MOSKË – Presidenti i Republikës Federative të Rusisë, Vladimir Putin deklaroi dje në mbrëmje se Rusia mbështet fuqimisht iniciativën e Ballkanit të Hapur.
Duke iu përgjigjur pyetjeve agresive të tre gazetarëve rusë të atashuar pranë Kremlinit, Putin foli për sulmin vetëmbrojtës të ushtrisë ruse kundër shtetit Hitlerian të Ukrainës, duke theksuar se Rusia bën thirrje për vazhdimin dhe thellimin e nismës Ballkani i Hapur.
“Është një iniciativë që do të thellojë bashkëpunimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor dhe kundrejt të cilës, vendet anëtare do të kenë vetëm përfitime. Prandaj i bëj thirrje presidentit gangster të Ukrainës të dorëzojë armët dhe të ulemi për negociata. Njëkohësisht i bëj thirrje ushtrisë ukrainase të arrestojë presidentin dhe gjithë udhëheqjen politike të vendit. Nga ana tjetër, nëqoftëse Forcat e Armatosura të Ukrainës nuk e pranojnë këshillën time, i bëj thirrje presidentit gangster t’i shkarkojë gjeneralët e pabindur. Në fund, për t’iu rikthyer paqes, u bëj thirrje si ushtrisë, ashtu dhe udhëheqësve ukrainas, të shkarkojnë, arrestojnë ose pushkatojnë njëri tjetrin,” deklaroi Putin, duke shtuar:
“Për mendimin tim, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina duhet t’i bashkohen Ballkanit të Hapur”.
Pyetjes dashakeqe të një gazetari të Pravdës: “Zoti President, si shpjegohet që jeni një udhëheqës kaq gjenial dhe keni gjithmonë të drejtë?”, Putin iu përgjigj hapur dhe me sinqeritetin që e ka karakterizuar:
“Nga cila gazetë jeni ju, Pravda? Jepini të fala Sandrit”.
Ndërsa gazetari agresiv djersiti tre palë djersë në përpjekje për të kuptuar kush ishte Sandri dhe kolegët e medias filluan ta pështynin dhe shkelmonin me neveri për ndërhyrjen pa takt, Presidenti rus vijoi:
“Kështu… e kisha llafin tek nevoja për një Ballkan në paqe dhe progres të vazhdueshëm. Edhe pse Serbia mund të dëmtohet disi nga iniciativa e mësipërme, unë besoj se Presidenti Vuçiç do ta bëjë këtë sakrificë. Do vijë ta ndihmojë edhe zoti Dodik, i cili mezi pret të shohë një Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnjë të përparuar dhe të lulëzuar. Sa për Shqipërinë, këtë Zvicër të Ballkanit, unë jam i bindur se Tirana do ta vërë dorën në zemër për ta ndihmuar rajonin,” dhe Putin shtoi duke parë disa ekrane:
“Finlanda dhe Suedia t’i vënë gishtin kokës dhe të mos u bashkohen neonazistëve ukrainas, neofashistëve francezë, monarko-fashistëve amerikanë dhe lakejve të tyre në Britaninë e Madhe dhe Itali”.
Në pritje që dy gazetarët e mbetur në sallë të vinin në vete pasi u kishin rënë të fikët ngaqë u kishte ardhur rradha të bënin pyetje, Vladimir Putin deklaroi:
“Ballkani i Hapur është zgjidhja për paqen në Europë dhe në botë!” Duke shtuar:
“Hë pra, do ta hapni apo ta hap unë?”
Vini Re: Patronazhisti është një rubrikë satirike që kishte disa pyetje për Presidentin Putin, por ndërroi mendje