HISTORIKE / Peshqit ndezin qiri për Kristo Landin dhe Krifa Fridcën: Tani shpëtuam!

9 May 2022, 12:39Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
HISTORIKE / Peshqit ndezin qiri për Kristo Landin dhe Krifa Fridcën:
Krifca Fridca dhe Kristo Landi duke numëruar grepat

TIRANË – Tufa të tëra qefujsh, përfaqësues të levrekëve të Adriatikut dhe Jonit, delegatë të kocave, ngjalave dhe shtizave u mblodhën dje në hyrje të lagunës së Divjakës për një organizuar një ceremoni historike falenderimi për ministren e Bujqësisë Krifa Fridca dhe në veçanti, për zv.ministrin e Peshqve Kristo Landi, gurgullojnë burime nënujore për Patronazhistin.

Arsyeja e këtij tubimi ishte gjithashtu historike: Ministria shqiptare e Tokës dhe Detit vendosi më në fund, sanksione të ashpra ndaj oligarkëve kallamaxhinj që masakrojnë peshkun në bregdetin shqiptar. Duke ndjekur pas një qiri solemn nënujor prej fosfori, ata u lutën për perënditë Krifa dhe Kristo.

“Tani shpëtuam. Mund të themi se përfundimisht ka shtet. Shqipëria do të bëhet,” deklaroi për rubrikën tonë qefulli Sejfulla Grepi.

“Unë nga ana ime, u bëj thirrje gjithë kolegëve të vijnë dhe të jetojnë të sigurtë në ujrat shqiptare. Ja, unë kam letra italiane, por tani do jetoj këtej. Peshkatarët e kallamave na e muarrën të keqen,” pohoi levreku Ndreko Galexhanti, para se një zhurmë e fortë ta mbyste korin e brohorimave dhe himneve kushtuar zyrtarëve shqiptarë.

Burimet pohojnë se me gjasë, një gjysmë kallëp dinamiti e ka ndërprerë ceremoninë festive. Ndërsa qiriri që ndiqnin ishte një llampë e ndezur enkas për t’i mbledhur bashkë.

***

Siç dihet botërisht, Ministria shqiptare e Agrikulturës dhe Akuakulturës vendosi t’u kthehet ujërave, pasi vuri rregull dhe rend në çështjet e tokës. Nuk është sekret që bujqësia jonë zë vendin e parë në rajon për importet, dhe ministrja Fridca e theksoi këtë në mbledhjen e fundit:

“Fermerët shqiptarë kanë shkëlqyer me punën dhe djersën e tyre në fermat dhe plantacionet e rajonit, kryesisht në Greqi dhe Maqedoni të Veriut. Ne importojmë pikërisht mundin e tyre, dhe jemi krenarë për këtë”.

Sipas statistikave, një tjetër parametër i bujqësisë sonë ka njohur rritje. Kështu, nëse për të marrë një grant bujqësor më parë duhet të jepje kesh në dorë 30 përqind të vlerës, tani falë punës së qeverisë, nuk ka bir fermeri të marrë grant, pa dorëzuar më parë në dorë 50 përqind të shumës së përfituar.

“Po punojmë që kjo shifër të shkojë në 55, 60%. Por jemi të ndërgjegjshëm se nevojitet shumë punë dhe përpjekje,” tha Krifa Fridca.

Nga ana tjetër, blegtoria ka spikatur në mënyrë të veçantë. Siç ka nënvizuar edhe BERZH, produktet shqiptare të bulmetit kanë kryer një mrekulli: Ato vijnë duke u shtuar, ndërkohë që qumështi që prodhojnë fshatarët vjen duke u ulur.

Patronazhisti ka mësuar se Vatikani është duke e studiuar këtë rast për ta futur atë në listën e mrekullive të Kishës, ngjashëm me Jezuin që e ktheu ujin në verë, apo me të njëjtin që i mbushi rrjetat e peshkakatarëve të Detit të Galilesë me peshq. Dhe meqë jemi te peshqit…

***

“Qejfi paguhet more zotëri”. Fraza lapidare i takon zv.Ministrit të Peshqve Kristo Landi gjatë një emisioni televiziv, ku shpjegonte pse-në e vendosjes së tarifave dhe lejeve paraprake për amatorët e kallamave, shoqëruar me rregullat e vërvitjes së grepave në det e në liqen, për djathtarashët dhe mëngjarashët.

Edhe pse nuk sqaroi më gjatë se me çfarë lloj qejfesh e kalon kohën e lirë zoti Landi, për të cilat detyrohet gjithmonë të fusë dorën në xhep, ai theksoi se ndryshe nga qeveritë e kaluara, tashmë ka ardhur koha të vihet rregull.

Sipas skedës që ka hartuar Patronazhisti, Kristo Landi figuron shefi i ujërave dhe peshqve në çdo qeveri shqiptare të paktën që nga fillimi i viteve 2000. Thashethemet thonë se në realitet, ai është ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i industrisë Big Fish pranë ekzekutivit këto 20 vitet e fundit.

Duke qenë se vuri në vijë industrinë e madhe, anijet e mëdha që gërryejnë me trata fundin e detit, peshkarexhat që hedhin rrjeta aq të holla sa zënë edhe planktonin bashkë me peshqit, motobarkat që ditën dhe natën, brenda dhe jashtë qyteteve bregdetare, në mes të plazheve dhe 100 metra larg bregut hedhin rrjeta duke peshkuar qefuj dhe turistë, të apasionuarit pas dinamitit dhe peshkimit me gjenerator nëpër liqene; pasi i bëri të gjitha këto pra, Kristo Landi si qejfli profesionist i ujrave vendosi se ka ardhur koha që qejfi të paguhet.

Kështu, pasi studioi legjislacionin kanadez, italian dhe australian, zv.ministri konkludoi në një mbledhje ministrie se dy kallama me nga dy grepa secili për cdo amator peshkimi, janë optimale për mbrojtjen e faunës detare.

“Grepi i tretë do ishte shkatërrimtar. Tek grepi i tretë unë nuk të fal,” deklaroi Kristo Landi. Por ndërkohë i ra telefoni dhe ai e mbylli mbledhjen:

“Më falni. Më duhet të largohem për punë qejfi… Desha të them, mos e prishni qejfin, se unë kam ca punë”.   

 

Vini Re: Nëse mendoni se Patronazhisti është rubrikë satirike, hidhini një sy ministrisë së Bujqësisë…


Video