EKSKLUZIVE / Policia e Shtetit u bën thirrje institucioneve përkatëse të zbardhin sa më shpejt ngjarjen e Top Channel!

28 Mars 2023, 19:59Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë premton se kur të vijnë ata në pushtet, kriminelët do zhduken nga sytë-këmbët

TIRANË – Të shtënat kriminale me kallashnikov ndaj godinës së Top Channel, nga të cilat mbeti i vrarë roja i natës, janë dënuar nga i madh e i vogël. Si rrallëherë edhe mediat e tjera u solidarizuan me TCH dhe u bënë thirrje autoriteteve të zbardhin ngjarjen sa më shpejt.

E ngritën zërin edhe diplomatët e huaj, përfaqësues të ambasadave më të rëndësishme në Tiranë, si dhe drejtuesit e zyrave të organizatave ndërkombëtare si OSBE, UNDP, UNICEF, UNESCO, AZHBR, AKBN, NSHRRAK dhe shumë iniciale të tjera me peshë.

I prerë ishte në reagimin e tij edhe Presidenti i Republikës Barjam Begu, i cili kërkoi çuarjen sa më shpejt para drejtësisë të autorëve. Nga ana e tij, kryeministri Redi Ama e quajti ngjarjen “një agresion kriminal për të cilin instancat përkatëse duhet të veprojnë sa më parë”.   

Nuk mbeti pas as ministri i Brendshëm Bledi Çuçja, që ngushëlloi familjen e të ndjerit dhe shprehu solidaritet maksimal me Topin.

Por reagimi më i fuqishëm erdhi nga Policia e Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm Rrumbullak Strumbullaku përmes një deklarate për shtyp, dënoi ashpër sulmin dhe u bëri thirrje autoriteteve përkatëse të mobilizohen sa më parë, të aktivizojnë të gjitha burimet dhe të vënë para drejtësisë autorët, ose këdo që dyshohet se mund të ketë marrë pjesë në sulm, ose që nuk ka alibi se ku ka qenë në orën 1 pas mesnatës së të hënës, ose të gjithë ata që kanë folur keq për Luizin.

Patronazhisti ka në dorë deklaratën e plotë të policisë, e cila nxjerr në pah disa difekte të rënda të autoriteteve ligjzbatuese.

Për shembull, deklarata e zotit Strumbullaku zbulon se:

“Mjeti Range Rover që i ishte vjedhur një shtetasi kosovar gjatë pushimeve në Tale, një vit më parë, është përdorur për këtë krim të shëmtuar. Nëse instancat përkatëse do kishin vepruar që atëherë, jo vetëm që makina e vjedhur do t’i ishte kthyer të zotit - ose të paktën do ishin kapur autorët – por me gjasë edhe ky krim mund të ishte ndaluar”.

“Çudi me këta vëllezërit tanë të Kosovës,” vijon deklarata, “vijnë të shpenzojnë për pushime në Shqipëri, ua fusim me çmime sa mundemi, u vjedhim edhe makinat, dhe prapë se prapë kthehen vitin tjetër. Mirë t’u bëhet”.

Në vijim, Policia e Shtetit vuri në dukje se nëse autoritetet përkatëse do kishin bërë maksimumin, të paktën autorët do ishin ndjekur dhe kapur pas sulmit makabër, pa mundur të digjnin makinën dhe gjurmët. “Por nuk ke ç’i bën,” thotë deklarata, “ky vend është i mallkuar, këta njerëz nuk bëhen. Ky popull është mësuar të rrijë si dele dhe të mos reagojë as para fatkeqësive të tilla. Ata që vendosin të reagojnë, zgjedhin të largohen nga sytë-këmbët dhe të shohin mirëqenien e tyre dhe të familjes”.

Drejtori Strumbullaku dha edhe një statistikë alarmante: “Vetëm nga rradhët e Policisë së Shtetit, 3-4 mijë punonjës janë larguar për t’u punësuar në Gjermani. Po kështu, në Gjermani ose vendet Skandinave janë larguar treçereku i prokurorëve dhe gjysma e ministrave”.

Në fund, Policia e Shtetit iu bashkua mesazhit të presidentit, kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, se janë pesimistë se ky krim do të zbardhet. “Vetëm kur të vijmë ne në pushtet, kriminelët do të vendosen para drejtësisë,” thanë ata njëzëri.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-kallash 

Video