SHPËRTHEN KANDIDATI BERISHA / Mjaft me këto mumje, PD ka nevojë për gjak të ri!

29 Mars 2022, 15:20Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Doktori si gjak i ri në PD

TIRANË – I karakterizuar në gjithë historinë e tij të freskët politike nga tonet e ulura qytetare, zëri i shtruar, veprimet e matura dhe kundërshtimi i padiskutueshëm ndaj çdo akti dhune, kandidati i ri për kryetar të Partisë Demokratike Sali Berisha, shokoi gjithë opinionin publik këtë të hënë.

Duke dalë totalisht nga vetja, Berisha vendosi të ngrejë zërin dhe godasë me grusht në tavolinë gjatë mbledhjes së disa eksponentëve të partisë kryesore të opozitës, duke kërkuar me ngulm që PD-na ta marrë në dorë gjaku i ri, forcat e reja progresiste konservatore.

“Mund t’ju duket e çuditshme që unë di edhe të bërtas,” deklaroi Berisha, “por më dhemb zemra kur shoh që partinë duan ta marrin në dorë ca gërxho, ca dinozaurë, ca mumje të së kaluarës që bien era naftalinë dhe myk bashkë. Ne shyqyr që hoqëm Lulzim Bashën, që kishte zënë rrjetë merimange në karrigen e kryetarit që nga viti 2013! Tani duan të shpallin kandidaturën pensionistë si Alibeaj, ai Kadilli apo ku di unë kush tjetër!”

Berisha u bëri thirrje të pranishmëve që të marrin fatet e opozitës në dorë dhe të tregojnë guxim duke eksperimentuar me emra të rinj.

“Duhet gjak i ri. Si do t’i afrojmë të rinjtë, studentët, të papunët? Duke vënë kryetarë që nuk thonë asgjë? Jo. Mjaft me aventurierë që e duan PD-në për interesat e tyre personale dhe familjare. Unë shpall kandidaturën time për kryetar. Sikur dhe dy vota të marr, aq më bën, rëndësi ka që të shpalos platformën time”.

Berisha, i cili në rrethet e forumeve rinore të PD-së njihet si “Infermieri”, por ka premisa për t’u thirrur “Doktor”, në vijim të parashtrimit të tij e kuptoi teprimin, dhe e uli zërin sërish.

“Të më falni për këtë shpërthim. Nuk jam mësuar të bërtas, as të kërcënoj. Por partia jonë duhet ta kapërcejë këtë fazë kritike, duke shikuar përpara, jo pas. Unë sugjeroj që në statutin e ri të partisë, të përjashtojmë nga kandidimi të gjithë ata që janë shpallur non-grata departamenti Pakistanez i shtetit. Marrëdhëniet tona strategjike me Pakistanin janë të shenjta!”

Vini Re: Patronazhisti, siç mund ta keni nuhatur, është rubrikë satirike. 

Video