RRUGËVE / Ministrja Ballukja u shpjegon sërish punëtorëve punën që sapo kanë kryer…

6 Korrik 2022, 16:11Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ministrja Bella Ballukja duke u shpjeguar inxhinierëve punën e tyre

TIRANË / LLOGARA / GJITHANDEJ – Si gjithmonë e palodhur, Ministrja Infrastrukturore e Rrugëve Energjetike Bella Ballukja edhe një herë mori mundimin të sqarojë me durim punonjësit dhe inxhinierët e një ujësjellësi të ri për dy lagje të Sarandës, se çfarë pune kishin bërë ata deri tani.

“Pra, që ta kuptoni edhe një herë: Ju ndërtuat dy stacione pompimi, hapët kanalizimet dhe shtruat tubacionet e reja për lagjet Baba Rexhep dhe Baba Refat, ndërkohë që jeni në fazën e fundit të lidhjes së gjithë sistemit. Nga ana tjetër depon e ujit… ku është inxhinieri? Hajde këtu inxhinier: Depoja e ujit duhet izoluar mirë, se ndryshe do kemi rrjedhje, dakord?”

Punonjësit dhe inxhinierët tundën kokën me aprovim, për udhëzimet e vyera të Ballukes para kamerës, mbi procese pune që ishin kryer dhe kishin mbaruar ndërkaq. Në vijim ata dëgjuan informacione të vlefshme mbi vetitë e shkëlqyera të ujit:

“Paskëtaj, lagjet Baba Faruk dhe Baba Mevlan do të kenë ujë të bollshëm jo vetëm për të larë njërën dorë, pastaj dorën tetër dhe pastaj surranë, por edhe për të gatuar supëra, tasqebap dhe për të zier makarona. Inxhinier, mund t’u thoni banorëve të lagjeve Baba Shefqet dhe Barba Kiço, se mund të vënë edhe lavatriçe, jemi dakord?”

***

Nuk është hera e parë që Ministrja Bella ka dalë e merakosur në video, duke udhëzuar me kurajo dhe guxim profesional, drejtorët dhe inxhinierët e rrugëve e tuneleve për punë që sapo kishin përfunduar. Të gjitha klipet tregojnë djem e burra me jelekë të verdhë dhe kaskë mbrojtëse, që dëgjojnë dhe mbajnë shënime me kujdes fjalët si rruaza të ministres. Kështu ndodhi dhe në inspektimin e bajpasit të Vlorës.

“Ju e dini ç’domethënë bajpas? Vjen nga anglishtja, ka kuptimin anashkalim. Pra e shmangim kalimin mespërmes qytetit, dhe i biem rrotull me një rrugë të pandërprerë, duke shmangur trafikun. Pra ju keni shmangur tra… hë, ma thuaj ti usta Rrustemi, çfarë kemi shmangur?”

“Trafikun zysha Ministre,” u përgjigj 55 vjeçari kryeteknik i punimeve, me shpresën se ishte përgatitur mirë.

“Bravo Rrustem,” u kënaq Bella, dhe iu drejtua kameramanit, “hë, mirë doli?”

***

Me të njëjtin stil, Bella Ballukja mori pjesë dhe në inaugurimin e tunelit të Skërficës dhe aksit të ri Kardhiq-Delvinë. Ajo nisi t’i shpjegojë kryeministrit Edvin Pikaso se qeveria e tij kishte kryer një vepër madhore që do t’i japë shumë dorë sezonit të ri turistik.

“Ju zoti Kryeministër, nuk keni lidhur thjesht kardhiqotët me delvinjotët, që gjithë e gjithë janë një grusht njerëz. Jo, ju keni lidhur Tiranën me Sarandën, hinterlandin me bregdetin, Gjirokastrën me Rivierën, Europën me Ballkanin, qiellin me tokën. Kjo që keni bërë ju…”

Por Edvini e ndërpreu me taktin që e karakterizon:

“Bellaaa! Lëri furçat. Këto dëngla shko e shitja Rrustemit. Hajde të ikim se kam vapë. Ça po bën dikasteri juaj për vapën? Shiko se ja keni varur punës fare,” dhe u largua…

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike infrastrukturore    

Video