Arben Kraja: SPAK vihet në veprim vetëm kur të akuzuarit pranojnë krimin dhe sjellin paratë e vjedhura

12 Maj 2022, 11:35Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Arben Kraja, kreu i SPAK

TIRANË - Përmes një deklarate të fuqishme që u ka shtënë dridhmat politikanëve dhe zyrtarëve të korruptuar, po aq sa krerëve të krimit të organizuar dhe atij të çorganizuar, kreu i prokurorisë së posaçme SPAK, Arben Kraja, deklaroi dje se institucioni që ai drejton është gati t’ja tregojë vendin krimit dhe korrupsionit të niveleve të larta.

“Strukturat tona tashmë janë konsoliduar, dhe pas kaq vitesh investime në burime njerëzore, trajnime dhe fonde, ne jemi gati të japim goditje të fuqishme,” deklaroi Kraja. “Tani thjesht ngelet hapi i fundit: Mjafton që ministra, ish ministra, ish kryeministra, gjyqtarë, drejtorë e prokurorë, të trokasin në dyert e SPAK me kokën ulur dhe lot në sy, të pranojnë krimet dhe vjedhjet që kanë bërë, të sjellin me vete edhe torbat e parave të vjedhura, dhe ne jemi të gatshëm të nisim hetime intensive dhe të gjithanshme,” deklaroi me kurajo Kraja.

“Hë se desh harrova,” shtoi me kompetencë dhe gjakftohtësi prej gjykatësi anti-mafia, kryeprokurori special, “personat e interesuar për t’u vetëakuzuar, duhet të kenë me vete edhe dokumentacion, fakte dhe argumente se vërtet i kanë vjedhur ato fonde, i kanë përvetësuar ato troje, ose i kanë kryer ato krime. Përndryshe akuza është e vështirë të provohet,” shtoi Kraja.

Kryeprokurori special e kreu këtë reagim si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të kryeministrit Edvin Pikaso, i cili, siç lexuesit e kujtojnë mirë, i ndërpreu për një çast vizatimet, ngriti kokën dhe tha, “ore, po ky SPAK ça bën, me ça merret?”, dhe pastaj iu rikthye punës.

Në prononcimin e tij, Kraja risolli në vëmendje punën voluminoze të SPAK, siç është sekuestrimi i një arke me levrek, një kutie konservash dhe tre arkave me sardele.

“Po të mos ishim treguar vigjilentë dhe të mos kishim vënë këto prova materiale në regjim sigurie maksimale, tani ai peshk do ishte pirë me verë nga rojet,” vuri në dukje Kraja, “por në sajë të trajnimit të prokurorëve tanë në SHBA, kjo katastrofë u shmang”.

Shefi i SPAK, i cili dy momentet kyçe në karrierë ka fillimet si hetues nën regjimin komunist në Shkodër, dhe pastaj si drejtori i anti-korrupsionit në kryeministrinë e Ilir Metës në fillim të viteve 2000 (po po, kryeministri Meta kishte dhe drejtori anti-korrupsion), sqaroi për mediat se edhe ai vetë kishte kryer disa hetime paraprake.

Kraja pohoi se kishte sakrifikuar ditët e tij të pushimit në fundjavë.

“Po, është e vërtetë. Unë punoj dhe në ditët e pushimit. Këtë të shtunë dola nga vila ime në Gjirin e Lalzit dhe trokita te komshiu, Ilir Meta. I thashë, Ilir, se mos këtë vilë e ke bërë me para të pajustifikuara? Po ça thua mo gjigand, më tha, ti më njeh mua. Pastaj trokita te komshiu tjetër, Sali Berisha. Doktor i thashë, jam tu kry do hetime. Si e ke blerë këtë vilë ti? Ma kan ble fmija tash për pleqni, tha. Dhe kishte të drejtë”.

Burime për Patronazhistin, sapo na njoftuan se SPAK ka ngritur akuza ndaj gjithë shitësve të peshkut në Tiranë. Sipas njoftimit, duke qenë se prokurorët e posaçëm ja morën dorën produkteve detare, i shohin me dyshim të gjithë individët që mbajnë dhe/ose transportojnë arka me peshk. Burimet thonë se ata kanë marrë një porosi të posaçme nga kryeprokurori i posaçëm: “Po vazhduam të kërkojmë në këtë drejtim, mes të vegjëlve do ta gjejmë dhe peshkun e madh”.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike. Dallimi i vetëm me SPAK është se nuk është trajnuar në Amerikë...

 

Video