
DASHI – Do marrësh një haber të mirë nga qeveria këtë muaj. Kryeministri Edi Rama do të të njoftojë se papunësia në vend është zhdukur 100%, ashtu si dikur shoku Enver zhduku malarjen. Kjo për arsyen e thjeshtë se të gjithë të papunët kanë ikur në Gjermani për të filluar punë. Mes tyre edhe ti.
DEMI – Vjen një ditë që këshillat e më të moshuarve hyjnë në punë. Tani e kupton që gjyshja jote kishte të drejtë kur të thoshte që të mos blesh asnjëherë çarçafë tekë dhe të shkurtër. Ndryshe si do arrije t’i lidhje njëri me tjetrin, t’i fiksoje te kangjellat e dritares dhe të arratiseshe nga qelia e burgut?
BINJAKËT – Ai do të hyjë në jetën tënde këtë muaj si një fllad i freskët që do të të shkundë nga rutina, limontia, zhgënjimi dhe rrotacioni 30 vjeçar i të njëjtave surrate të politikës, duke të dhënë shpresë se diçka po ndryshon në këtë vend. Fryma e re në këtë vend të bekuar quhet Berisha. Sali Berisha.
GAFORRJA – Mos u mërzit fare, përkundrazi merre me sportivitet nëse dikush këtë muaj të mallkon duke të thënë, fjala vjen, “Hëngsh këmbët e tua e mos u ngopsh, jarebi”. Ai dikush nuk e di shenjën tënde të horoskopit dhe s’ja ka idenë se këmbët e gaforres janë shumë të shijshme.
LUANI – Yjet të paralajmërojnë se së shpejti do të të mbulojë një ndjenjë turpi. Pasi do dëgjosh se shumë biznesmenë janë gati të japin 100 mijë Euro për dasmën e Luizit, 200 mijë euro për shtëpinë e re të Luizit, dhe 50 mijë euro për pushimet e Luizit, edhe ti do kontribuosh me 10 mijë lekë të vjetra nga pensioni, për të ndihmuar sadopak idhullin tënd.
VIRGJËRESHA – Ke marrë vesin e keq që për të harruar hallet dhe problemet që sjell e përditshmja, çdo darkë hedh nga një dopio raki tek lokali i lagjes. Por problemet e reja nuk zgjidhen me metoda të vjetra. Prandaj ndrysho stil dhe provoje njëherë me dy dopio.
PESHORJA – Edhe pse Mërkuri do të bjerë rrezikshëm nën ndikimin e Afërditës këtë muaj, ti mos e rruaj hiç. Këto janë thjesht llogje horoskopesh dhe planetet në fjalë do të rrijnë aty ku janë. Pra nuk ka asnjë rrezik përplasjeje.
AKREPI – Je përpjekur shumë, ndonjëherë dhe je dëshpëruar, por mos kujto se veprimet e tua nuk kanë rënë në sy dhe nuk janë mbajtur shënim nga dikush. Prandaj përgatitu një nga këto ditë të të marrin të pandehur për abuzim me fondet publike.
SHIGJETARI – Jepi Cezarit atë që është e Cezarit. Po ashtu jepi dhe kunatit të Cezarit – komshiut tënd - tre vëllezërve të tij dhe fëmijëve të tyre, të gjitha ato që u ke vjedhur nga janari e këtej. Për të mirën tënde e kam. Sepse po e morën vesh që hajduti ishe ti, gjej vrimë ku të futesh pastaj…
BRICJAPI – Lajmi se Mona ka marrë para nga kompani të dyshimta ruse do të të zërë komplet pa mendje. Por pastaj do ta kuptosh se gjithçka është ekzagjerim i mediave. Ajo thjesht ka marrë përqindje të vogla interesash, nga floriri i vjedhur që ka investuar Lilua këtu e 20 vjet më parë.
UJORI – Me siguri që ta kanë thënë dhe të tjerë, por mbaje mend këtë: Konsumimi i drogave nuk është mënyra e duhur për t’u dukur njeri i modës dhe i suksesshëm në shoqëri. Shitja e tyre, po.
PESHQIT – Lulzim Basha do të hyjë në jetën tuaj këtë muaj… Hahaha. U trembe ëëë? Ishte shaka. Harroje Lulin. Tani në jetën tuaj do të hyjë Belindi, që është 35 vjeç, ngjan si 55 dhe ka fizikun e një 65 vjeçari. Dhe që thotë se do punojë ditë-natë për Tiranën.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike horoskopike shkencore