KRONIKË / Arsyeja kryesore e shtimit të krimeve, prania e shumë emrave dhe mbiemrave tek një person

14 Nëntor 2022, 17:42Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Policë pa emër duke arrestuar një të ri me tre emra

TIRANË /LAQ / KORÇË – Një studim i kohëve të fundit i kryer nga Instituti Shqiptar i Emrave dhe Mbiemrave Internacionalë, ISHEMI, ka nxjerrë në pah atë që Policia e Shtetit dhe organet ligjzbatuese e kanë dyshuar prej kohësh: Rritja e kriminalitetit në vend ka një lidhje të drejtpërdrejtë me praninë e dy ose më shumë emrave dhe mbiemrave tek i njëjti person, kryesisht të rinj të grupmoshës nga 22 deri në 55 vjeç.

Jo më larg se javën e kaluar, një i ri me dy emra kreu një atentat në Korçë, që rezultoi me plagosjen e një të riu tjetër me tre mbiemra. Ndërkaq një tjetër i ri me dy emra dhe tre mbiemra u vra në Laq, nga atentatorë që deri tani nuk kanë as emër dhe as mbiemër.

Ngjarje të kësaj natyre, që kanë shkaktuar një valë inflacioni edhe në regjistrin kombëtar të gjendjes civile, janë duke u studiuar me intensitet nga policia.

“Prej disa javësh, jemi duke krijuar një listë të të rinjve me disa emra e mbiemra, për t’i survejuar me metoda speciale - me satelit - për të parandaluar krime të mundshme,” thotë eksperti i statistikave emërore në Policinë e Shtetit, Emrush Pafillja.

Në fakt, studimi i ISHEMI-së pohon se 85% e ngjarjeve kriminale gjatë tre viteve në fundit në Shqipëri, kanë për autorë dhe/ose viktima, personazhe me disa emra dhe mbiemra.

Pjesa që mbetet prej 15%, janë autorë fukarenj me vetëm një identitet, të cilët nuk kanë patur fonde të mjaftueshme për të nxjerrë pasaporta të dyta ose të treta. Në përgjithësi këto krime të pakicës kanë nisur si pasojë e sherreve se kush do paguante tavolinën. Në shumicën e rasteve, pala e mundur, dmth ata që nuk kanë paguar, kanë rendur në shtëpi për të marrë armën, dhe të fyer në dinjitet, kanë shtënë ndaj paguesit.

***

Policia e Shtetit, sipas burimeve të Patronazhistit, paralelisht është duke punuar që të thërrasë veç e veç shqiptarët me dy ose më shumë emra e mbiemra, për t’i bindur ata që të zgjedhin e të mbajnë vetëm një identitet, sado e mërzitshme të duket kjo në pamje të parë.

“Në këtë mënyrë, shpresojmë se shifrat e krimeve do të bien në mënyrë drastike, pasi do kemi eliminuar arsyen kryesore të kriminalitetit, pra identitetet e shumëfishta,” pohon për rubrikën tonë eksperti Emrush Pafillja, që të gjithë në lagje e njohin si Njazi Paçavurja.

Megjithatë, të dhënat mbeten shqetësuese. Madje në listën e çunave problematikë nga 22-55 vjeç, policia ka edhe personazhe me 7 emra dhe 12 mbiemra. Akoma më keq, lëmshi i gjendjeve civile të tyre komplikohet më tej, kur djem beqarë figurojnë të kenë kaluar pikat tona kufitare me tre bashkëshorte të ndryshme brenda një muaji, ose me 9 kalamaj të ligjshëm. Apo kur njëri prej emrave të një çuni problematik, sipas sistemit TIMS rezulton të jetë duke punuar hidraulik në Belgjikë, ndërsa dy emrat e tjerë të tij janë në Vlorë – njëri në paraburgim dhe tjetër në punë si kamarier.

***

Duke hulumtuar në të dhënat e nxjerra nga ISHEMI-a, hasen edhe raste speciale. Kështu, Patronazhisti gjeti rastësisht një djalosh 53 vjeçar që kishte jo më pak se 6 gjyshe dhe 8 gjyshër, të gjithë me prona dhe asete të një natyre ose një tjetre, që rastësisht ja kishin lënë me amanet 53 vjeçarit. Përgjatë dekadave, këta gjyshër e gjyshe rezultojnë me qëndrime politike nga më të larmishmet: Ca partizanë, ca ballistë, ca komunistë të burgosur nga diktatura, të tjera ballistë të gënjyer që më pas bënë karrierë në diktaturë e kështu me rradhë. Duke shfrytëzuar këto variacione ylbereske, djaloshi 53 vjeçar i ka mbajtur katër emrat, pesë mbiemrat dhe tre duart e tij, herë në bakllava, herë në kadaif e herë në pilaf, duke trashëguar apartamente komuniste, troje ish-pronarësh, kompensime ish-të përndjekurish dhe tufa bagëtish të çobenjve kulakë.

Patronazhisti mëson se një nga identitetet e djaloshit është Fevzo Blendushi.

Një tjetër rast emblematik është dosja e një zyrtari super të lartë, që sipas të dhënave është super-politikan. Ky djalosh, ndërkohë që me njërin mbiemër punonte si President i Republikës, me mbiemrin tjetër spiunonte shokët e klasës te Sigurimi i Shtetit, të cilët pastaj spiunuan shokë të tjerë dhe në fund, të gjithë së bashku spiunuan klasat dhe shkollat e tjera.

Por nëse mendoni se autorët e krimeve shqiptare në vite janë mjaftuar vetëm me larminë e emrave dhe mbiemrave, e keni gabim. Studimi ka pikasur edhe episode tejet të veçanta, si rasti i super-kriminelit S.B, i cili nuk është kujdesur fare të ndërrojë emrat apo mbiemrat, por ka tre ditëlindje. Ditëlindjen e parë, atë të 1 korrikut, e ka të vetën, ndërsa të dytën, atë të 16 tetorit, e ndërroi për ta festuar bashkë me shokun Enver. Ditëlindjen e tretë e ndërroi kur regjimit të shokut Enver iu kalbën trarët, dhe ai e bëri 15 tetor për të mos u identifikuar me diktatorin e poshtër, pas takimit të rastësishëm me të cilin, S.B.-ja nga gëzimi nuk i lau duart një muaj resht.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pa emër 

 

Video