E BUJSHME / Toç Panel legalizon gazetaxhiun e njohur: Ka veti shëruese!

7 Prill 2022, 22:05Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Tatuazhe te legalizuara

TIRANË – Harrojini serialet meksikane, turke e indiane me skenarë marramendës që të mbajnë frymën, me protagonistë që dashurohen, armiqësohen, vrasin njëri-tjetrin, ringjallen, rishfaqen si vëllezër binjakë, bien në varfëri dhe rikthehen si miliarderë…

Prodhimet dramatike që janë transmetuar me kaq sukses në Toç Panel, kohët e fundit janë sfiduar në shikueshmëri nga ngjarjet reale brenda televizionit famoz. Zhvillimet në kupolën e stafit drejtues i kanë bërë me turp skenaristët dhe regjisorët e serialeve më të ndjekur në Turkmenistan, Azerbajxhan dhe Sirinë Lindore, të cilët po japin dorëheqjen njëri pas tjetrit, të akuzuar për mungesë fantazie.

Historia fillon nga fundi, me rikthimin në drejtimin e sektorit të informacionit Toç Panel të ish-armikut të shndërruar në mik, gazetaxhiut anglofon So-called Ball. Ai që ditët e para zbuloi se për katër vjet rresht, domethënë sapo televizioni e largoi katër vjet më parë, i njëjti ekran vinte gjoba të cilat i vilte bashkë me faturat e ujit dhe dritave.

Këtë scoop, këtë gjëmë të Toç Panel, zoti Ball e shpalli në edicionin qendror të lajmeve të të njëjtit television, duke vendosur kësisoj standarde të paarritshme autokritike dhe auto-transparence.

“Që të jemi të qartë, gjobat nuk i ka vendosur televizioni… por drejtuesit e tij… Domethënë, jo tamam drejtuesit, por ata që punonin me drejtuesit… Por këtej e tutje drejtuesit… por dhe unë bashkë me drejtuesit, nuk do ta tolerojmë më këtë situatë,” lexoi autokritikën me zërin që i dridhej folësi kryesor i lajmeve në Toç Panel, i mirënjohuri Iljaz Pako.

Historia vazhdon nga fillimi, kur gazetaxhiu i njohur So-called Ball – të cilit në botën anglo-saksone emrin ja përkthejnë i Ashtuquajturi Topth – u dëbua befasisht nga Toç Panel një katër e kusur vjet më parë. Asokohe zëra të poshtër nga brenda Toçit thanë se Topthi kishte vrapuar të merrte intervistë ekskluzive një ish-ministër të brendshëm të cilit sapo i ishte firmosur fletë-arresti. Të poshtrit shtuan se Topthi i kishte kërkuar dhe një faturë të mirë uji ish-ministrit, por për këtë nuk i kishte thënë gjë Toç Panelit.

Dhe kur ish-ministri pyeti lidershipin e Toçit të nesërmen, “hë mo, si ju duk ai uji im? Shumë i mirë, hë?”, Toçistët u ndjenë të ofenduar, se as që kishin njomur buzët fare.

Historia mbaron me vazhdimin, që sheh të Ashtuquajturin Topth t’u vihet me lugë në brez pularive, koteceve dhe tufave me gjela deti, në kërkim të shpezëve që nuk paguajnë as drita e as ujë. Por si fillim, Topthi do merret me legalizimin e hashashit. Ai deklaroi se hashashi mjekësor është ilaç për Toçat dhe për Topthat.

“Dhe unë jam shembulli më i mirë për të treguar të mirat e kanabisit,” deklaroi Topthi, “a e mbani mend ish-ministrin që intervistova unë? Ai akuzohej për kanabis, unë i mora tatimin mbi vlerën e shtuar me faturën e ujit dhe me tepricat bëra këto tatuazhet plot ngjyra. Ngjarjet rrodhën në mënyrë të atillë që edhe unë, edhe kanabisi u LEGALIZUAM!”      

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e palegalizuar

Video