LAJMI I MIRË / Indeksi i lumturisë, pensionistët: Bereqavers, jemi 2% më të gëzuar këtë vit

5 Prill 2022, 14:20Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Një pensionist 2 përqind më i lumtur në Tiranë

TIRANË - Pensionistët shqiptarë e kanë ndjekur me shumë interes publikimin e raportit të fundit të Kombeve të Bashkuara për Indeksin e Lumturisë në Botë.

Siç dihet botërisht, raporti botëror në fjalë e nxorri Shqipërinë në vendin e 154-ërt nga 153 shtete të indeksuara, çka përbën një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me raportin e parafundit, kur vendi ynë renditej i 160-ti nga 153 vende.

Raporti detajon edhe nivelin lumturor për shtresat në nevojë të popullsisë, duke zbuluar se mes pensionistëve shqiptarë, niveli i lumturisë në gjak është shtuar me rreth 2%.

Sipas anketuesve, një shtesë e beftë gëzimi dhe hareje është vënë re menjëherë pas njoftimit të qeverisë Rama në fundvitin e kaluar, për një shpërblim të veçantë për çdo pensionist, për të blerë asortimentin klasik të Vitit të Ri, supën me krahë pule.  

Për të marrë një reagim mbi raportin e OKB-së, Patronazhisti pyeti disa pensionistë të Tiranës që i ka në listën e vet zgjedhore. Kështu, 72 vjeçari Selfo Krothnjari, votues i majtë, me adresë banimi në lagjen “37 Heronjtë”, Pall 7, Ap 6, me një djalë të papunë dhe një tjetër në burg në Itali dhe me një kredi të pashlyer, deklaroi:

“Përqindjen me saktësi nuk e dija, por e ndjeja që këtë fillim viti isha disi më i lumtur. Dhe ja ku doli parandjenja. Të na rrojë kryeministri. Një urim i veçantë i takon dhe zv.kryeministrit Ahmet Arbenaj, që punon ditën, e ndonjëherë dhe natën për të na shtuar 2% lumturi!”

Në prononcimin e vet, 75 vjeçari Milto Dallkauku, votues i pavendosur, me një djalë demokrat, një vajzë socialiste dhe një vajzë tjetër punonjëse me kohë të pjesshme në një qendër masazhi, komentoi:

“Nuk di ta them me saktësi. Ndoshta jam më i lumtur, posiii. Po ndoshta dhe nuk jam. Këto kohë kam qenë ca i hutuar, se nuk e kuptoj kryeministrin tonë. Djalin demokrat e kam në punë, ndërsa vajzën socialiste të papunë. I thanë te partia se nuk mund të heqin demokratët nga puna, pasi duhen shtuar votat për zgjedhjet e rradhës. Ama, vajza masazhatore është shumë e kënaqur….”                 

Nga ana e tij, 69 vjeçari Zef Tyryfyli me origjinë nga Vau i Dejës u shpreh i bindur se shtesa prej 2% e lumturisë duhet të jetë llogaritur gabim:

“Se qe si asht puna: Mue mu prish shpia prej tërmetit dhe tash e kam shpinë e re. Shpinë tjetër në Borsh të Sarandës, që ma kanë lanë prindët, sapo e legalizova. Im bir farmacist ka tash dy vjet që shet maska Covidi dhe bani vilë në Dhërmi. Unë jam i bindun që lumturia jeme asht shtue me 40-50 përqind, pranej tham që 2 përqind asht shumë pak!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike jo dhe aq e lumtur  

Video