
TIRANË – Për ata që ishin mësuar ta shihnin ish-presidentin shqiptar të dashur dhe të qetë, ishte një pamje tronditëse shfaqja e tij në një konferencë për shtyp ditën e djeshme, disa ditë pas skandalit tashmë famëkeq në plazhin e Jalës në Himarë.
Siç është bërë publike, disa ditë më parë bënë xhiron e shtypit botëror disa video ku ish-presidenti shfaqet duke festuar në mënyrë të shfrenuar mes dhjetra të rinjve e të rejave - mes tyre dhe Tit Vasilaj - në plazhin e njohur të Rivierës. Totalisht jashtë kostumit ish-presidencial, ish-presidenti shkaktoi skandal me pjesëmarrjen e tij aktive në vallet pogonishte, ato të Kukësit por edhe në Shqipërisë së Mesme, ndërkohë që thirrjet e tij të pakontrolluara “Jepi Titi!”, “Ramoviçi në litar”, “Poshtë spurdhjakët e partisë” etj, linin të dyshoje se ai ishte i intoksikuar.
Nuk vonoi dhe rrjetet sociale por edhe mediat tradicionale e kryqëzuan ish-presidentin, duke mos marrë parasysh fare se ai nuk është i krishterë por bektashi. “Turp”, “A mund të sillet një ish-president kështu”, “Të shkarkohet nga ish-Presidenca”, “SPAK-u të veprojë tani”, etj, ishin disa prej qëndrimeve të shtypit dhe opinionistëve.
Patronazhisti mëson se ish-presidenti për disa ditë nuk doli nga shtëpia, domethënë nga njëra prej disa shtëpive të tij, ndërsa zërat thonë se ra në depresion, por shkundi pak pantallonat dhe u ngrit prapë.
***
Deri në një farë pike, ishte e kuptueshme dalja e tij me pamje të lodhur, të trishtuar dhe por aspak të dorëzuar para mediave ditën e djeshme.
Me lot në sy, ish-presidenti deklaroi se megjithëse i kupton reagimet e njerëzve, edhe ai ka të drejtën të marrë pjesë në festa si të gjithë njerëzit. Ai mbrojti të drejtën për të gëzuar dhe shijuar jetën, duke theksuar se nuk ka bërë asgjë të keqe. Madje ish-presidenti deklaroi se është gati të bëjë analizat e rakisë në një laborator asnjanës anti-doping, por jo në laboratorët socialistë.
“M’fal, m’fal një sekond. Ju keni rënë në kurthin e ramaformës dhe spurdhjakëve të tij që nuk dinë të shijojnë jetën. Unë jam njeri mbi të gjitha. Dhe thashë, meqë jemi akoma në gusht, të hedh një valle pogonishte se siç e dini, në shtator do bëhet nami. M’fal m’fal se po flas unë tani. E ç’bëra unë? Mos vodha gjë? Mos vrava njeri? Mos fsheha para andej këtej nëpër botë? Mos emërova njerëz nëpër poste kyçe në këmbim të pagesave fikse mujore për partinë? Mos caktova prokurorë e gjykatës për vite të tëra, në këmbim të mbrojtjes nga drejtësia dhe goditjes së kundërshtarëve politikë? Apo largqoftë, mos kam spiunuar ndonjërin dikur dhe më pas, për t’i mbyllur gojën i ofrova vende pune të rehatshme derisa iku jashtë shtetit?
Asgjë nga këto. Thjesht ndoqa një ritëm kaq të dashur për të gjithë shqiptarët: Tre hapa para, dy prapa, një rrotullim në vend dhe prapë nga e para,” deklaroi ish-presidenti.
Në vijim ish-presidenti pranoi një gabim të vogël. “Aaa po. Nuk kisha pse kërceja kaq afër Titit, me gjithë ato të rinj e të reja aty. Dakord jam, kjo nuk do përsëritet më. Por unë dorëheqje nga ish-Presidenca nuk jap,” tha ai me zërin që i dridhej.
Në fund, ish-presidenti deklaroi me elokuencë: “Cfurqet! Mali me Gropa! Gim Neshaj! Njëmijë metro mbi nivelin e detit! Ambasadorë hipokritë! Jam çun i Pazarit të Ri unë!”
Dhe shtoi: “Un t’thyj në mes. Un të çaj më dysh!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pa J në fund