SHOWBIZ / Kryeministria hap audicionet për sezonin e ri presidencial

25 Prill 2022, 15:29Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Grumbull kandidatësh presidencialë pranë kryeministrisë

TIRANË – Një grumbullim i pazakontë njerëzish në oborrin prapa kryeministrisë javën e kaluar, që tërhoqi vëmendjen e mediave dhe gjithë opinionit publik dhe atij privat, zbuloi hapjen zyrtare të audicioneve për sezonin e ri presidencial, njoftojnë burimet për Patronazhistin.

Njerëz të moshave, profesioneve dhe papunësive nga më të ndryshmet tërhoqën nga një numër rendor, dhe pritën me durim për të kaluar në një intervistë të shkurtër nga juria e këtij eventi të madh kombëtar, e kryesuar nga agai mediatik pranë kryeministrisë, Fendri Uga.

Një pjesë e mirë e kandidatëve, thonë burimet, i plotësonin që më parë kushtet e shpallura të pjesëmarrjes, domethënë moshën mbi 40 vjeçare, nënshtetësinë shqiptare dhe jetesën pa ndërprerje në Shqipëri për të paktën 10 vitet e fundit. Por edhe atyre që nuk i plotësonin kushtet, u erdhën në ndihmë sekserët që sillen vërdallë pranë ambasadës italiane, të cilët për një pagesë të arsyeshme plotësuan formularët dhe ofruan dokumente të ligjshme për të gjithë të interesuarit.

Reporteri i dërguar nga Patronazhisti intervistoi disa prej kandidatëve.

***   

Kandidati presidencial Guri Sazja deklaroi për kamerën tonë se familja e tij kishte luftuar në shekuj për Pellazgjinë e lirë dhe të pavarur, prandaj ai e meritonte të ishte president.

“Dëgjoni, gjithçka ekziston mbi këtë botë është ose pellazge, ose shqiptare, ose të dyja bashkë. Por ne këtë e harrojmë sepse na kanë mbytur ethet e pasurisë,” deklaroi Sazja, i cili në kohën e lirë u lëshon leje mjedisore pikave të karburanteve në mes pallatesh, apo pikave të inerteve buzë lumenjve.
“Ja për shembull, një vend i largët, Mongolia. E dini ju kuptimin e kësaj fjale? Vjen nga Mon, që është shkurtimi tiranas i Osmanit, dhe nga Gol, loja e vjetër pellazgjike. Pra, Moni që bën Gol”.

***

E pyetur nga reporteri ynë, kandidatja Pelena Pocaqi, historiane autodidakte, deklaroi se atë e kishin propozuar 120% e shqiptarëve për presidente, por ajo ende nuk ishte e bindur.

“Do mendohem,” tha Pocaqi, “megjithatë i falenderoj fansat e mi. Këtu erdha të dorëzoj formularin thjesht nga kurioziteti, dhe të këshilloj kryetarin e jurisë Fendri Uga sesi të pyesë kandidatët e tjerë. Për shembull, një pyetje me vlerë për çdo kandidat do ishte: A do t’i luteshit ju Pelena Pocaqit të pranonte postin presidecial, nëse ajo do shfaqte dyshime?”

***

Një tjetër konkurrente për garën presidenciale ishte dhe 21 vjeçarja… na falni, 41 vjeçarja Sindi Currufepsja. Sindi pohoi se ajo nuk e kishte fiksim në vetvete fitoren.

“Në qoftë më përzgjedhin si banore e shtëpisë presidenciale, unë do të jem vetvetja,” deklaroi Sindi duke pulitur sytë e shkruar, “nuk më intereson fitorja me cdo kusht, thjesht dua të tregoj vlerat e mia dhe t’ja kaloj mirë me grupin. Mua më pëlqen të lahem në dush para kamerave me bikini, të zhytem në pishinë orë e pa orë, si dhe të më rrëshqasë sutjeni padashje në kulmin e shikueshmërisë televizive. Por kam edhe hobe të tjera. Ëndrra ime për të ardhmen, nëse zgjidhem, është të bëj një videoklip”.

***

Patronazhisti ka mësuar se intervista të përafërta me të mësipërmet kanë dhënë edhe 70 e kusur kandidatët që kanë propozuar deputetët socialistë, 200 e ca emrat e ofruar nga shoqëria civile si dhe mbi 300 të interesuarit që u intervistuan tek kryeministria.

Produksioni gjigand që po përgatitet, premton të jetë një nga shfaqjet më të suksesshme të viteve më fundit, kjo edhe për faktin se shumë kompani kanë ofruar reklamat e tyre gjatë transmetimit.

Produkte si nafta 3 euro litri, vaji i lulediellit 4 euro shishja, buka masive 1.5 euro copa, domatja e vendit 5 euro kilja etj, do të jenë të pranishme në çdo ekran televiziv me fillimin e muajit maj.

Na ndiqni dhe votoni për të preferuarin tuaj presidencial. Telefononi tani dhe do përfitoni bashkë me një president, edhe një bisedë kokë më kokë me again mediatik pranë kryeministrisë, Fendri Uga. Nxitoni, nxitoni!

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-presidenciale, dmth monarkiste          


  

Video