RENDI PUBLIK / Policia sekuestron 10 mbiemra në Rinas, i zoti arrin të largohet

10 Shkurt 2023, 17:09Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Nje qen i specializuar per nuhatje mbiemrash me emrin Daku (Xhefri) ne krye te detyres ne Rinas

TIRANË – Në vitet e fundit, raportimet e kronikës së zezë janë mbushur me lajme aksionesh të Policisë së Shtetit, e cila ka arritur të ndalojë dhe arrestojë personazhe të akuzuar apo edhe të dënuar në mungesë për krime e trafiqe nga më të larmishmet, të cilët figuronin me disa emra e mbiemra për t’i shpëtuar ligjit. Në shumë raste, të gjithë gjeneralitetet ishin legale, me pasaporta të lëshuara nga autoritetet.

Patronazhisti ka raportuar për raste arrestimesh në flagrancë, të individëve me rekorde kriminale që u janë gjetur nga tre e katër mbiemra, pesë a më shumë emra, e të gjitha këto, për pasojë kanë gjeneruar një pafundësi vëllezërish e motrash, bashkëshortesh, kunatash e baxhanakësh.

***

Pas këtij parashtrimi, bëhet shumë më interesant lajmi i orës së fundit, se policia e shtetit ka arritur të sekuestrojë në aeroportin e Rinasit plot 10 mbiemra, që po bëheshin gati për të dalë nga territori i Republikës. Por duket se, njësoj si me aksionet e hashashit, armëve apo kokainës, operacioni model është dekonspiruar dhe i zoti i mbiemrave ka arritur të largohet në kohë.

Sipas oficerit të policisë Ahmet (Kiço) Tërshëra (Kacagjeli), i cili posedon edhe leje qëndrimi të rregullt italiane ku figuron si Antonio Rossi, “sapo grupi operacional rrethoi dhe u komunikoi ndalimin 10 mbiemrave, një person nga fundi i sallës, duke iu shmangur kamerave nisi të lëvizë ngadalë drejt daljes, gjasme po shoqëronte një të moshuar që sapo kishte zbritur nga avioni. Ishte i zoti, dreqi. Bile unë thashë me vete, sa çun i sjellshëm, më kujtoi veten kur isha i ri në Greqi. Atje quhesha Aristidhis Kristidhis, se u pagëzova. Edhe unë kështu i ndihmoja të moshuarit, kudo ku i gjeja. Madje kur nuk gjeja, u trokisja të shtëpi në mes të natës, dhe u thosha, erdha t’ju ndihmoj. Përfundimisht, na iku zavalli”.

***

Policia e Shtetit njofton ndërkaq se pronari i arratisur i 10 mbiemrave është shpallur në kërkim. Ajo kërkon edhe ndihmën e qytetarëve për të dhënë informacione të vyera që do çonin në arrestimin e 10-mbiemërshit. Ka vetëm një problem: pas sekuestrimeve në Rinas, i kërkuari ka mbetur pa asnjë mbiemër ndërsa një foto-portret i tij daton nga klasa e gjashtë fillore, kur është ndaluar për herë të parë për vjedhjen e regjistrit të shkollës.

Megjithatë, policia ka mundur të sigurojë një emër, i cili me gjasë mund të shërbejë si indicie e fortë për të kapur kriminelin.

“Të dhënat tona thonë se në vitin 2003, në lagje atë e thërrisnin Çimi. Ose Tiku. Madje, Luçi në mos gaboj. Për cilën lagje e kemi fjalën, në çfarë qyteti? Aaa, për këtë jemi duke hetuar”, njoftoi mediat oficeri i policisë Ahmet (Kiço) Tërshëra (Kacagjeli), që në Itali njihet si Antonio Rossi dhe në Greqi si Aristidhis Kristidhis.  

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike identitare      

Video