TË DHËNAT / Sa shqetësohen të rinjtë shqiptarë për inflacionin, Borën, Donaldin dhe Trixin?

9 Korrik 2022, 15:09Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Nje vajze e shqetesuar merr sqarime nga nje ekspert inflacioni i Top Channel

TIRANË – Burime për Patronazhistin nga Reparti i Klikimeve bëjnë me dije 95% e të rinjve të grupmoshës 17-25 vjeç janë jashtëzakonisht të shqetësuar për faktin që Donaldi i hodhi një kunj Trixit për atë çështjen e Borës.

Shifrat dramatike nxjerrin në pah dramat dhe traumat e rinisë së sotme shqiptare, që duket se do të jenë edhe kryefjalë e kësaj vere, sidomos pasi Vedati dhe Meneksheja nuk arritën të Për’puthen, duke zhgënjyer pritshmëritë popullore.

Reparti i Klikimeve sqaron në konfidencë se të njëjtët të rinj që janë stresuar për Trixin, Borën dhe Donaldin, nuk duan t’ja dinë për titujt e rëndomtë që theksojnë sukseset e qeverisë, si për shembull rritja e inflacionit në 7.4%, shifra më e lartë në Shqipëri që nga koha e piramidave. Sipas grafikut të të dhënave që disponojmë, edhe ata 5% që kanë tentuar të mësojnë më tepër për inflacionin, kanë komentuar në rrjetet sociale se:

1. Qeveria gënjen, inflacioni me siguri është shumë më i ulët por këta duan të shpikin suksese të paqena.

2. Inflacioni vërtet është rritur dhe qeverisë bravo i qoftë, por problemi është se nga kjo rritje nuk përfitojnë të gjithë njësoj, por vetëm pasanikët.

3. Dhe e treta, Doktori ka me ua … robt ktyne, ja do ta shifni, ja ktu kemi me qenë.

Reparti i Klikimeve shton se të merakosur për inflacionin ishin shprehur edhe dy vajza që lyejnë këmbët me krem live në Top Channel, një reper që ditën u bën thirrje të rinjve t’i rrinë larg drogës, ndërsa natën ua shet; një tjetër reper që ditën lëshon mesazhe kundër dhunës, ndërsa natën hedh video në internet ku shfaqet duke rrahur rivalë, si dhe një fjalimexheshë profesioniste mitingjesh.

Për shembull, një vajzë këmbëlyerëse deklaroi:

“Inflacioni mund të shmanget mi, mjaft të mbash higjienë të mirë në cdo pjesë të trupit mi, dhe mjetet që përdor të jenë të dizintoksikuara, pra të mos ketë mikrobra e më the të thashë. Se pastaj bëhesh për ilaçe, inflacioni ikën vetëm me antibiotik”.

Ndërkaq, burimet bëjnë me dije se pikërisht faktorë të rëndomtë dhe aspak interesantë si ky 7.4 përqindshi i mësipërm, do ndikojnë që mbi 50% e të rinjve të merakosur për Trixin, Borën dhe Donaldin, të anullojnë shkollën e lartë dhe të fillojnë punë kamarierë; ta lënë kamarierllëkun dhe të ikin jashtë shtetit; të bëjnë shkollë dhe punë njëherësh, dhe në kohën e lirë të ndjekin se çfarë bën Stresi me Noizin; ose të bëhen milionerë me euro pa e ditur as vetë, nëse kanë patur fatin që dikush t’u vjedhë kartën e identitetit dhe të dhënat personale për të themeluar kompani banano-incineratorësh.        

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që ngatërron inflacionin me inflamacionin dhe infeksionin

Video