S’KA VEND PËR ALARM / Gripi i pulave, çmimet, zjarret etj: Qeveria e ka situatën nën kontroll

23 March 2022, 18:27Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
S’KA VEND PËR ALARM / Gripi i pulave, çmimet, zjarret etj:
Pula e nxjerr gripin me alkool

TIRANË – Zyrtarët e qeverisë shqiptare deklaruan edhe një herë dje se situata e gripit të pulave është nën kontroll dhe se rastet e infektimeve janë izoluar.

Zyrtarët kishin deklaruar që 20 ditë më parë, kur 40 pelikanë u gjetën të ngordhur në liqenin e Prespës, se pavarësisht se nuk e dinin arsyen tragjedisë së shpezëve, ky ishte një rast i izoluar dhe se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar.

Me kalimin e ditëve, lajmet mbi ngordhjen misterioze të mijërave pulave nëpër pulari të ndryshme u komentuan gjakftohtësisht nga zyrtarë të ministrisë së Bujqësisë dhe agjencitë e veterinarisë, si të tjera raste të izoluara që nuk përbënin asnjë rrezik për njerëzit.

Kur shifra e ngordhjeve masive arriti një million shpezë, ekspertët qeveritarë siguruan popullatën me kompetencë shkencore se nuk kishte vend për alarm, pasi gripi shpezor nuk transmetohet tek njerëzit. Nga ana tjetër, pulat e infektuara ishin asgjësuar me vendim gjykate të formës së paprerë, dhe u tha se mishi i dyshimtë nuk kishte dalë në treg.

Gjithsesi, ekspertët i këshilluan shqiptarët që ta zienin mirë e mirë pulën ose vezët që mbanin në frigorifer, në një milion gradë, për të qenë të sigurtë.

I pyetur nga redaksia e Patronazhistit se çfarë nënkupton qeveria kur deklaron herë pas here se e ka situatën nën kontroll, zv.drejtori i nëndrejtorisë së Pulave në Institutin Veterinar të Gjysmagjelave, Skifter Kokoshi tha:

“Kur ne themi kështu, nënkuptojmë që vërtet e kontrollojmë situatën. Domethënë, kontrollojmë si nisin rastet e para të infektimeve, i vëzhgojmë me vigjilencë se si shtohen ato në zona e pulari të ndryshme, mbajmë shënim sesi shumëfishohen rastet e izoluara e kështu me rradhë. Edhe tani që po flasim, situatën e kemi nën kontroll”.

Me të njëjtën metodë bashkëkohore kontrolli, qeveria shqiptare ka future nën kontroll të rreptë shtetëror çmimet e karburanteve në këto kohë krize. Siç është bërë e qartë prej disa ditësh, tani çmimet e naftës dhe benzinës nuk i rrisin më privatët në kokë të vet, por i rrit komisioni qeveritar i mbikqyrjes së çmimeve, në mënyrë të organizuar dhe pa panik.

P.S. Ashtu si dhe vitet e tjera, me ardhjen e stinës së nxehtë shpresohet që organet qeveritare që kenë nën kontroll edhe zjarret që ndizen në zona të ndryshme në vendit. Siç tashmë është bërë botërisht e njohur, autoritetet përkatëse i mbanë nën monitorim të rreptë vatrat e flakëve, duke parë me kujdes sesi ato djegin deri në fund, por pa dalë jashtë kontrollit, faqe malesh, pyje etj etj.

VINI RE: Patronazhisti është rubrikë satirike e dalë jashtë kontrollit


Video