
Nga Like D’Oro
Të dashur qytetarë. Por edhe ju fshatarë. Lexova me vëmendje artikullin e një gazete austriake kundër meje, ku autorë pa emër thoshin se kisha paguar 700 mijë dollarë për të vajtur në festën e Donaldit dhe për të bërë foto. Më erdhi për të qeshur. Po nuk qesha. Se unë jam kryetar shteti dhe nuk qesh, vetëm buzëqesh me masë, sepse posti im ka protokoll dhe nuk mund të lë nam duke u zgërdhirë lart e poshtë. Përkundrazi, unë në kohën e lirë kërcej nëpër tavolina parlamenti, ose si tani vonë, ftoj qytetarët të marrin cfurqet, kosoret dhe drepërit dhe t’i bien dushmanit.
Këtu, meqë ra llafi, bëra një gabim taktik, se harrova që qytetarët nuk mbajnë cfurqe nëpër shpira. Thirrjen duhej t’ua kisha drejtuar fshatarëve.
Në fakt, edhe kur s’kam qenë president, unë s’para kam qeshur. Ama kur ja ka vlejtur jam gajasur sa kam tundur dhenë, e keni parasysh, ai gazi që të kap kur dëgjon barcaleta të fuqishme që fillojnë me “ishte një herë një amerikan, një gjerman dhe një shqiptar…”. Se kur e bën një punë, duhet ta bësh tamam.
Tani të kthehemi tek dollarët. Është turp për një gazetë perëndimore, të merret me akuza të vjetra. Akuza që mbajnë era naftalinë. E tha edhe Brisida në emision te Fevzua, “o pikë e zezë,” tha, “këto akuza janë aq të vjetra sa mbaj mend që ja kam bërë unë Likes personalisht, kur isha te tatimet. E zbulova këtë faturën dhe i thashë Edit, e kapëm Liken mat. Bjeri më tha Edi, por me kujdes. E kuptoni pra sa e vjetër është kjo çështje?”.
Vajzë e mirë Brisi, e shkathët. I dallon akuzat e vjetra që një orë larg.
Pa le pastaj kur thonë që Mona ka hequr mustaqet dhe barsetat me operacion, dhe ka fryrë vetullat me para të pista. Të ishin të pista paratë, do ishte mbushur me infeksione more zotërinj. M’fal m’fal, m’fal një minutë ta mbaroj mendimin. A ka mjekë ky vend, përveç Doktorit gjigand? E di dhe bufi që paratë e pista duhen dizinfektuar dy-tri herë me granosanë para çdo botoksi apo heqje dhjami!
Po këtyre u mungon dhe fantazia mor zotëri. 700 mijë më nxorrën tek Donaldi, 700 mijë më nxorrën dhe tek videoja e Priftit të shkretë. Por ju pyes: Po të doja unë të fshija gjurmët, a nuk do ta kisha ndryshuar shifrën? Pa le po, vajtën dhe manipuluan edhe zërin. E dini çfarë i thashë unë ministrit tim në të vërtetë? I thashë, të kam thënë 700 mijë herë, të punosh pastër dhe me integritet, bëje, pse s’e bën, kur do ta bësh? Pa merak, tha, sa t’i hedh dhe një sy të freskët ligjit për tenderat. Kjo është e vërteta.
Gjithsesi, ta dini. Mua nuk më bëjnë përshtypje akuzat e vjetra. Mendoni, kanë aluduar se kam bërë puçe të fshehta me Doktorin që në vitet 90-të. Se kam gisht në vjedhjen e floririt të thesarit të shtetit. Edhe kush, unë që kur isha kryeministër ngrita drejtorinë e posaçme anti-korrupsion dhe i thashë drejtorit, dëgjo ktu, o ma gjësh korrupsionin dhe o t’i thuash nga ana ime, se do t’i kërrej binanë, do ta degdis në esfel që t’i vijnë trutë vërdallë. Thuaji do të të çoj prapa bote, në ishujt Kajman, në Qipro, në Afrikë, në Londër, në Pragë do të të çoj! Drejtori në fakt ishte zyrtar luajal: Porosia juaj do çohet në vend, më tha. Dhe e çoi qerratai. Bile dhe tani që po shkruaj këto rreshta me laps kopjativ, po njësoj punon, i palodhur.
Më kanë akuzuar se kam bërë banjo për macen. Tjetër akuzë e vjetër. Po këta janë qesharakë mor zotëri, këta nuk kanë fakte. Thanë që kishte një video-reportazh për këtë gjë, e kishte bërë Mona me Sonën. Po ku është kjo video? Ajo s’ekziston. Le që ç’nevojë kam unë t’i bëj WC të posaçme maces, kur ajo ka shtëpinë e vet, katandinë e vet?
E kemi idealizuar median perëndimore, kemi dhe ne pak faj. Por le ta dinë shqiptarët që edhe mediat perëndimore blihen e shiten. Unë nuk e di sa është blerë kjo gazeta austriake, por ama një artikull serioz duhet të marrë dhe opinionin e të akuzuarit. Askush nga Vjena nuk më trokiti në derë të më kishte thënë, o gjigand, kshtu-kshtu puna. Unë do t’i kisha vënë përpara fakte të pakundërshtueshme. M’fal m’fal një sekond. Kishin 100 mijë fakte ata që më sulmojnë? 700 mijë do t’u kisha ofruar unë, madje një milion fakte, që të mos thonë se jam fiksuar me shtatshen.
Po e mbyll këtë letër duke i thënë edhe një herë opinionit publik, por edhe atij privat, se të gjitha akuzat ndaj meje janë të vjetra. Mos lini nam me akuza të vjetra. Gjeni të reja, për gjërat që do bëj në të ardhmen, jo ato që kam bërë qëkur. Kjo do ishte tamam gazetari investigative.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike. Çdo përkim me ngjarje reale është i qëllimshëm.