INTELEKTUALJA / Nënkryetarja e Kuvendit Ermioni Thela sqaron deklaratën e gjenocidit serb

2 June 2022, 14:29Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
INTELEKTUALJA / Nënkryetarja e Kuvendit Ermioni Thela sqaron
Zonja Ermioni duke sqaruar elektoratin

TIRANË / URA E VAJIT TË GURIT - Nënkryetarja socialiste e Kuvendit të Shqipërisë Ermioni Thela ka bërë kohët e fundit një deklaratë kaq të fuqishme patriotike dhe atdhetare, saqë ka fituar admirimin e të gjithë patriotëve, nga Novi Sadi e Beogradi, në Kragujevac e Nish.

Ajo tha në një emision televiziv se parlamenti shqiptar nuk mund të miratojë një rezolutë që dënon gjenocidin serb, sepse kjo do të pengonte vijimin e suksesshëm të Iniciativës ‘Ballkani i Hapur’.

Ky qëndrim luajal dhe institucional u duartrokit në gjithë hapësirën e Serbisë, Republikës Serbe në Bosnjë dhe nga Minsku në Urale. Por pati dhe nga ata analfabetë që nuk e kuptuan çfarë deshti me thanë numri dy i parlamentit shqiptar, duke kërkuar me zor keqkuptime aty ku nuk ka.

Për këtë arsye zonja Thela u detyrua të bënte një shpjegim të hollësishëm të deklaratës, gjatë një takimi me banorë të Urës së Vajit të Gurit, qyteza që sot është riemërtuar Tremal, ngaqë ndodhet mes tre fushave.

“Dëgjoni,” tha Ermioni, “se ju e dini që unë kam qenë dhe prekurore dhe ua di mirë marifetin punëve të dovletit. Nëse socialistët do miratonin një rezolutë që dënon gjenocidin serb, si do reagonte Serbia? Do mërzitej shumë, apo jo. Dhe si do reagonte zoti Vuçiç? Do pengonte iniciativën Ballkani i Hapur. Por çfarë është kjo inciativë? Ajo u mundëson vendeve anëtare të shesin mall pa pengesa e tarifa idiote nëpër kufij e dogana. Dhe kush është në rajonin tonë vendi që shet me shumë plaçka, mall e gjë? Është Serbia. Pra, rezoluta kundër Serbisë do dëmtonte shumë tregtinë e Serbisë. Por ne nuk duam të dëmtohet Serbia, të varfërohet e të pocaqiset. Sepse një komshi i varfër është një bela më shumë. Atëherë do detyroheshim ne si shqiptarë të punonim më shumë, të prodhonim më shumë, që t’u shisnim plaçkë serbëve dhe të na mbetej dhe për vete, sa për të shtyrë dimrin”.

Në këtë pikë shtetarja Ermioni Thela bëri një pauzë, mori frymë thellë dhe iu drejtua tremalasve të Urës së Vajit të Gurit:

“Shkurt muhabeti, a doni ju të punoni sa t’ju kërcasë kurrizi për serbët? A doni të bëheni hyzmeqarë të Beogradit, të këtyre vrasësve të pashpirt që ende nuk kanë kërkuar faje për krimet që kanë bërë? Po krenaria jonë kombëtare? Po flamuri me dy koka? Po shenja e krahëve të shqiponjës që bëjmë me duar? Prandaj unë them që ti lëmë serbët të punojnë dhe të na shesin mallrat e tyre të ndyra pa pengesë, ndërsa ne të rrimë këmbë mbi këmbë dhe të bëjmë sehir!”

Në sallën ku po mbahej takimi shpërtheu një duartrokitje e stuhishme. Ermioni ja bëri me shenjë bashkëshortit prekuror të vazhdonte filmimin e eventit, se do ta hidhte në jutubt. Por pasi entuziazmi u fashit, një plak tremalas me bastun u ngrit nga fundi i sallës dhe me zë të zvargur kërkoi të bënte një pyetje.

“Më fal moj çupë, se helbete fshatarë të mesëm jemi ne dhe ca gjëra s’i kuptojmë. Ti nuk e ke keq, që të bëjmë sehir dhe të lëmë Sandrin nga Beogradi të punojë si qën bir qëni. Por një pyetje kisha: Ne që do blejmë mallin e tyre, ku do t’i gjejmë paratë?”

Ermioni ngeci pak, pastaj iu kthye: “Qenke interesant ti xhaxha. Po pse, të gjitha unë do t’jua zgjidh? Ju s’do vrisni mendjen për asgjë?”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike, në konkurrencë të fortë me Ermionin  


Video