INCIDENTI / Belino Këllëfi shkon në Vjenë për të siguruar prova kundër atentatorit

8 Dhjetor 2022, 18:35Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Belino Këllëfi duke i bërë furça yllit të zbritur në ngjitje të PD, Lulit

TIRANË / VJENË / LONDËR – Ç’është e vërteta, Partia Demokratike u zu pa mendje. Kur panë se sa pak vetë ishin mbledhur për protestën e samitit - megjithëse edhe Lilua ishte përpjekur të jepte kontributin e tij - demokratët tentuan të lirojnë pak rradhët në bulevard, që të dukeshin më shumë. Burime për Patronazhistin thonë se idenë origjinale e dha zyrtari i lartë me emër kruasani, Belino, që së shpejti do heqë dorë nga mandati i deputetit për të garuar për bashkinë e Tiranës.

“Doktor, unë them të mos rrimë kaq ngjeshur, të hapemi që të zëmë më shumë hapësirë”, tha Belino, dhe Doktori e miratoi.

Këtu zuri fill pendimi i të gjithëve. Para së gjithash i truprojave, por edhe i vetë Belino Këllëfit. Sepse sapo u krijuan hapësirat, një i shkarë shkau mes radhëve dhe ja futi Doktorit me grusht. Tani duhej gjetur mënyra sesi të shfrytëzohej sa më mirë ky sulm kriminal.

***

Kritikët e Doktorit thonë se ai e pati fajin vetë. Ashtu siç pati bërë në presidencë dhe në qeveri, i mbushi rradhët e truprojave me nipa e kushërinj, që u zunë vendin zanatçinjve. Nipat e kishin mendjen si të dilnin bukur në kamera, të lyenin mjekrat me këna dhe të mbanin syze pilotësh e xhupa firmato, e jo të ruanin Doktorin e shkretë.

Por çfarë u bë, nuk zhbëhej dot. Tani gjithë puna ishte që i shkari të dilte si dora e zgjatur e një konspiracioni të thellë dhe tinzar; si një skile dinake, e stërvitur dhe e shkolluar vetëm për këtë ditë fatkeqe për kombin. Prandaj dhe Belinua u nis për në Vjenë.

***

Të paktën kështu thoshte Belinua kur u kthye nga Vjena.

“Vajta me mision të veçantë”, thoshte, “mos kujtoni se vajta për punët e mia, për çështje bankash e fondesh, duke lënë Doktorin me hematoma vetëm në mes të Tiranës”.

Dhe Belino hapi fjalë se në Vjenë kishte gjetur që i shkari që goditi Doktorin, kishte studiuar një shkollë speciale private për goditje pleqsh, të financuar nga Sorosi. Po aty, i shkari ishte takuar me disa socialistë që e kishin stërvitur si të rrëshqiste poshtë kameramanëve dhe t’i dilte Doktorit përballë.

Po në Vjenë, Belino i bleu shefit edhe një palë gjyzlykë me fotoelemente si të Xho Bajdenit, që ja bëri dhuratë kur u kthye.

***

Belino Këllëfi ka frikë t’i thonë se është “yll në ngjitje” i Partisë Demokratike. E ka akoma të freskët se kështu i thanë edhe Lul Bashës ca vite më parë, dhe ja ku përfundoi. Prandaj që në fillimet e karrierës politike, ai vendosi të bëhej dhëndër i kundërshtarëve, që minimalisht të siguronte titullin “yll në pritje i Partisë Socialiste”. Por nuk ja doli dot. Socialistët të falin çdo gjë, por nuk të hapin rrugën e karrierës nëse je thuthuq. Se helbete, do dalësh, do flasësh, do bësh njerëzit për vete. Për çudi, në PD nuk e kishin problem. E kishin kaluar këtë kompleks që në kohën e Edi Palluqes.

Dhe kështu Belinua bëri përpara. E sa për krushqinë me socialistët, ajo nuk vajti dëm. Gjatë rrugës e ndihmoi edhe Bella socialistja, duke i dhënë ca vota simpatizantësh në garën për t’u zgjedhur kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës. Por edhe Belinua e ka ndihmuar Bellën. I ka dhënë vëllanë për t’i asistuar në ministri me këshilla dhe ide të vyera, pa të cilat ministrja nuk bën dot. Nuk thonë kot, “njëra B lan tjetrën, të dyja fytyrën”

Tani, për të kompletuar rrjetin e aleancave, Belinos i ka mbetur vetëm të bëjë ndonjë krushqi me partinë e Lilos, dhe ndonjë baxhanakllëk me Dash Shehin. Dhe bashkinë e Tiranës e ka në xhep.

Sa për hematomat e Doktorit, le t’ia shërojnë nipat dhe kushërinjtë që ka marrë për bodigardë.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike para dhe pas-zgjedhore  

Video