TIRANË - Investigimi që Patronazhisti ka përgatitur në këtë edicion ka nisur krejt rastësisht. Ishte një episod në dukje i pafajshëm, ai që i hapi udhë një zhbirimi të kujdesshëm dhe që zbuloi lajmin e madh.
Historia nis dy javë më parë, kur nëpër ekranet e kanaleve që transmetojnë lajme 25 orë në ditë, dolën titrat: Kompani Gener 2 merr koncesionin e rruges Thumanë – Kashar, vlera 1.3 miliardë euro pa TVSH!
Patronazhisti, që ishte ulur në një kafe lagjeje, dëgjoi një thirrje triumfale që iu pre zëri menjëherë, mesa duket, sepse autori e kuptoi që nuk duhej ta shprehtë publikisht entuziazmin: “Ec aty!!! E mora ma n’fund, se më plasën shpirtin qelpsinat!”
Burimi i zërit ishte gurmazi i kamarierit 24 vjeçar, që kishte zënë punë para katër muajsh. Që këtu zë fill investigimi që po paraqesim.
Ai quhet Njac Kacagjeli, i ardhur prej pak vitesh në Tiranë nga Malësia e Madhe. Zyrtarisht, ka provuar lloj-lloj punësh. Ka punuar edhe si recepsionist, shitës ambulant cigaresh nëpër lokalet e natës, fatorino dhe shef financash në një konglomerat mediatiko-telekomunikativ.
Duke qenë se Patronazhisti gjithmonë i ka lënë bakshish dhe ka këmbyer dy llafe më tepër me Njacin, dora-dorës u ndërtua një marrëdhënie besimi dhe zoti Kacagjeli vendosi të hapej në konfidencë. Ja çfarë tha ai.
***
Kemi tre vite që punojmë për Thumanë-Kasharin, pohon me zë të ulët dhe duke parë me kujdes vërdallë Njac Kacagjeli. Sapo ka lënë turnin dhe e ka komoditetin të pijë një kafe si njerëzit të cilëve u ka shërbyer gjithë ditën.
“Ky konçesion ndihmon kompaninë time, por edhe shqiptarët e thjeshtë, shoferët dhe biznesin. Pra leverdia është e dyanshme. Aksi i ri shkurton shumë kohën e lëvizjes dhe lehtëson jashtëzakonisht aksesin komunikues Veri-Jug. Të gjithë fitojnë. Prandaj më dëgjove që shpërtheva nga gëzimi,” pohon Njac Kacagjeli.
Patronazhisti i çuditur, e pyet: Domethënë tani s’ke nevojë të punosh më kamarier?
Njaci ja plas të qeshurit me naivitetin e pyetjes.
“Po pse, deri tani kam punuar për rrogën e kamarierit, apo për bakshishin tënd? Po qenke tuhaf more mik! Unë merrem me punë të tilla sepse nuk dua të ekspozohem. Dynjaja e ka gjuhën e gjatë dhe merret me llafe. Më mirë urtë e butë e plot tigani. Ja, atje tek Gener 2-shi kam lënë përgjegjës Baçin, e njef besoj, Baç Ulajn. Do shtiresh si shef i madh, i kam thënë, rrogën e ke të mirë, do marrësh dhe përqindje. Dil tek-tuk në televizor, por jo shumë. Bëj dhe vetë televizor po deshe. Të tjerat m’i lër mua. Dhe ma ka dëgjuar fjalën, me than’ t’drejten”.
Në vijim, Njac Kacagjeli tregoi sesi tenderat i fiton duke regjistruar kompanira guackë në Ishujt e Virgjër Britanikë, Qipro, Lihtejshtajn, Delauer, Singapor, Ishull-Lezhë, Rubik etj.
Nëpër projekte të ndryshme fut aksionerë edhe ministra apo kryeministra, “sepse duke qenë vetë pjesë, punojnë me shpirt dhe ndihmojnë popullin pa ngecur nëpër burokracira dhe ingranazhe të frikshme teknokratësh që ta shpifin. Në punën tonë duhet ritëm usta, ritëm!”
***
Një zile telefoni dëgjohet nga xhepi i këmishës së Njac Kacagjelit. Ai nxjerr një aparat Nokia me butona, prodhim i 2005-ës, dhe flet duke shkarë herë pas herë në dialekt:
“Hë Baç. Jo jo, e lashë turnin. Po po, e mora vesh. Fituam më në fund. Se para dy vitesh na hodhën vickla, jo po është shtrenjtë, jo po ç’janë këto çmime. Mirë mirë, me qetësi, pa triumfalizma. Dëgjo këtu, me Edin dhe me Doktorin kam folur vetë. Ti do pish një kafe me Braçen dhe do t’i thush, ka than Njaci, mos ta ni ma zanin e gojs, bubrrec! Okej, ik tani, ciao”.
Kthehet nga Patronazhisti dhe i thotë: “Janë telefona të mirë, u mban bateria dy javë dhe s’para përgjohen. Tani mua do më falësh. Dhe ça thamë këtu, mbaji për vete!”.
Njac Kacagjeli zgjidhi biçikletën, i hypi dhe u largua ngadalë. Por çuditërisht, silueta e tij, sa më shumë ai largohej, aq më tepër rritej….
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e përfshirë në njërin nga lotet e Unazës së madhe në Astir…