TIRON / VLONË - Pas konfuzionit të orëve të para dhe lajmeve se emergjencat civile dhe forcat e Ushtrisë shqiptare kanë shkuar urgjentisht në ishullin strategjik të Sazanit për të shuar flakët që kanë nisur papritur, ministria e Mbrojtjes dhe Drejtoria e Emergjencave Civile kanë dalë me një deklaratë sqaruese për mediat.
Sipas deklaratës, Sazani nuk është djegur aksidentalisht, dhe as nga ndonjë dorë e errët për qëllime të zeza.
“Vendimi për ndriçimin e ishullin tonë heroik është marrë nga qeveria shqiptare, deleguar për zbatim Ministrisë së Mbrojtjes dhe Emergjencave Civile,” thotë njoftimi. Mësohet se arsyeja është shumë praktike, e madje humanitare: Sazani i ndezur do të ndihmojë në orientimin e anijeve të mallrave që kalojnë Kanalin e Otrantos, si një super-far origjinal detar që do eliminojë ngatërrimin e destinacionit dhe do t’I japë fund dërgimit të plaçkës në adresën e gabuar.
“Arsyeja e dërgimit të ushtarakëve dhe stafit të emergjencave civile në ishull, nuk është shuarja e flakëve, por menaxhimi i zjarrit. Kjo, në mënyrë që flakët të digjen ngadalë por në mënyrë të sigurtë, dhe të zgjasin sa më shumë. Është menduar që pasi të konsumohen shkurret dhe pyjet, do të vazhdohet me djegien e kontrolluar të municioneve luftarake, depozitave të karburantit dhe gjithçkaje tjetër që lëshon flakë,” thotë deklarata zyrtare.
Duke bërë një historik të shkurtër, njoftimi përmend specifikisht ngatërresat e shpeshta të anijeve me mall të mirë që kohët e fundit janë nisur nga Ekuadori, Kolumbia e Venezuela, dhe në vend të mbërrinin në portin e Durrësit, kanë përfunduar në portet italiane, në Korfuz, apo në Tivar, Budva dhe portet e tjera dalmate. Nga ana tjetër, mjaft anije me mall po kaq të mirë, që kanë ardhur në Durrës, në fakt kishin për destinacion Barin, Brindizin e Italisë apo Dubrovnikun e Kroacisë. Kjo situatë ka bërë lëmsh pritësit e mallit gjithandej nëpër Adriatik e Jon, dhe tregtarët nuk kanë ngurruar të akuzojnë qeveritë për neglizhencë ndaj biznesit të vogël dhe të mesëm.
“Prandaj, ky kaos duhet të marrë fund,” thotë njoftimi, “tani e tutje anijet amerikano-latine dhe kontejnerët e tyre me banane, mango, avogado, arra kokosi dhe tuti-fruti do të mbërrijnë të sigurtë për aty ku janë nisur”.
Megjithatë, analistët kanë vënë disa pikëpyetje mbi planin. Sipas ekspertit Vangjush Lorenci, do vijë një moment që Sazani do mbarojë së djeguri, sado i kujdesshëm të jetë menaxhimi i flakëve. Çfarë do të ndodhë me tej?
Kësaj dileme iu përgjigj menjëherë shefi i Emergjencave Civile Çaki Hako.
“Zoti Vangjush, e kemi menduar edhe këtë pjesë. Nëse largqoftë Sazani mbaron së djeguri, në bashkëpunim me ministrin e Mbrojtjes Niku Akriliku do të ndezim me mënyrë profesionale dhe në bashkëpunim me partnerët tanë panamezë, cepin e gadishullit të Karaburunit. E keni parasysh që Karaburuni vetë ka formën e një qiriri. Ai do të digjet ngadalë, nga lart poshtë, duke siguruar dritë për anijet dhe skafet për shumë vite me rradhë!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që beson se zjarret duhen mbajtur nën kontroll. Deri sa të shuhen vetë.