TIRANË – Vetëm ideja se do dalë të takojë popullin e thjeshtë i veshur si njeri i thjeshtë, do të flasë me fjalë të thjeshta dhe do shtiret sikur ka halle të thjeshta, e skuq nga entuziazmi politikanin Ahmet Arbenaj.
Është një valë adrenaline që e mbërthen sa herë del në terren, sa herë u dorëzon familjeve të dëmtuara nga tërmeti çelësat e shtëpive të reja sa për një foto dhe pastaj ua merr prapë, se në fakt shtëpitë ende nuk kanë mbaruar.
“Dikush e merr dozën e adrenalinës dhe eksitimit duke iu ngjitur maleve, apo duke ngarë biçikletën nëpër shtigje lufte, apo duke shkuar për peshkim. Por nuk ka gjë më gjallëruese sesa të bësh si rob i rëndomtë,” thotë për rubrikën tonë Arbenaj, teksa jemi duke pirë kafe në një lokal pocaqi lagjeje.
Dhe xhentil si ngahera, Arbenaj thërret kamarierin: Vlla, sa bëjnë këto kafet?
Kur djali i thotë 160 lekë, Arbenaj rrudhet në fytyrë, mërmërit, “bobo sa shtrenjtë, na gritë nga lekët”, paguan qejfprishur dhe na thotë, “kur të marr rrogën do ulemi tamam, do hamë ndonjë sufllaqe. Po të paguaj njëherë dritat dhe ujin, pastaj të shohim”.
Sapo ikën kamarieri, Ahmet Arbenaj rikthehet tek vetja origjinale dhe buzagaz na thotë zëulët:
“E kupton sa lezet është? Më duket vetja si aktor. E pe si thashë, ishalla më dalin lekët për dritat dhe ujin? Për besë, është adrenalinë e pastër, dëgjo mua”.
***
Edhe pse është zëvendës kryeministër dhe ministër i shtetit për rindërtimin, Ahmet Arbenaj pasi po mbaron punë me rindërtimin, fshehtas preferon më shumë pjesën e shtetit. Ajo është dhe arma e tij e preferuar në debatin politik. Nuk është harruar ende deklarata e tij historike drejtuar kamerave, dhe përtej tyre, popullit të thjeshtë:
“Ju siguroj se njerëzit nuk do paguajnë asnjë qindarkë. Gjithçka do paguhet nga fondet e buxhetit të shtetit!”
Edhe kur qeveria humbi disa gjyqe ndërkombëtare dhe do t’i duhet të paguajë qindra miliona euro, Arbenaj deklaroi prerë: “Kjo qeveri nuk do nxjerrë nga xhepi asnjë kacidhe. Pagesat do dalin nga buxheti i shtetit”.
Kur u pyet nga gazetarët si ka mundësi që qeveria paguan para për kontrata ndërkohë që volumi i punës për të cilin ato para paguheshin, nuk është kryer fare, ministri sërish ishte i qartë:
“Shiko, se ju gazetarët nuk i kuptoni financat. Ato para dalin nga buxheti, jo nga ne”.
***
Bisedojmë dhe pak me Ahmet Arbenajn. I veshur thjesht, me një palë atlete që kanë filluar të grisen, dhe me syze dielli të gërvishur në njërin xham, na thotë në konfidencë se roli i fukarait i shijoi shumë, por tani duhet të largohet. Dhe ministri i thjeshtë ngre zërin që ta dëgjojë gjithë kafeneja:
“Ika vlla, se duhet të kap autobuzin. Takohemi kur të marr rrogën, okej?”
Tek kthesa e pallatit u shfaq nga hiçi një Rejnxh Rover, Arbenaj kërceu brenda si tigër dhe makina u zhduk.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e thjeshtë