GJESTI HUMAN / Kryeministri i bën thirrje klasës politike të marrë pjesë në fushatën e pirjes së gjakut

28 Qershor 2022, 14:26Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kryeministri shqiptar duke gajasur infermieren me shakate e kripura

TIRANË - Kryeministri i Republikës së Shqipërisë iu bashkua dje personalisht fushatës kombëtare të pirjes së gjakut, bashkë me stafin e ngushtë. Sipas agjencive të lajmeve dhe mediave të pranishme, pak para nisjes së seancës së shkurtër të pirjes së gjakut, kryeministri që njihet për batutat e holla, bëri humor me infermieren përkatëse, duke i thënë:

“Se mos më bën ndonjë marifet dhe dhuroj gjak, se kam ardhur për të pirë, moooj shoqe!”.

Të pranishmit bënë me dije se infermierja dhe krejt stafi i ngushtë u gajasën me rromuzin kaq të goditur të kryeministrit, duke i mërmëritur me takt njëri-tjetrit, “ky të shkrin fare. Është i madh për Zotin. Dhe të mendosh sa i zënë është, ku e gjen kohën për t’u marrë me gjithçka dhe për t’i thënë një fjalë të mirë kujtdo!”.

Kryeministri deklaroi për mediat se kishte ardhur bashkë me hyzmeqarët e zyrës (mos ma vini re se jam démodé, ju shqiptarët modernë u thoni staf, qeshi kryeministri) për t’i bindur të pijnë gjak, megjithëse oferta nuk ishte detyruese.

“Kush nga këta do të dojë, le të pijë,” tha kryeministri duke drejtuar gishtit nga njëzet e ca veta të cilëve u kishte ikur gjaku nga fytyra, “por unë erdha të jap shembullin i pari. Është një akt shumë i shëndetshëm, nuk ka asgjë të keqe. Unë kam njëzet e kusur vjet që pi gjak. Kur ma sugjeruan për herë të parë, mbaj mend që më vate gjaku në fund të këmbëve. Por jo vetëm që mësohesh, po e ndjen që të bën mirë për shëndenë. Pastaj se mos pijmë gjakun e botës, gjakun e popullit tonë përdorim”.

 ***

Në vijim kryeministri pranoi se gjatë fushatës së tij 20 vjeçare të pirjes së gjakut të shqiptarëve nuk ka qenë gjithnjë kaq i ditur sa tani.

“Pse ta fsheh? Në fillim nuk dinim. Kemi bërë dhe gabime. Mbaj mend ca kohë, gjatë qeverisë Nano, e pinim me eks dhe trulloseshim. Jo, duhet pirë me ndalesa. Nga pak dhe vazhdimisht. Dhe jo gjithmonë në të njëjtin vend; herë në rrugë, herë në aeroporte; ca me konçesione, ca me çmimet e ilaçeve, diku me kanabis, diku me amnisti masive fiskale, duke u dhënë mundësi çunave të sjellin gjak të ri nga emigracioni… E kuptut çuna dhe goca?” dhe iu drejtua hyzmeqarëve.

“Po shef,” thanë ata njëzëri duke njomur pak buzët me gjak sade.

***

Pasi piu dozën ditore, kryeministri u drejtua nga kamerat:

“Ja, kaq ishte. I bëj thirrje politikës së të gjitha krahëve t’i lërë cic-micet e ditës dhe t’i bashkohet kësaj nisme në të mirë të popullit. Unë e di që në të shkuarën, edhe Iliri me Saliun kanë akumuluar përvojën e tyre aspak modeste në pirjen e gjakut, por nuk kanë ditur. Mbase ashtu ishin kohërat, e kanë pirë shkel e shko, pa stil, pa elegancë, katundarçe si i thonë. Por Europa e bashkuar nuk pranon fshatarë që s’dinë të vizatojnë. Nëse e keni vënë re, të gjithë 250 mijë shqiptarët që kanë ikur nëpër BE vitet e fundit, kanë patur nga një damar artisti. Pikërisht damarët që na duhen për të prodhuar gjak të shëndetshëm!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pa ndonjë damar artisti   

Video