TIRANË - Lajmi se një copë e bashkisë së Tiranës i është bashkangjitur administrativisht bashkisë së Kamzës në mënyrë që investitori Zamo të paguante më pak taksa, qarkulloi një copë herë. Por vjedhje të tjera - na falni, lajme të tjera më të rëndësishme ja zunë vendin QTU-së së Zamos dhe historia u duk sikur u harrua.
Kjo deri ditën e djeshme, kur Patronazhisti mësoi se në një mbledhje të kryebashkiakëve të Shqipërisë, janë nxjerrë thikat dhe biçaqet dhe kryebashkiakët janë sharë reciprokisht nga të gjithë familjarët e shoshoqit, deri tek baxhanakërit dhe kunetërit.
Arsyeja: Azhornimi i hartës administrative zbuloi se shumica e bashkive kishin në trojet e tyre, copa toke që u përkisnin bashkive të tjera. Kështu, rezultoi se një truall në Himarë i takonte bashkisë së Dibrës, 10 hektarë në Ksamil ishte pjesë e bashkisë së Divjakës, dy kodra afër Dajtit i menaxhonte bashkia e Tropojës, plazhi i Gjeneralit në Kavajë figuronte në bashkinë e Devollit, ndërsa katër dynymëve në Radhimë të Vlorës u ishin grisur fletët e regjistrit të Kadastrës dhe ishin ngjitur në regjistrin e bashkisë së Mirditës…
Pasi zallamahia u qetësua disi, kryebashkiakët kërkuan sqarime në qeveri, thonë burimet.
Por me autorizimin e kryeministrit Edvin Pikaso, zëvendësi i tij Ahmet Arbenaj - El Tigre - deklaroi se kjo rindarje ishte bërë për një efikasitet më të mirë të punëve, dhe për të ndihmuar investitorët strategjikë.
“Nuk mund t’i lëmë investitorët të na ikin, të na i marrin komshinjtë,” tha zyrtarisht Arbenaj, “se ja, Greqia dhe Italia po bëjnë namin për të na marrë Çetin dhe Zamon. Si thoni ju, t’i lëshojmë talentet tona më të mira rrugëve të botës?”
***
Por privatisht, El Tigre pohoi se historia e modifikimeve në hartën e ndarjes administrative të Republikës është pak më e thjeshtë. Arbenaj tregoi se një ditë kryeministri kishte marrë djalin e tij Zaçen në punë, se kopshtet e kishin pushim.
Për ta argëtuar, i tha Zamos: “Hajde pak të rrish me çunin, se kam mbledhje qeverie”. Zamo erdhi, i dha djalit një tabak të madh letre dhe disa lapsa me ngjyra, dhe i tha, “e di ti buçko si është djathi zviceran, gjithë vrima e rrumbullaqe? Na pikturoji këto vizat si do të thotë xhaxhi”.
Zaçja i urtë, nisi të vizatojë, rrumbullakosë e ngjyrosë gjithë qejf.
“Por na doli se tabaku i letrës ishte harta administrative,” tha Arbenaj, “dhe shefit i pëlqeu aq shumë puna e të birit, sa tha: Askush mos ta prekë, do ta vëmë në kornizë. Kjo është harta e re territoriale”.
Dhe në fund, El Tigre më zë të ulët futi thumbin që e mbante rezervë kaq kohë, duke u thënë kryebashkiakëve: “Unë po të isha kryeministër, nuk do t’i merrja kalamajtë në punë, po ça t’i bëj Edvinit. Jooo, e them ashtu kot”.
***
Patronazhisti mëson se lajmet e fundit nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova janë shqetësuese. Mediat vendase raportojnë se çereku i territorit të Bashkisë së Shkupit në mënyrë misterioze është bërë pjesë e qarkut të Gjirokastrës, një lagje periferike në Prishtinë menaxhohet nga bashkia e Peqinit, ndërsa gjysma e banorëve të Ulqinit kanë filluar ta flasin shqipen në dialekt korçar.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike. Deri në momentin që hyneret e mësipërme dalin të vërteta