
SHKODËR – Të tronditur dhe të zemëruar nga rezultati befasues në garën për Bashkinë e Shkodrës, socialistët lokalë deklarojnë se nuk kanë për t’u pajtuar kurrsesi me këtë fitore të çuditshme, pohojnë burimet për Patronazhistin.
Të parët që kanë reaguar kanë qenë vetë patronazhistët, mëson Patronazhisti. Kështu, si patronazhistët urbanë në qytetin e Shkodrës, ashtu edhe ata ruralë, janë mbledhur bashkë një ditë pas zgjedhjeve, për të krahasuar listat e secilit dhe për të bërë mbledhje-zbritjet dhe shumëzim-pjesëtimet e rastit. Në konkluzion llogaritë nuk dilnin.
“Nuk ka mundësi që të kemi marrë kaq vota në gjithë bashkinë. Ne madje kemi kërkuar edhe ndihmën e listaxhinjve rivalë demokratë për të krahasuar të dhënat, dhe jemi të bindur se diçka është bërë gabim,” deklaruan patronazhistët shkodranë.
***
I dyti që ka ngritur zërin ishte vetë kandidati fitues, Benet Beci. “Ne kemi humbur mor zotëri, dhe të jeni të bindur se do kërkojmë rinumërim. Nuk do ta lëmë me kaq, këtu diçka luan,” deklaroi Beci, teksa konfirmoi se ai e dënon me të gjitha forcat fitoren e vet dhe do të depozitojë një padi pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
“Do ta çojmë çështjen deri lart. Edhe në Strasburg po të jetë nevoja,” tha Beci, duke u parashtruar reporterëve gjithë arsyetimin pse ai nuk mund të pajtohet me fitoren:
“Tani, të flasim hapur. Shikomëni mua: A ju dukem si një figurë solide politike që mund ta kenë votuar masivisht shkodranët? Unë maksimumi ngjaj si përgjegjës i Postë-Telegrafës mor zotëri, ç’ne të bëhem unë beledije-reiz i Shkodrës. Pastaj, aman më qafshi, a më keni dëgjuar si flas? Nuk kam asnjë shenjë nga ai dialekt fantastik dhe i pagabueshëm, që është vula e identitetit shkodran. Gjithë këto vite, kur kam folur me njerëzit që më lidhte puna, ose më thoshin ‘mos je nga Durrësi,’ ose, ‘me siguri jeni elbasanas’. Kur i siguroja se isha nga Shkodra, ja fusnin të qeshurës dhe iknin të gajasur. Ndaj, më thoni ju mua: Nga dolën gjithë këto vota mor aman!”
Beci deklaroi se është e qartë që mandati i vërtetë i kryebashkiakut të Shkodrës u takon demokratëve, ndaj ai do t’u shtrijë dorën e bashkëpunimit të gjithë atyre demokratëve të moderuar që e kuptojnë se kurrsesi nuk ka mundësi që socialistët të fitojnë në Shkodër.
“Le t’i tejkalojmë dasitë e vjetra, dhe të bashkohemi për të kërkuar rinumërim të votave. E po u desh, edhe zgjedhje të reja për Shkodrën,” deklaroi Beci.
***
Për ta pyetur për këtë çështje, Patronazhisti bëri të pamundurën për të kontaktuar me të deleguarën e Komitetit Central të PS për Shkodrën, Episa Spirodhalla. Por burimet konfirmuan se që nga mbrëmja e 14 majit, Episa kishte nisur vallen nën tingujt e këngës së famshme shkodrane “Moj Episë, moj bukuri,” dhe që atëherë nuk ishte ndalur.
Vini Re: Patronazhisti është një rubrikë satirike paleo-shkodrane