REPORTAZH / Reklamaxhiu Artid shpjegon suksesin e Babuina King

23 May 2022, 17:35Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
REPORTAZH / Reklamaxhiu Artid shpjegon suksesin e Babuina King
Reklamaxhiu Artid shpjegon suksesin e Babuina King

TIRANË / GJINOKASTËR – Fëmijë të lumtur, të veshur me kostume popullore gjithë ngjyra, këngë dhe vallëzime, dhe Artidi që u prin me buzëqeshjen e tij rrëzëllitëse. Ai i çon drejt një dyqani që shet vetëm banane. Por kalamajtë nuk duan banane dosido. Ata këmbëngulin se duan vetëm banana të markës Babuina King. Qajnë, vënë kujën, ngulin këmbë, dhe sapo marrin në dorën bananen e ëndrrave, ja rinisin gazit dhe haresë.

“Nuk kam ç’u bëj, duan vetëm Babuina King këta shejtanër,” thotë Artidi buzagaz për rubrikën tonë, “dhe nuk kanë faj. Është banania më e mirë në botë. Çfarë peripecish heq kompania Babuina King për ta sjellë këtë mall të artë deri në portin e Durrësit, nuk ka hequr as Marko Polo kur sillte mëndafsh nga Kina”.

Historia e prezantimit të bananes Babuina në tregun shqiptar është një histori tipike suksesi e njerëzve punëtorë e të palodhur shqiptarë. Kontejnerë që nisen që nga Ekuadori e Kolumbia, ndalojnë në njëzet porte të botës e kontrollohen po kaq herë, deri sa mbërrijnë në destinacion. Fëmijët e Shqipërisë, dhe Artidi bashkë me ta, mbajnë frymën dhe kaplohen nga ankthi sa herë që ndonjë ngarkesë vonon rrugës. Ama kur fryti i premtuar mbërrin në portin tonë kryesor, gjithë kopshtet dhe shkollat fillore të vendit gumëzhijnë nga këngët, gazi dhe hareja.

***    

“Nuk ka qenë gjithmonë kaq e lehtë,” pohon Arditi me zërin e tij të mëndafshtë, “kur nisëm bashkëpunimin për reklamat e Babuina King, pronarët e kompanisë ishin në siklet. Ata donin reklama të bukura dhe gjithë kolorit, por ndërkohë nuk kishin ende asnjë ngarkesë bananesh nëpër magazina. U thashë, bëjmë një herë spotet publicitare, paguajmë televizionet, se kështu rritet kërkesa. Pastaj kur të vijnë bananet, shitja e tyre është e garantuar”.

Siç dihet tashmë, nuk ishte e lehtë për të mbërritur deri tek importi i bananeve. Në fillimet e veta modeste, kompania sillte nga Amerika Latine vetëm kokainë. Qese ordinere me pako kokaine, të stivosura dosido nëpër kontejnerë, vinin në Shqipëri për t’u shitur për dy lekë. Bananet ishin shumë të vështira për t’u arritur. Duheshin lidhje, kontakte dhe marrëdhënie të forta besimi reciprok që tregtarët ekuadorianë e kolumbianë të bindeshin për ta lëshuar nga dora mallin e çmuar. 

“Me sa di unë, në fillim Babuina King e sillte bananen në sasi të vogla, të fshehur mes kokainës, ose të maskuar nëpër cepa të padukshëm,” pohon gjithmonë i buzëqeshuri Artid, teksa zhvesh një banane, “ama, sapo siguruan liçensën e importit të bananeve, drejtuesit e firmës kryen hapin e madh cilësor duke mbushur tregun shqiptar dhe atë rajonal me banane të cilësisë së parë”.    

***

Dhe suksesi është i dukshëm nëpër çdo rrugë të Shqipërisë. Importi i bananeve është njëqindfishuar krahasuar me para 5 vitesh. Nga Vermoshi e Kopliku, në Sarandë e Konispol, pleq e plaka, fëmijë e të rinj, mesoburra e mesogra, paraplegjikë e tetraplegjikë, politikanë qëndrorë e lokalë, mësues, mjekë e infermierë, policë e gjykatës, gjithë ditën e kanë nga një banane në dorë, ose janë duke e përtypur një të tillë.

“Është Babuina, prandaj është kaq e mirë,” thotë Artidi, të cilit ndërkaq i bie zilja e celularit. Ai ndërpret bisedën dhe u drejtohet fëmijëve që e rrethojnë të uritur, “ja, kalamaja, mbërriti dhe kontejneri tjetër me banane!”

Fëmijët shpërthyen në këngë e brohoritje.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike plot vitamina B


Video