PROFIL / Taullau i këndon këngë shokut Edi që e mbron nga përgjimet dhe mesazhet

3 Dhjetor 2022, 14:03Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
PROFIL / Taullau i këndon këngë shokut Edi që e mbron nga

TIRANË / LIBRAZHD / ELBASAN / FIER – Që kur e vunë si fëmijë të këndonte një këngë për shokun Enver, Taullau e kishte të shenjuar fatin e tij. Një proverb thotë se askush nuk është profet në fshatin e tij, por Taullau nga Librazhdi bëri pikërisht këtë: U bë krenaria e Librazhdit. Pa pasur fare nevojë të përdorë pjesë të emrit të qytetit, dmth librat. Me biografinë e këngëtarit të vogël të udhëheqësit të madh, i hyri karrierës politike në stafin e shokut Fatos, dhe si socialist luajal, i tërhiqte vëmendjen kujtdo që bënte zhurmë në korridoret e qeverisë.

“Shëëtttt se po punon shoku Fatos,” porosiste Taullau këdo që ecte zyrave të kryeministrisë.

“Shëëëëttt se po punon shoku Gramoz,” tërhiqte vëmendjen ai korridoreve të PS-së. Dhe ashtu si Mona të cilës diploma e shkollës së lartë dhe doktoratura i ecnin vetë ndërsa ajo zgjidhte hallet e popullit, edhe Taullau u gdhi me diplomë anglishteje ndërkohë që gdhihej e ngrysej me problemet e popullit të majtë në mendje.

Ec e ec, Taullau u bë shoku Taullah. U mërzit shumë kur shoku Fatos humbi qeverinë dhe partinë në 2005-ën. Ai, duke qenë siç thamë, profet në fshatin e tij, kishte siguruar votat për t’u bërë deputet, edhe pse partia humbi. Por Taullau u betua për t’i mbetur besnik shokut Fatos, dhe iu kundërvu egër harramit Edi që donte – dhe ia arriti – të merrte partinë.

Por duke kaluar ditët e muajt, dhe duke kuptuar Taullau se shoku Fatos – që në zhargonin e Taullaut kishte humbur pikë dhe ishte bërë thjesht Tosi – thjesht tallte muskujt glutealë me gjithçka e me këdo, profeti i Librazhdit vendosi të bënte kthesë. “A fare curva”, siç thonë italianët.

Kështu, ai filloi t’i rrinte afër shokut Edi, bëri njëfarë autokritike ndaj ashpërsisë së mëparshme, dhe paralelisht nisi të shoqërohej shumë më tepër me shokun Gramoz. E kishte nuhatur se ky i fundit dhe shoku Edi ishin marrë vesh për disa gjëra, dhe s’kishte pse bëhej pengesë. Përkundrazi.

Nda ia tha copë shokut Edi: “Mua dhe Librazhdin na ke në krah. Zona jonë gjithmonë ka qenë e dhënë pas pikturave abstrakte dhe artit impressionist”.

*** 

Dhe shoku Edi, që rrugës u bë thjesht Edi, ja shpërbleu. I dha për kujdestari socialiste zonën e Elbasanit, që denbabaden ka qenë nën varësinë e Librazhdit dhe Përrenjasit. Paçka se stononte pak antropologjikisht – pasi Taullau qëlloi ta kishte kokën me cepa - punët ecën mbarë, pasi edhe në Elbasan, Peqin, Cërrik e madje deri në fshatrat e Lushnjës, Taullau u kujdes të lidhej kryesisht me kokëcepëshat e zonës. Kishte gjetur tenxherja kapakët.

Tani Taullau nuk këndonte më këngë për Enverin, por thurrte vargje për shokun Edi. Dhe rregullonte punët e veta dhe të kokëcepshave, udhëtonte bashkë me ta me aviona – ishin me vite dritë larg kohrat kur ai kishte zbritur për herë të parë në Elbasan nga Librazhdi në spondin e një Zisi – dhe madje përpiqej që ata të fitonin tendera rrugësh e punë të tjera. Dora-dorës, erdhi e u shëndosh, pasi i kishin thënë se po të rrumbullakosej, edhe cepat e kokës do zmusoheshin e do lëmoheshin. Gati-gati do dukej si banor i vjetër kryeqyteti e madje Elbasani do t’i dukej provincë e humbur.

Po kështu bënë dhe shokët e vet kokëcepësha. Të gjithë blenë shtëpira e lokale në Tiranë. Por problemi është se rrumbullakosja dhe veshja me rroba të firmosura, depërtoi me yndyrën e vet edhe brenda kokës, dmth në tru. Taullau dhe shokët nisën të tregohen të pakujdesshëm, dhe të flisnin e të shkruheshin nëpër telefona. Nëpër përgjime prokurorish, emri i Taullaut po dilte gjithandej mes kokëcepshave qoftë si ndikues për ndryshimin e një ligji, iniciator për ndryshimin e një vendimi gjykate, apo shumë më keq, si i përfshirë në çështje krismash, atentatesh, drogërash etj.

***

Prej kohësh, shoku Edi kish filluar për merakosej për historitë me cepa të Taullaut në Elbasan. Ndaj vendosi ta transferojë në Fier si dënim. “Atje të vesh, në baltrat e Fierit që të pastrohesh nga mëkatet,” i tha me kërcënim, duke i shkelur syrin.

Kur mori vendimin e transferimit në dorë, Taullau bëri sikur u mërzit dhe tha se ishte gati për çdo sakrificë për partinë. Brenda vetes qeshi, se kishte zbritur nga Librazhdi në Elbasan dhe tani po zbriste akoma më poshtë, në hambarët e Myzeqesë.

Se Taullau e dinte mirë që zbritjet gjeografike, janë në fakt ngjitje politike.

Aq më tepër që shoku Edi e mbrojti publikisht: “Unë Taullaun e çova në baltrat e Myzeqesë, por kush hedh baltë mbi Taullaun, hedh llucë mbi gjithë socialistët. Duhen prova dhe fakte, në të kundërt, kush shan është i sharë,” tha Edi me elokuencën që e karakterizon dhe që ja merr mendtë dynjasë.   

*** 

Deri në momentin që po flasim, Taullau është duke kënduar këngë për shokun Edi dhe duke porositur gjithë nëpunësit që të ecin me çorape korridoreve të qeverisë, se po punon udhëheqësi. Shokët Enver, Fatos dhe Gramoz i ka hedhur pas krahëve, dhe shkon më tepër nëpër fshatra, si për t’u kujtuar votuesve se nuk ka ndryshuar fare, se ka mbetur po i njëjti kokëcepësh modest dhe i shtruar. Por ka një problem me teknologjinë. Kjo e fundit ka rregjistruar ca si shumë përgjime, mesazhe, telefonata e foto të Taullaut, me personazhe me dhe pa cepa e qoshe. Dhe sa më shumë dalin, aq më shumë këndon Taullau…

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-myzeqare 

Video