SPORT / Sistemi VAR zbulon pjesëmarrje masive në protestën e Agush Metushit

14 September 2022, 17:10Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
SPORT / Sistemi VAR zbulon pjesëmarrje masive në protestën e
Protestuesit e Agushit ne pritje te orkestres

TIRANË / SHARRË / ÇEPAN – Ishte një zgjidhje brilante prej një eksperti që e njeh mirë psikologjinë dhe sjelljen njerëzore, ajo e Agush Metushit ditën e djeshme.

Siç dihet tashmë botërisht, Agushi thirri gjithë Shqipërinë të mblidhet dhe të protestojë pranë grumbullit më të madh të plehrave në vend. Dhe afërmendsh që njerëzit mezi presin të tubohen kapicë mbi plehra dhe të bërtasin sa u ha gurmazi: Na mbytën plehrat!

Siç mëson Patronazhisti, protestues nga gjithë zonat e vendit ishin njoftuar që një javë përpara që do mblidheshin tek plehrat për të protestuar. Ata ishin bërë gati, ishin larë, parfumosur e veshur me rrobat më të mira, duke lajmëruar gjithë merak njëri-tjetrin: Mos harro, takimi tek plehrat!

Por ndoshta ky ishte dhe keqkuptimi i madh. Sepse pasditen e protestës, ish-lësëistë, ish-drejtorë, ish-doganierë, ish-tatimorë etj etj, nga Korça, në Elbasan, nga Gjirokastra në Lezhë, nga Kukësi në Vlorë, zbritën secili në kazanët e plehrave të lagjes së vet, duke pritur që të fillojë eventi madhështor.

Ma kalimin e minutave entuziazmi u shndërrua në merak, meraku në ankth, kur një mesazh grupi në uacap e bëri të qartë gabimin. Ishte ish-gazetari i shndërruar në politikan me emër arushi, Tedi, që njoftonte urgjentisht:

“Ju kemi njoftuar të mblidhemi të gjithë tek plehrat e Tiranës, jo secili tek plehrat e veta. Parrulla ishte ‘Plehra të të gjitha ngjyrave, bashkohuni’, jo shpërndahuni! Prandaj nisuni shpejt për në Sharrë pranë Tiranës, siç vjen nga Kombinati, pret majtas. Aty do dalë t’ju presë vetë zonja Mari-Antuaneta Testagrande!”       

Por ishte vonë. Ç’është më e keqja, protestuesit e Beratit u ngatërruan sapo lexuan fjalën Kombinat. Ata fillimisht u mblodhën tek ish-kombinati i Tekstileve në qytetin e tyre, dhe nisën të këndojnë marshin revolucionar “O Berat, ç’e pate fat”. Por iu pre kënga në buzë kur u thanë se duhej të mblidheshin në Kombinatin e Tiranës.

***

Megjithatë, pavarësisht ngatërresave, në Sharrë u mblodhën plot vetë. Përveç kalamajve të zonës që shisnin lule artificiale dhe lypnin noj lek, ishin aty bebi-siterat e familjes së Agush Metushit, të së shkuarës dhe të tashmes; kuzhinierë, parrukiere, kopshtarë e bodigardë; kishte ardhur dhe profesor Mondi i PD-së, në këmbë të Baba Mondit që s’mund të ekspozohej politikisht; ndërsa komunitetin e kërmijve jargavecë pa shtyllë kurrizore e përfaqësonte deputeti Sali Anji.

“Unë erdha,” i tha Sali Anji Agushit duke mbajtur në hundë një shami të parfumosur, “që mos të ketë gojë njeri të thotë se Saliu mungoi në protestën tënde!”

Protesta shkoi për bukuri. Atmosfera u ndez edhe më shumë kur mbërriti orkestra. Tre jevgj që panë grumbullimin dhe kujtuan se ishte Novruz, rrëmbyen me vrap veglat dhe filluan t’u binin, duke ecur mes njerëzve bërtitur: “Bani sevap, ju rujt zoti kalamajt!”   

***

Por dashakëqinjtë asnjëherë nuk mungojnë. Edhe këtë herë, pati nga ata që deklaruan se Agush Metushi nuk mblodhi dot as kryesinë e partisë dhe shoferët, e jo më të tubonte gjithë popullin e 2 Marsit. Por Agushi ua preu shkurt këtyre insinuatave.

“M’fal m’fal m’fal një sekond,” tha në një prononcim për mediat Agua, të cilit ndokush ja ngatërronte emrin dhe i thërriste Jagua. “E para e punës, është logjike që populli i 2 Marsit nuk mund të mblidhet në 13 Shtator, ndryshe ç’u kuptua. E dyta, në plehrat e Sharrës u grumbullua një turmë e paparë. Sepse pirgu i plehrave është aq i madh, gati 1000 metra mbi nivelin e detit, saqë më kujton Çepanin. E treta dhe më e rëndësishmja, le të verifikojmë pamjet. Unë kërkoj kontroll me VAR!”

Dhe Agushi nisi të tregojë videon e ngadalësuar të protestës, ku kamera ishte fokusuar mbi 100 vetë që e mbushnin ekranin plot me popull.

“Ja, e shikoni? Tumbllaz me njerëz”, tha Agushi, “mbaje aty. Joo, mos e largo kamerën, pjesa tjetër nuk ka rëndësi, m’fal m’fal m’fal një sekond”…

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-orkestër


Video