeve.
Forumi u organizua nga Ambasada e Kinës në Shqipëri dhe agjencia kineze e lajmeve “Xinhua”, në bashkëpunim me “Argumentum.al”.
Në veprimtari morën pjesë ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, zëvendësambasadori Huang Xuehu, si dhe përfaqësues të mediave shqiptare, ndër të cilët drejtorja e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), Valbona Zhupa; kryeredaktori i “Albanian Daily News”, Alqi Koçiko; drejtori i informacionit në “Top Channel”, Robert Rakipllari; kryeredaktori i lajmeve në “MCN TV”, Leonard Mitro; si dhe gazetarë nga “Vizion Plus”, “Scan TV”, “RTSH” dhe “Balkanweb”. Në forum ishin të pranishëm gjithashtu përfaqësues të dy organizatave të mëdha mediatike kineze, agjencisë “Xinhua” dhe Grupit Mediatik të Kinës (CMG).
Marjana Doda, kryeredaktore e “Argumentum.al”, theksoi se, si forumi i parë mediatik i këtij formati ndërmjet Shqipërisë dhe Kinës, takimi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së komunikimit të drejtpërdrejtë, forcimit të marrëdhënieve profesionale dhe hapjes së mundësive të reja për bashkëpunim ndërmjet organizatave mediatike të të dy vendeve.
“E vlerësoj shumë këtë mundësi për të bashkuar profesionistë të medias nga Shqipëria dhe Kina për të shkëmbyer përvoja, për të ndarë perspektiva dhe për të eksploruar mundësitë për bashkëpunim në të ardhmen. Sot, lidhjet më të forta midis organizatave tona mediatike mund t'i shtojnë një dimension të ri të vlefshëm kësaj marrëdhënieje. Përmes shkëmbimeve profesionale, iniciativave të përbashkëta dhe ndarjes së njohurive, media mund të kontribuojë në afrimin e dy vendeve dhe popujve tanë”, tha Doda.
Ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, theksoi se forumi synon jo vetëm forcimin e komunikimit ndërmjet organizatave mediatike, por edhe eksplorimin e mënyrave se si ato mund të bashkëpunojnë për të çuar përpara miqësinë ndërmjet popullit kinez dhe atij shqiptar.
“Media është ura që lidh dy vendet dhe dy popujt tanë. Është e nevojshme të tregohen më shumë histori rreth miqësisë Kinë–Shqipëri, të zhvillohet një dialog më i drejtpërdrejtë midis organizatave mediatike dhe të ofrohen raportime objektive dhe të balancuara”, deklaroi ambasadorja Pang.
Ajo nënvizoi se Ambasada kineze në Shqipëri do të vijojë komunikimin e ngushtë me përfaqësuesit e mediave shqiptare dhe do të mbështesë shkëmbimet e drejtpërdrejta ndërmjet organizatave mediatike të të dy vendeve.
“Shpresojmë që mbulimi mediatik i vendit të njëri-tjetrit të jetë sa më i balancuar dhe objektiv që të jetë e mundur, në mënyrë që të thellohet mirëkuptimi i ndërsjellë midis dy popujve”, tha ambasadorja Pang.
Përfaqësuesi i agjencisë zyrtare kineze të lajmeve “Xinhua”, Chen Gang, prezantoi veprimtarinë dhe zhvillimin e agjencisë ndër vite. Ai u ndal te mundësitë që ofron përmbajtja informative dhe fotografike e prodhuar çdo ditë nga “Xinhua” për pasqyrimin e zhvillimeve në Kinë në mediat shqiptare, duke i ftuar këto të fundit të eksplorojnë mundësi konkrete bashkëpunimi.
Ndërsa Yang Mingjiao, gazetar i “CGTN”-së me qendër në Athinë, prezantoi platformat mediatike të këtij grupi, përdorimin e inteligjencës artificiale në proceset mediatike, si dhe transmetimet në gjuhën shqipe përmes “CGTN Shqip”. Ai evidentoi mundësitë e bashkëpunimit me mediat shqiptare përmes shkëmbimit të përvojave, gazetarëve dhe programeve.
Alqi Koçiko, kryeredaktor i “Albanian Daily News”, trajtoi perceptimin e Kinës në mediat shqiptare, duke u ndalur te zhvillimi ekonomik, teknologjik dhe përparimi në fushën e inteligjencës artificiale. Ai theksoi se gazeta që drejton pasqyron në mënyrë të balancuar zhvillimet në Kinë, ndërsa vlerësoi se ekziston një potencial i konsiderueshëm për t'u shfrytëzuar në bashkëpunimin mediatik Shqipëri–Kinë.
Robert Rakipllari, drejtor i informacionit në “Top Channel”, ndau përvojën e tij gjatë vizitës në Kinë, duke u ndalur veçanërisht te përdorimi i inteligjencës artificiale në sektorin mediatik. Sipas tij, kjo përvojë përbënte një mundësi të rëndësishme njohjeje jo vetëm për mediat shqiptare, por edhe për përfaqësuesit e mediave perëndimore që morën pjesë në të.
Leonard Mitro, kryeredaktor i lajmeve në “MCN TV”, solli këndvështrimin e tij mbi historikun e bashkëpunimit mediatik ndërmjet Shqipërisë dhe Kinës dhe perspektivat për zhvillimin e partneriteteve të reja profesionale.
Duke iu referuar historikut të marrëdhënieve mes dy vendeve, ai kujtoi rolin që media ka luajtur ndër vite në njohjen e ndërsjellë, duke përmendur krijimin e Shërbimit Shqip të Radio Ndërkombëtare të Kinës në vitin 1969 dhe zhvillimin e mëvonshëm të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve mediatike.
Një vëmendje të veçantë Mitro i kushtoi perspektivave të bashkëpunimit në fushën e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, përkthimit automatik, gazetarisë digjitale dhe verifikimit të informacionit.
Gazetari Borjon Borakaj nga “Vizion Plus” ndau përvojën e tij gjatë internship-it në “CGTN”, ku u njoh nga afër me zhvillimin e Kinës, teknologjinë dhe sektorin mediatik. Ai theksoi nevojën për shkëmbime më të shpeshta ndërmjet mediave të të dy vendeve, veçanërisht në nivelin e gazetarëve, duke vlerësuar gazetarinë si një instrument të rëndësishëm për njohjen e ndërsjellë të vendeve dhe shoqërive.
Në përfundim, Forumi i Parë Mediatik Shqipëri–Kinë vuri në pah rëndësinë e dialogut dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet mediave të të dy vendeve, si dhe mundësitë për zhvillimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
Pjesëmarrësit shprehën interes për iniciativa të përbashkëta, shkëmbime gazetarësh dhe programesh, me synimin për të nxitur njohjen e ndërsjellë dhe një pasqyrim më objektiv e të balancuar të të dy vendeve në media. Forumi shënon një hap të parë drejt ndërtimit të urave të reja të komunikimit dhe partneritetit mediatik Shqipëri–Kinë.