TIRANË - Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës se programi qeveritar për rindërtimin pas tërmetit të nentorit 2019 ka ngecur, zv.kryeministri, njeherësh ministri për Rindërtimin dhe Reformat Ahmet Arbenaj deklaroi dje se brenda muajit qershorit, të gjithë ministrat e kësaj qeverie do të strehohen në banesat e tyre të reja.
“Kam dalë përpara jush,” deklaroi Arbenaj para reporterëve, “për të hedhur poshtë me neveri insinuatat se programi i rindërtimit po tejkalon afatet e premtuara. Për ta ilustruar, si drejtues i ekzekutivit dhe si politikan, po e nis nga vetja: Unë ju garantoj se vila ime e re do të përfundojë brenda qershorit 2022, duke qenë gati për sezonin e ri turistik”.
Në vijim, ministri pranoi se një program masiv dhe me sfida të shumta organizative si rindërtimi, padyshim do të haste edhe pengesa.
“Duhet ta kini parasysh, nuk ka qenë fushë me lule, përkundrazi: Programi i rindërtimit në vetvete i ngjan një xhungle ku tigrat mund të zënë pusi në çdo hap. Por ne po ja dalim”.
Dhe Arbenaj renditi një sërë vështirësish, si projekti i keqzbatuar i pishinës, që ishte llogaritur për t’u mbushur me ujë Lajthiza, por inxhinierët gabimisht e kishin mbushur me Qafë-Shtama; mermeri i dobët nga ishujt grekë në vend të atij të Karrarës; vendosja e dritareve me xham të dyfishtë, në vend të xhamave të trefishtë, e kështu me rradhë.
“Të gjitha këto gafa u ndreqën, por na u desh një rialokim modest fondesh për të korrektuar gabimet. Ama, këto janë gabimet e rritjes, që na ndihmojnë për t’u përmirësuar në të ardhmen,” pohoi ministri.
Zv.Kryeministri ndërkaq informoi edhe për projekte të tjera të programit madhor qeveritar. Kështu, banesat e reja të kryeministrit Rama në Surrel, të ministrave Balluku e Gjiknuri në Rivierë, ministrit Manja ne Maqellare, por edhe ministrave të tjerë në pika të ndryshme të atdheut, janë drejt përfundimit me ritme të shpejta.
“Opozita na akuzon se përfituesit e rinj ende nuk kanë marrë çelësat në dorë, dhe kur erdhi Presidenti Erdogan, ceremonia e dhënies së shtëpive ishte falso. Kjo nuk është e vërtetë,” deklaroi Arbenaj.
Ai saktësoi se vonesa minimale është thjesht një kleckë burokratike.
“Është duke u kryer kalimi i pronësisë së truallit të ndërtimit, nga qeveria qëndrore, në bashkitë përkatëse dhe më tej tek pronarët fundorë. Kjo vonesë dy-tre muajsh nuk ka lidhje me vetë rindërtimin në terren, që është pothuajse ka mbaruar,” pohoi ministri.
Arbenaj siguroi se deri në momentin e hyrjes në shtëpitë e reja, qeveria do t’u sigurojë ministrave pagesën e qerase provizore, nëse këta të fundit nuk pranojnë të strehohen në njërën nga 4-5 banesat private që ka secili.
Duke e mbyllur, Zv.Kryeministri ftoi faktorët e tjerë politikë të pushojnë së hedhuri baltë mbi punën e qeverisë:
“Ku e gjeni gjithë këtë baltë xhanëm? Pse pak llaç, çimento, shtuko, rifinitura allcie, pllaka spanjolle etj etj, ka Shqipëria? Turp t’ju vijë”.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë humoristike e pastrehë.