VINI RE: Ky individ kërkon një kandidaturë normale për President

18 April 2022, 15:28Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
VINI RE: Ky individ kërkon një kandidaturë normale për
Kryeministri në një ditë normale pune

TIRANË - Një grup i përbërë nga njerëzit më të rëndësishëm në vend është vënë në kërkim të një kandidati për President të Republikës, i cili duhet të plotësojë një prej kritereve më të vështira për Shqipërinë, pohojnë burimet për Patronazhistin.

Kriteri në fjalë bëhet akoma më i zorshëm për t’u gjetur, po të kemi parasysh se cilët janë individët që e kërkojnë atë. Shkurt, Presidenti që kërkohet, duhet të jetë normal. Kështu mësohet se e ka kërkuar identikitin e kreut të ri të shtetit, kryeministri i vendit, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste.

Burimet kanë siguruar Patronazhistin se bëhet fjalë për të njëjtin kryeministër që solli në jetë këtë rubrikë, pra Patronazhistin, përmes masave paraprake të kontrollit në masë të elektoratit para zgjedhjeve, me synimin e vetëm, atë të organizimit të zgjedhjeve normale, dhe arritjes së një fitoreje normale zgjedhore.

Presidentin normal kësisoj e kërkon kryetari i qeverisë dhe partisë më të madhe në vendin që sa vjen e bëhet më i vogël; i njëjti personazh publik që shkon në mbledhje partie me tuta dhe pantofla, dhe kur bën pak ftohtë, hedh në supe edhe ndonjë robdëshambër.

Burimet sigurojnë se është i njëjti kryeministër – dhe jo ndonjë individ tjetër – që në mbledhje qeverie nxjerr kutinë e lapsave me ngjyra dhe vizaton shkarravina mbi dokumente shtetërore. Të njëjtën gjë bën edhe gjatë takimeve me personalitete të huaja, të cilëve në fund u dhuron vizatimin e kryer gjatë bisedës, me një çmim simbolik prej 10-20 mijë eurosh.

Një kryetar normal shteti e kërkon pikërisht kryeministri që rregullisht nëpër samite ndërkombëtare shkon i veshur me benevrekë dhe atlete të bardha, dhe vetëm kur kërkon qëllimisht të ofendojë bashkëbiseduesin, vishet me kostum të rëndomtë.

Është po ai kryeministër që lufton me stuardesat nëpër avionë kur i kërkojnë të vendosë maskë, ndërkohë që në fillim të të njëjtës pandemi kundër të cilës vendoset maska, nxorri nëpër rrugët e Tiranës mjetet e blinduara ushtarake me mitralozë gati për zjarr të montuar sipër, për t’i kallur datën virusit.

Duke dhënë akoma më shumë siguri se bëhet fjalë për të njëjtin person, burimet konfirmuan për Patronazhistin se po, është po ai kryeministër që deklaratën e parë dhe të fundit të pasurisë e ka bërë para një dekade, në shumën prej 3 mijë eurosh.

Iniciatori i kërkimit të dëshpëruar për një president normal, është i njëjti kryetar qeverie që miraton çdo kontratë shumë milionëshe, koncesion, prokurim të drejtpëdrejtë, PPP, etj, në vijim e mbron atë kontratë me zjarr dhe sulmon çdo kritik e kundërshtar; e në fund kur organet e drejtësisë detyrohen të pranojnë se bëhet fjalë për grabitje flagrante të parasë publike, deklaron se nuk merr vesh nga shifrat dhe detajet teknike, dhe se duhet të shkojë në burg gjithkush që ka firmosur dokumentet, përveç atij vetë.

Si përfundim, Patronazhisti mëson se ai që këmbëngul për një president normal, krejt të ndryshëm nga ai aktual të cilit po i mbaron mandati, është i njëjti nismëtar që e propozoi dhe e votoi kreun e sotëm të shtetit, pra, kryeministri Edvin Pikaso.

***    

Ndërkohë, dy socialistë të tjerë me peshë që kërkojnë një president normal, janë përkatësisht Episa Spirodhalla dhe Tellall Balli. Në një konferencë për shtyp, ata deklaruan se kanë marrë udhëzime nga kryetari i partisë, përmes një vizatimi të koduar mbi një vendim qeverie, që të mos rreshtin që kërkuari normalitetin.

Siç dihet botërisht, Tellall Balli është i njëjti eksponent socialist që pa patur asnjë detyrë shtetërore, prej vitesh të tëra hartonte lista punësimesh në këmbim të arkave me peshk Shkumbini.

Nga ana tjetër, president normal kërkoi edhe ministrja që kujdeset për marrëdhëniet mes qeverisë dhe parlamentit; me fjalë të tjera, për mirëkuptimin mes ministrave të qeverisë dhe deputetëve të partisë. Është bërë e njohur tashmë se zonja Spirodhalla ka një bust të sajin në zyrat qëndrore të Doganave shqiptare, ku për aq kohë sa shërbeu si drejtoreshë e përgjithshme ka lënë rreth 5 milione përshtypje nga më normalet e mundshme. Madje sot e gjithë ditën, ajo gëzon edhe titullin honorifik të kryedoganieres së nderit.

P.S. Menjëherë pas thirrjes socialiste për një president normal, disa dhjetra personazhe nga më normalët shpallën kandidaturën për kryetar shteti.

Vini Re: Patronazhisti është një rubrikë satirike anormale      


Video