PREKËSE / I mallëngjyer nga Zelenski, Rama firmos shitjen e Butrintit me lot në sy

5 May 2022, 15:25Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
PREKËSE / I mallëngjyer nga Zelenski, Rama firmos shitjen e Butrintit
Kryeministri shqiptar teksa flet presidenti i Ukrainës mendon si do t'i bëjë leckë turistët ruse këtë verë

TIRANË – Nuk ka kaluar pa lënë gjurmë të thella në ndërgjegjen e kryeministrit shqiptar dhe anëtarëve të qeverisë, fjala prekëse e presidentit të Ukrainës Volodimir Zelenski drejtuar parlamentit shqiptar. Përshkrimet e tij për vuajtjet e popullit ukrainas gjatë këtyre dy muajve vrastarë të sulmit ushtarak rus tronditën të pranishmit, deputetë të shumicës dhe pakicës, por sidomos kryeministrin Edvin Pikaso dhe ministrat e kabinetit.

Duke e gjetur veten të pikturojë pa vetëdije mbi një projektligj, kryeministri i emocionuar deklaroi se para pamjeve të viktimave civile në Irpin, njeriu e kupton se sa e shtrenjtë është jeta dhe se gjërat materiale të kësaj bote shumëzohen me zero.

“Nuk jemi asgjë në këtë dynja. Ndaj sa jemi gjallë, duhet të tregohemi të dhembshur dhe të mos rendim pas fitimit,” tha kryeministri, teksa firmosi shitjen e Parkut Arkeologjik të Butrintit tek ca njerëz të mirë nga Amerika.

“Të ndihmojmë të tjerët, se në botën tjetër nuk marrim gjë me vete, përveç emrit të mirë,” shtoi ai, duke miratuar ndërtimin e pesë restoranteve dhe tre fastfudeve brenda zonës arkeologjike.

E përlotur u shfaq para kamerave dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Ballukja.

“Fëmijët e Ukrainës… o zot, si engjëj”, u ngashërye ajo pasi firmosi shitjen e energjisë nga Fierza njëherësh me blerjen e energjisë nga jashtë me dyfishin e çmimit të Fierzës. “E tmerrshme,” shtoi Ballukja.

Nga ana e saj, ministres së Financave Brahina Delinaj iu dridhën duart kur miratoi vazhdimin e pagesave për projektet e incineratorëve.

“Rusia do të përgjigjet për këto krime. Mos u ngopshin jarebi,” tha Delinaj duke shfryrë hundët nga mallëngjimi, teksa dërgoi në adresë të paditur edhe 2 milionë euro të tjera.

Ndërkaq, ministrja e Bujqësisë dhe Ujrave që mos rrjedhin, do pikojnë, Krifa Fridca, kërkoi me urgjencë një gotë ujë.

“Pamjet e Mariupolit nuk do më shqiten nga mendja,” mezi foli ajo duke iu dridhur mjekra. Teksa aprovoi disa milionë euro grante bujqësore për dy fermerë të dalluar, Fridca deklaroi se Shqipëria do t’i gjendet pranë Ukrainës.

“Për këtë arsye, si fillim nuk do lejojmë më shumë se dy kallama në çdo dorë peshkatari. Çdo kallam, jo më shumë se dy grepa. Në qoftë se duhet, unë do dal vetë në terren, dhe do kontrolloj kallam për kallam. Peshku ynë duhet t’i shkojë Ukrainës,” tha Krifa Fridca…   

Patronazhisti ka mësuar se njësoj të shokuar nga ngjarjet në Ukrainë, ministra të leqendisur nga lotët miratuar projekte rindërtimesh, kalime fondesh për check-up, tendera vaksinash dhe maskash tani që pandemia ka mbaruar etj.

Po kapakun edhe një herë ja vuri kryeministri Pikaso. Ai iu drejtuar Zelenskit: “Rrini i qetë zoti President, ne jemi me ju. Sa të vijnë turistët rusë në verë, pa do ta shohësh po nuk i bëra qepaze…”  

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike jashtëzakonisht e mallëngjyer nga operacioni anti-kallam i ministres Fridca


Video