
TIRANË / UASHINGTON / OKB – Për Ministren e Jashtme shqiptare Volta Llaçka ishte një teknikalitet i rëndomtë, gati banal i punës së përditshme të saj, momenti kur njoftoi se ambasadorja amerikane në Tiranë shumë shpejt do të largohej dhe se kishte filluar procedura e zëvendësimit të saj me një diplomat më të hajrit.
Çuditërisht, lajmi bëri një bujë të pakuptueshme në mediat shqiptare dhe të gjithë, qoftë pro apo kundër, nisën ta komentonin nëse Volta kishte bërë mirë apo keq; dhe nëse kishte bërë mirë, a ishte këshilluar me dajë Servetin apo kishte vepruar me kokë të saj.
Megjithatë, për ata specialistë që e dinë si funksionon dhe cilat janë detyrat e Ministrisë së Jashtme - që emrin e plotë e ka Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme - fakti që ministrja sjell ose heq ambasadorët e huaj është pjesë normale e punës.
Siç pohon për Patronazhistin eksperti i jashtëm Miço Përsheshi, “vetë emërtimi tregon se në rrafshin diplomatik, ministria merret kryesisht me Europën, pastaj dhe me Punët e Jashtme, që domethënë me gjithë pjesën tjetër të botës. Në këtë seksion të fundit hyjnë edhe Shtetet e Bashkuara. Madje Ministrja Volta Llaçka nuk do ta bënte si duhet detyrën e saj, nëse nuk do emëronte apo shkarkonte ambasadorët e huaj në Tiranë”.
***
Pasi e sqaruam këtë pikë, është e udhës që të thellohemi dhe të hedhim më shumë dritë mbi detajet konkrete të punës së Ministres Llaçka. Këtu nuk do ndalemi në punën e saj të dytë jashtë orarit zyrtar – atë të investitores strategjike. Sepse çfarë bën një ministër, apo deputet, apo drejtor jashtë detyrës, - nëse merr konçesione, përqindje, firma, favore, zhdoganime pa doganë, leje ndërtimi, leje shkatërrimi etj etj – është pjesë e jetës së tij private, apo jo?
Kështu, në fakt kohët e fundit është rritur volumi i punës për Ministren e Jashtme Volta Llaçka. Patronazhisti ka mësuar në konfidencë se Amerika i ka kërkuar Llaçkës si nder, që të merret edhe me ambasadorët e tjerë të saj, kryesisht ata të emëruar në Europë, por edhe në Kinë e Indi: Konkretisht Dick Dickson dhe Andrew Carr. Por kjo është pjesa më e thjeshtë, pasi Volta Llaçka ka jetuar në Amerikë dhe di të flasë amerikançe.
Problemi i saj janë kërkesa të tjera, shumë më specifike.
Kështu, Turqia i ka kërkuar Voltës të ndërrojë ambasadorin turk në Australi, Fevzi Teveqel, por edhe atë në Pakistan, Murat Zevzek. Zonja Llaçka deri tani për këta dy diplomatë ka menduar zëvendësimin me Adnan Pilafçi dhe Mukadez Tyryfyl.
Ndërkaq Kazakistani ka zënë rradhën për të trajtuar çështjen e ambasadorit të vet në Francë, Agabeg Karabegov, dhe atij në Afrikën e Jugut Safet Imambajalldov.
Interesante është zgjedhja që do bëjë Volta Llaçka për të zëvendësuar ambasadorin grek në Japoni, Sotiris Llapaqenis, dhe ambasadoren e Athinës në Brazil, Ksanthipi Delipalla.
Ndërkohë, dilemat më të mëdha i ka shkaktuar kërkesa e Ministrisë së Jashtme Italiane, për të ndërruar ambasadorin e saj në Zimbabve, Giorgio Curva, dhe atë në Mongoli, Pasquale Putanesca.
Mësohet se Ministrja Llaçka është shprehur se zëvendësimet duhen gjetur të spikatur, në mënyrë që mbiemrat e ambasadorëve të rinj të jenë në lartësinë e të larguarve.
***
Nga ana tjetër, ajo që deri tani konsiderohej veç një teori konspirative, ka shumë gjasa të jetë e vërtetë:
Samiti BE - Ballkani Perëndimor i mbajtur në Tiranë, ishte sa për sy e faqe, vetëm një sebep që liderët e Europës dhe të vendeve fqinje t’i hynin mik kryeministrit Edi Rama, që t’i thoshte një fjalë Volta Llaçkës për problemet që ata kishin me ambasadorët e tyre. Edhe vetë kryeministrja italiane Giorgia Karpuzi, u dëgjua t’i përshpëriste Ramës ‘erdha të të futem mik’, në italisht, “sono venuta per entrare amica”. Kjo i thotë të gjitha.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike para-diplomatike