HISTORIKE / Kongresi i Partisë së Punës Socialiste mbyll me sukses punimet

11 April 2022, 16:15Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
HISTORIKE / Kongresi i Partisë së Punës Socialiste mbyll me
Udhëheqësi i lavdishëm shoku Zoti Edi duke mbajtur fjalimin programatik

TIRANË - Në një atmosferë revolucionare Kongresi i Partisë së Punës Socialiste mbylli me sukses punimet të shtunën e kaluar, pasi i kishte hapur ato me të njëjtin sukses një ditë më herët.

Delegatët kishin shkuar në këtë kongres programatik me duart plot arritje, dhe pasi i dorëzuan arritjet në hyrje, patën mundësi që t’i kishin gjymtyrët e sipërme të lira për të duartrokitur fjalimin e jashtëzakonshëm të shokut Zoti Edi.

Sipas Agjencisë Telegrafike të Shushatur, ATSH, para punimeve finale të Kongresit, u mbajtën disa plenume të veçanta nga ministrat kryesorë, të cilët renditën me durim të gjitha gabimet e bëra nga qeveria Berisha dhe ajo Meksi para saj, dhe më tej shpalosën masat e marra për t’i ndrequr ato.

Kështu mbesa e shokut Beqir deklaroi se së shpejti do të mbërrijnë në Shqipëri dy anija të ngarkuara me korrent, që do të prodhojnë non-stop gjatë gjithë beharit për nevojat e popullit.

“Nuk do t’i lëmë shqiptarët pa korrent,” deklaroi ministrja mbesë, “për hir të popullit, ne kemi shitur korrent lirë dhe kemi blerë shtrenjtë, dhe mezi presim që të rimbushet kaskada e Drinit për të rishitur dhe riblerë”.

Nga ana e tij, nipi i shokut Gafur deklaroi në një plenum paralel, se policia shqiptare do të vërë edhe më shumë forca në dispozicion të luftës kundër shfaqjeve të huaja, tani që shumë trupa do të lirohen nga legalizimi i hashashit për motive shëndetësore.

“Vetitë shëruese të hashashit janë të njohura botërisht. Gjasat janë që edhe spitalet të lirohen goxha nga ngarkesa e deritanishme. Prandaj edhe një grup mjekësh e infermierësh që mund të dalin në dispozicion, do t’i rialokojmë të luftojnë kundër fenomeneve si flokët e gjata dhe pantallonat kauboj,” deklaroi nipi i shokut Gafur.

Në fjalimin e tij historik që përloti gjithë delegatët, kryetari shoku Zoti Edi, që siç dihet, është djali i shokut Kristaq, nuk ngurroi që krahas sukseseve të mëdha, të rendisë edhe disa difekte. Ai vuri gishtin në plagë duke kritikuar disa shokë të gjikatës dhe prekurorisë, që ja kanë varur punët dhe kanë rënë në pozita të familjaritetit të sëmurë.

“U bëj thirrje këtyre shokëve të thellohen, dhe të zbulojnë grupet armiqësore në zëvendës-kryeministri, në sektorët e incineratorëve por edhe në ish-Frontin Demokratik, që tani quhet Partia Demokratike. Si shpjegohet që gjithë armiqtë i ka zbuluar Partia dhe jo Gjikatat dhe Prekuroria?”, deklaroi kryetari.

Në vijim, ai hodhi kunja edhe ndaj ndonjë – ish socialisti të dalë duarsh, si nipi dekadent i shokut Hysni që tashmë prej vitesh vjell vrer ndaj arritjeve socialiste.    

Në fund, Kongresi përcaktoi detyrat e reja të qeverisë, mes të cilave veçojmë: Çuarjen e popullsisë së vendit në 1,5 milionë banorë, arritjen e një mesatareje ushqimore prej 1 vakti në ditë për banor, ndërtimin e 100 pedonaleve të reja në fshatra me 35 banorë e poshtë etj.

Njëkohësisht, u votuan edhe strukturat e reja të sekretariateve, ku u zgjodhën kuadro të devotshëm si mbesa e shokut Spiro, baxhanaku i shokut Haxhi, dy kunetër të shokut Llambi dhe nipi i shoqes Lenka.

Nipit të shokut Hysni iu bë thirrje edhe një herë t’i vërë gishtin kokës. Por ky i fundit, burime për Patronazhistin pohojnë se reagoi duke ngritur gishtin e mesit.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike kongresuale 


Video