INVESTIGIMI / Zbulohet se Shqipëria është shitur në ajër që në 1990-ën!

29 Dhjetor 2022, 22:29Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pamje ajrore e stadiumit 'Ajri i Shqipërisë'

TIRANË / BAJRAM CURRI etj – Ajo që nisi si një investigim gazetaresk i rrjetit të reporterëve “Bir Selman i nënës” mbi shitjet në ajër të apartamenteve ende të pandërtuara dhe hala të paliçensuara pranë portit të ri hipotetik të Durrësit si dhe afër gent-planit teorik të portit të ri të Vlorës, rezultoi një çështje shumë më e thellë dhe e komplikuar.

Hetimi nisi pas raportimeve se kompanitë multimiliardere që do ndërtojnë këto porte, janë duke mbledhur leka nga të gjithë të interesuarit për apartamente buzë detit. Vetë apartamentet ende nuk kanë leje ndërtimi, nuk dihet si dhe ku do ndërtohen, sa metra katrorë do kenë, sa kate do jenë, a do kenë pamje nga uji apo nga mali. Por kompanitë multimiliardere kanë deklaruar:

“Nuk kemi probleme fondesh, thjesht na duhen disa dhjetra milionë euro paradhënie sa të thyejmë dollarët”.

Por pasi shitja e ajrit durrsak e vlonjat ndezi kuriozitetin e gazetarëve, hetimi i thelluar, dokument pas dokumenti, telefonatë pas telefonate, prononcim pas prononcimi, zbuloi të vërtetën e hidhur: Jo Durrësi e Vlora, as Saranda e Himara, as vetëm Shëngjini, Golemi e Ksamili, por gjithë Shqipëria është shitur në ajër. Dhe ankandi ka nisur që në fund të vitit 1990!

***

Reporterët e rrjetit investigativ “Bir Selman i nënës” pohojnë se historia nisi kur vendit të vogël buzë Adriatikut – dhe pak Jonit – në dhjetor të 1990-ës i skadoi statusi i Kalasë së Pamposhtur. Kalaja, që s’ishte as kala, e as e pamposhtur, por thjesht askush nuk kishte nge të merrej me të në 40 vitet e fundit, doli në ankand. Ankandi ishte i parregullt, thonë reporterët, pasi njoftimi “Shqipëria në shitje, nxitoni-nxitoni; 10 telefonatat e para marrin dhuratë edhe një dyshek ortopedik” nuk ishte botuar në tre media kryesore kombëtare, siç thotë ligji.

Megjithatë, juria e tenderit ja dha avantazhin ofertuesit të parë, një doktori që kishte emigruar nga Bajram Curri në Tiranë për një jetë më fushore. Sot historia thotë se Doktori që zbriti në fushë, ua bëri jetën malore shumicës së shqiptarëve, por asokohe askush nuk e dinte tenderin e fshehtë.

Doktori shpërndau toka, troje, fabrika, miniera, preu e dogji pemë e vreshta si në mallin e babës. Ndërkohë duhet theksuar se kullën e babës nuk lejoi njeri t’ja prekte, dhe e ka sot e kësaj dite. I ka futur dhe kabëll interneti.

Ndër asetet e para që filluan të shiten në ajër, ishin përqindjet e fitimit nga depozitimi i parave në ca si banka, që s’ishin banka. Pronarët e tyre deklaruan se kishin fituar trashëgimi nga gjyshërit në Florida, ndaj u leu në zemër të ndanin pasurinë e tyre me popullin e varfër. Doktori as që u lodh të verifikonte nëse trashëgimia ishte e vërtetë, apo bankierët pocaqi që akoma qelbeshin era fërnet dhe cigare Partizani po bënin ndonjë proçkë.

Skema po ecte shumë mirë. Njerëzia u ngopën me ajrin e përqindjeve dhe lëvdonin Doktorin. Kishte vetëm një problem: Përqindjet ata i kishin në mendje dhe në zemër, por paratë që duhet të depozitonin në gjasme-bankat duhet të ishin pe vërteti. Ndaj shitën shtëpira, toka, dyqane, u bënë thirrje bijve emigrantë të sillnin sa më shumë para, që të fitonin sa më shumë përqindje… dhe pastaj mbetën me gisht në gojë, në rastin më të mirë.

Në të vërtetë Doktori u tregua burrë, ishte i sinqertë deri në fund: Unë ju thashë – u deklaroi shqiptarëve – se po shisja ajër, dhe ju ajër bletë; pse më bini në qafë?  

***

Shitja e Shqipërisë në ajër vijoi mbi dhe nën tokë. Se ajri i nëntokës është ca i rëndë, por mban thesare në tunelet që ekzistonin që nga koha e Kalasë së Pamposhtur: Dyfeqe, fysheqe, kobure e pisqolla, topa e martallozë, predha e tanqe, ose u shitën, ose u copëtuan për t’u shitur. “Nuk na duhen më”, tha Doktori, “se tani jemi vend paqësor”.

Populli as nuk guxonte të pyeste ku shkonin paratë. Kishte fituar një alergji kronike që nga koha e përqindjeve, dhe i kruhej trupi kur dëgjonte muhabet lekësh. Por ndërkohë, popullit kishte filluar t’i bënte alergji edhe prania e Doktorit: I dukej shumë abrash, i parafinuar, sado që i lexuar - me shumë mbeturina malore në kokë, në sjellje dhe në gjuhë, sado që kishte dekada në fushë. Blinte e shiste si xhambaz, ulërinte, i mungonte klasi, ndërsa njerëzit kishin shëtitur, kishin parë botë në sy, kërkonin dicka më shumë.

Ndaj e hoqën Doktorin dhe votuan ata që një burgaxhi i vjetër me emrin Pjetër, i quajti: “Ju nuk paskeni qenë socialista, por specialista!” Dhe specialistat e treguan veten.

Tani shitja në ajër hyri në një fazë të re, më cilësore. Tani po luhej me banka të huaja, me fshatra turistikë, me telefoni celulare, madje filluan dhe kompjutrat dhe internetrat.

Kishe lezet me specialistat: Flisnin me fjali të gjata, të vështira; pinin xhin me tonik dhe një fetë limoni brenda, përdornin fjalë trullosëse si “e majta progresiste, e ardhmja europiane, rruga e integrimit, eksportojmë siguri, faktor stabiliteti” etj etj. Dhe ndërkohë filluan të shisnin në ajër brigjet, plazhet, qytetet bregdetare. Dhe padyshim, Tiranën, diamantin e kurorës së shitjes ajrore. Këtu, në kryeqytet, u formësua skema siç e njohim sot. Pallatet e reja ishin të shitura ende pa u mbledhur këshilli bashkiak për leje ndërtimi. Apartamentet ishin mobiluar akoma pa u ndërtuar. Dhe përqindjet… ah, përqindjet.

Përqindjexhiu i ri i Tiranës qeshte e tallej me skemën primitive të përqindjeve të dikurshme. “Sa të trashë, o zot, pa pikë estetike paska qenë ai Doktori,” thoshte me vete.

***

Por fati rezervon ironi të çuditshme. Pikërisht Doktori i tallur e i sharë, erdhi prapë në pushtet. Dukej se kishte nxjerrë mësime. Ishte latuar e modernizuar. Rrinte afër të rinjve. Dikush do thoshte se ai nuk kishte asnjë meritë, por i ishin rritur kalamajtë, të cilët e udhëzonin, por edhe i kërkonin gjëra. Nëse ky ishte fat, apo mallkim, do dukej më vonë.

Dhe në fakt, shitja në ajër e Shqipërisë kapi një stad shumë më intelektual. Dolën universitete private, njëri më i vjetër së tjetri. I prisnin diplomat me gërshërë, sepse Doktori kishte vënë kusht që administrata publike të mos pranonte asnjë të pashkolluar. Celularllëku dhe internetllëku mori një hov të ri. Edhe vetë Doktori, që i kishtë zënë bisturia ndryshk si shpatat ilire, mbante tabletë dhe bënte frendsa në fejsbuk. 

Por ja që vesi del me shpirtin. Doktorin dhe familjen e tij, seç e kishte zënë një fiksim me tunelet, armatimet dhe predhat, si herën e parë. Duke qenë mirë e bukur, ai dhe i biri prapë nuk hoqën dorë nga baruti. Dhe u plasi në dorë. Ngjarja ishte tronditëse, por familja e mblodhi shpejt veten, megjithëse nga kjo histori dolën me një kunat mangut.

***

Ish-përqindjexhiu i Tiranës i zuri vendin Doktorit. Ndryshimi cilësor i shitjes së Shqipërisë në ajër duket ashiqare. Siç raportojnë investigatorët e rrjetit “Bir Selman i nënës”, tani shitësit nuk merren më me dava kioskash në parkun Rinia, tunelesh ushtarake e shtëpirash tek e tek. 

Në këtë shkallë të zhvillimit të Kalasë së Pamposhtur, pazari i shitjes në ajër fillon nga tunele autostradash e lart. Ashtu si dikur çdo dy ditë Doktori nxirrte dikë në gazetë të njoftonte përqindjet e reja të parave të pastra të shqiptarëve, sot kryeministri nxjerr Bellën e cila njofton me sa metra kanë përparuar tunelet e rrugëve: Jemi në 30% të punimeve, në 67%, kanë ngelur dhe 500 metra…

Dhe pastaj janë autostradat e reja, portet, aeroportet, madje dhe stadiumet…

Nuk thonë kot, gjuha vete ku dhemb dhëmbi. Si për ilustruar 100% shitjen e Shqipërisë në ajër, sot edhe stadiumi i ri kombëtar quhet AIR ALBANIA…

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-ajrore

Video