EKSKLUZIVE / Flet kirurgu italian i zonjës Testagrande: Tani fillojnë sikletet, kemi akoma dhe 5 mln euro ndërhyrje!

9 Tetor 2022, 21:37Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Mari-Antuaneta Testagrande duke u perpjekur te kujtoje nje fjale

SAN MARINO – Pas shumë përpjekjesh, më në fund Patronazhisti njofton me krenari profesionale se ka arritur të kontaktojë me mjekun misterioz italian që ka kryer, ose ka ndërmjetësuar kryerjen e shumicës së ndërhyrjeve anti-estetike të kryeintelektuales shqiptare me origjinë të largët nga Astiri, zonjës Mari-Antuaneta Testagrande.

Kirurgu quhet dott. Xhuzepe Maskalcione, ka klinikë në San Marino dhe ka pranuar të flasë për Patronazhistin, pasi ne i thamë ashtu larg e larg se, për shkak të zanatit, ja dimë të gjitha të dhënat personale, adresat e shtëpive, kreditë që ka në bankë, hyrje-daljet sipas sistemit TIMS dhe gjithë komunikimet me email dhe/ose telefon që ka kryer dhjetë vitet e fundit, si dhe disa kontakte të papërshtatshme që e shoqja nuk do ishte mirë t’i merrte vesh. Dhe këto ishin vetëm gjysmat e materialeve që kishim për të.

***

Kësisoj, i gatshëm të flasë për ne vullnetarisht, zoti Maskalcione sqaroi se lidhur me rastin në fjalë, ka kryer një seri ndërhyrjesh anti-estetike në fytyrë, vetulla, qafë, veshë, hundë, mollëza të faqeve, mollëza të gishtave, flokë, ngushtimin e stomakut, heqjen e dhjamit të tepërt në të dy brrylat, rrallim të gishtave të këmbëve për t’i barazuar nga pesë për çdo këmbë etj etj.

“Ja bëra të qartë se këto procedura janë delikate, kërkojnë shumë kohë, durim dhe akoma më shumë shpenzime. Por me taktin që e karakterizon, Prof. Dr. Testagrande ma preu shkurt: Hec mor çun, leni llafet!”, pohoi Maskalcione.

Në vijim, specialisti tha se pacientja kërkoi as më pak, as më shumë, por që ta bënte të bukur natyralisht siç e kishte bërë nëna, dhe i tregoi foton e një modeleje të Sekreteve të Viktorias: “Ja, kështu dua të më bësh, natyrale!”

Mjeku italian deklaroi se për ndërhyrjet që nuk i kryente dot vetë, ka ndërmjetësuar për zonjën Testagrande në klinika tejet diskrete të Vjenës, Zvicrës, Lihtenshtejnit etj. Pastaj duke parë rrotull për siguri, uli zërin dhe shtoi:

“Në fakt jo se nuk i bëja dot vetë ato operacione, por kisha nevojë për ca kohë dezintoksikim nga ajo qenie. Nuk i mbyllej goja edhe kur ishte top në narkozë. Donte të më bënte drejtor në ministri kur të vinte në pushtet, me kusht që t’i jepja 50 mijë euro çdo muaj. Më ftonte nëpër protesta në Tiranë. Por kulmi ishte kur më kërkoi të bojkotoja klinikën time dhe të digjja diplomën për të rrëzuar Edi Ramën!”

***

Teksa pohon i sigurtë se totali i faturave të axhustimeve, zdrukthimeve, zmusimeve, zmerilimeve dhe luçidimeve që ka kryer zonja Testagrande në vite, i kalojnë një milion eurot, zoti Maskalcione njoftoi një lajm surprizë që na zuri pa mendje:

“Kini parasysh, ky ka qenë vetëm fillimi. Deri tani kemi kryer vetëm ndërhyrje të jashtme, sipërfaqësore. Si të thuash, sa për t’i mundësuar pasqyrës që të mos thyhet kur zonja Testagrande shihet në të. Tani fillojnë të vështirat. Kemi në plan nja 5 milionë euro shpenzime për ndërhyrjet e brendshme”.

Dhe dott. Maskalcione zbuloi se fillimisht, do ndërhyhet në gurmazin e zonjës Testagrande.

Ngaqë e ka zërin si llamarinë e gërvishtur, tha mjeku, kërkon ta modifikojë dhe t’i japë një timbër më sensual, por njëherësh edhe bindës dhe sigurues për masat. “Na ka sjellë si model zërin e një politikani tjetër tuajit, Braçe më duket se quhet, Erion Braçe. Nuk e di sa do t’ja arrijmë”.

Por sipas zotit Maskalcione, ndërhyrja më e vështirë do të jetë ajo në lobin frontal.

“Zonja Testagrande na kërkoi t’i hyjmë në mëndje; kështu na tha, - të më futeni në mëndje – për të pasuruar fjalorin e shqipes, pasi e ka gjithë e gjithë njëqind fjalë. Dua të më bëni të zgjuar siç më ka bërë nëna, tha. Në vijim, na kërkoi që në njëfarë mënyre, t’ja ngarkojmë trurin me sa më shumë libra, që kur ta ftojnë në televizor, të flasë me tituj librash, thënie autorësh dhe paragrafë njerëzish të shquar”.

Dhe doktor Maskalcione, shtoi, më shumë duke folur për vete sesa për Patronazhistin:

“Nuk e kuptoj. Do japë 5 milionë euro për t’i hyrë kësaj aventure. Ndërkohë që për ca qindra euro mund të blinte çfarë librash të donte, dhe t’i lexonte përditë nga pak, duke lënë dhe njerëzinë rehat!”

Atë çast i erdhi një si ndriçim mendor: “Ore, mos nuk di fare shkrim e këndim kjo kukumjaçka?”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike estetikisht empirike dhe etikisht bazike    

Video