TIRANË / PODGORICË – Zërat e orëve të fundit, se çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare është ulur ndjeshëm, por ai nuk i ul çmimet e karburanteve në Shqipëri, e kanë prekur Çet Transparentin, i njohur në popull si Shefqet Bordi. I lënduar dhe i tronditur emocionalisht, - tipar ky i të gjithë biznesmenëve shqiptarë – Çeti vendosi t’ua shpjegojë shqiptarëve pse i mban të larta çmimet.
Në një dalje publike, Çeti e nisi fjalën e tij elokuente me një sqarim:
“Kohët e fundit kanë dalë lajme sikur unë dua të blej aeroportet kryesore të Malit të Zi. Madje disa portale aspak transparente kanë hedhur llaf sikur pas meje mçifet kryeministri Rama. Pra, sikur ne bashkë duam të blejmë aeroportet e Malit të Zi. Dhe për këtë, gjasme kemi takuar kryeministrin malazez, Dritanin – e keni parasysh, vëllanë binjak të Ermal Mamaqit - për ta bindur të na bëjë lehtësina”.
Dhe Çeti bëri një pauzë.
“Kjo”, tha, “është vetëm gjysma e të vërtetës. Në qoftë se do ishte puna për të blerë dy-tre aeroporte, unë do t’i kisha ulur çmimet e karburanteve që sot. Se aq para mënjanë sa për të blerë një aeroport që ta kem për ditë të zezë në Malin e Zi, i kam vënë mënjanë. Puna është më e thellë se kaq”.
Dhe Çeti nisi të bëjë atë që di më mirë, transparencë.
***
Çeti shpjegoi se plani i vërtetë nuk është të blejë aeroporte në Mal të Zi, por ta bëjë gjithë Malin e Zi, një aeroport gjigand për turizmin shqiptar. Ai u rrëfye për një takim sekret me kryeministrin Edvin Pikaso, i cili iu ankua me lot në sy se qeveria nuk po arrin të përballojë fluksin e llahtarshëm të turistëve nga të gjitha anët e botës.
“Edvini më tha se turistët duan të vijnë, por nuk zbresin dot. Kemi Rinasin, tha, kemi Kukësin, po bëjmë Vlorën, do bëjmë Sarandën e Gjirokastrën, kemi aeroportin e Divjakës dhe Ishmit, dhe prapë turistët janë kaq shumë sa nuk ja dalim dot. Vijnë rrotull në ajër aeroplanët e shkretë tumbllaz me turista, dhe s’kanë ku të ulen”.
Kështu u vendos që Shqipërisë i duhet një mega aeroport. Meqë Mali i Zi është një vrap pele larg, shndërrimi i fqinjëve të vegjël në një super-aerodrom inter-ballkanik do ndihmojë gjithë rajonin. Çeti shpjegoi se në bisedë me Dritanin dhe Edvinin, u gjet edhe se ku do shkojnë 650 mijë banorët malazezë.
“Shqipëria po zbrazet, shumë shpejt do shkojë në 1.5 milionë banorë,” shpjegoi Çeti, “dhe vende bosh ka plot. Pse të sjellim bangladeshas e filipinezë, kur ja ku i kemi malaziasit, mjafton të zgjasim dorën?”
***
Ja, tha duke fshirë djersët Çet Transparenti, i mbiquajtur Shefqet Bordi, përse na duhen paratë. Ja pse nuk i ulim çmimet. Mali i Zi do bëhet një aeroport perfekt. Duke qenë se Malet e Zeza duken edhe nga orbita, avionët do ulen kollaj.
“Pastaj, plani është që në cep të aeroportit të madh, do fillojë super-autostrada Adriatiko-Joniane ku ne do vendosim trarët tanë me pagesa modeste, ndërsa përgjatë rrugës do jenë pikat tona të karburanteve, deri poshte në jug të Shqipërisë, ku turistët do akomodohen në pikat tona turistike. Pasi të shplodhen, ata do hanë në restorantet tona, do bëjnë xhiro me xhet-skitë tona, por ama për të shtypur do shtypin kalamajtë e vet, se ne nuk kemi”, e mbylli Çet Transparenti.
P.S. Patronazhisti ka mësuar se në frymën e skemës së mësipërme, Shefqet Bordi në bashkëpunim me Edvinin kanë vendosur të blejnë komplet Kroacinë, për ta shndërruar në një port gjigand dhe liman jahtesh për ata që duan të vizitojnë Shqipërinë. Jahtet do furnizohen me karburant të lirë dhe të mirë nga kompania Karpaço Group.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-jaht